UEFA eEURO 2020: TË GJITHA QË DUHET T’I DINI!

Zhvillimi i teknologjisë virtuale ka hapur mundësi të mëdha veçanërisht në fushën e lojërave. Si rezultat i kësaj turnetë virtuale të lojërave janë një trend në rritje, ashtu si edhe interesimi për ta. Dëshmi e kësaj është se tani për ca kohë edhe në Kosovë e kemi një kanal televiziv 24-orësh të dedikuar posaçërisht për lojëra. Si rezultat, organizata, promovues dhe investitorë të ndryshëm po kërkojnë mënyra të ndryshme për t’u përfshirë në lojërat kompjuterike.

Që nga muaji nëntor i vitit 2019, UEFA është duke e përgatitur kampionatin e parë virtual të futbollit, të quajtur “UEFA Eeuro 2020”. Sidoqoftë, shpërthimi i pandemisë COVID-19 dhe më pas shtyrja e “EURO 2020” dhe e të gjitha aktiviteteve të tjera të futbollit (dhe sporteve të tjera gjithashtu), papritmas e ka vënë këtë e-turne në qendër të vëmendjes. Ne ju ftojmë që të lexoni më poshtë gjithçka që duhet të dini për këtë turne.

Çka është “UEFA eEURO 2020”?

“UEFA eEURO 2020” është gara e parë në botë e kombëtareve të efutbollit (futbollit virtual), që i përfshin të 55 federatat anëtare të UEFA-së. Formati i turneut është i ngjashëm me “UEFA EURO 2020”, që përfshin një fazë kualifikimi dhe një turne përfundimtar – final. Turneu është gara e parë e kombëtareve të efootball e këtyre përmasave në mbarë botën. Lojtarët garojnë ekskluzivisht në “eFootball Pro Evolution Soccer 2020” (PES 20) të Konamit në “PlayStation 4”.

 

Kush është duke garuar për secilin vend?

Fokusi i turneut është elementi i ekipit, thelbi i futbollit. Prandaj, çdo federatë pjesëmarrëse është duke garuar me një kombëtare të efutbollit me dy deri në katër lojtarë që e përfaqësojnë vendin e tyre. Nga muaji nëntor i vitit 2019 deri në muajin janar të vitit 2020, federatat i emëruan ekipet e tyre kombëtare përmes një turneu, qoftë online ose fizik, përveç në rastet kur ka ekzistuar më herët një ekip kombëtar efutbolli. Më pas kombëtaret e përzgjedhura garuan në fazën e kualifikimit “online”.

 

Si funksionoi faza kualifikuese?

Shorti u mbajt në muajin janar. Kjo i ndau vendet konkurruese në dhjetë grupe për fazën kualifikuese, e cila u mbajt midis datës 9 dhe 30 mars. Secili vend i luajti nga dy ndeshje (një kundër një) kundër vendeve të tjera në të njëjtin grup; pikët nga të dyja ndeshjet u shtuan në tabelën e grupit. Dhjetë fituesit e grupit u kualifikuan drejtpërdrejt për turneun final. Kurse, dhjetë kombëtaret e plasuara në vendet e dyta garuan në një turne “play-off” për të përcaktuar gjashtë finalistët tjerë.

 

“eEURO 2020”: si funksionon – çfarë ndodh pasi të keni arritur në finale?

Një ngjarje “live” ishte planifikuar të mbahet në Londër në muajin korrik për të përcaktuar kampionët e “UEFA eEURO 2020”, por finalja tani do të mbahet virtualisht më 23 dhe 24 maj. 16 skuadrat do të ndahen me short në katër grupe me nga katër ekipe, dhe dy ekipet e para nga secili grup do të shkojnë në çerekfinale.

 

Çfarë çmimi marrin fituesit?

Gjithsej 100.000€ si çmime me para të gatshme do të ndahen midis çerekfinalistëve, përfshirë 40.000€ për fituesit.

 

Kush luajti me kë në fazën e grupeve?

Grupi A: Anglia, Serbia (kualifikuar), Shqipëria, Spanja, Letonia

Grupi B: Sllovenia, Skotlanda, Portugalia, Rumania (kualifikuar), Lihtenshtajni

Grupi C: Zvicra, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Kazakistani, Bosnja dhe Hercegovina (kualifikuar)

Grupi D: Sllovakia, Greqia (kualifikuar), Finlanda, Norvegjia, Azerbajxhani

Grupi E: Austria, Izraeli (kualifikuar), Islanda, Rusia, Polonia

Grupi F: Kosova, Gjeorgjia, Irlanda Veriore, Lituania, Bjellorusia, Luksemburgu (kualifikuar)

Grupi G: Hungaria, Gjibraltari, Turqia, Bullgaria, Estonia, Gjermania (kualifikuar)

Grupi H: Uells, Ishujt Faroe, Ukraina, Andorra, Italia (kualifikuar), Mali i Zi

Grupi I: Suedia, San Marino, Danimarka, Malta, Holanda (kualifikuar), Republika e Irlandës

Grupi J: Belgjika, Franca (kualifikuar), Armenia, Qipro, Republika Çeke, Kroacia

Kush luajti në “play-off”?

Grupi 1 “Play-off”: Austria, Kroacia, Finlanda, Mali i Zi, Portugalia

Grupi 2 “Play-off”: Danimarka, Kazakistani, Lituania, Spanja, Turqia

 

Orari i eEURO

Gjatë katër të hënave në muajin mars u vendos se kush ishin dhjetë finalistët e parë të “eEURO”. Gjashtë finalistët e fundit u përcaktuan në ‘”play-off”, i cili filloi më 20 prill dhe përfundoi më 27 prill. Të gjithë finalistët e kualifikuar tani do të takohen në turneun final që do të mbahet virtualisht më 23 dhe 24 maj, 2020. Të gjithë të interesuarit mund të shohin tërë aksionin “eEURO 2020” në kanalin e UEFA-së në YouTube. Ndërsa, një grup i zgjedhur i ndeshjeve transmetohet drejtpërdrejt në UEFA.com.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE