URIME 8 MARSI! – DITA NDËRKOMBËTARE E GRAVE

 

Sot është 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Grave. Në mbarë botën kjo ditë festohet për të vlerësuar arritjet kulturore, shoqërore dhe ekonomike të femrave. Mirëpo, shënimi i kësaj dite shërben edhe si një platformë për të ngritur zërin për veprime konkrete të cilat janë të domosdoshme për të arritur barazinë gjinore.

 

Historia e Ditës Ndërkombëtare të Grave

Historia e kësaj dite është e lidhur ngushtë me lëvizjet punëtore dhe socialiste të fillimit të shekullit të 20-të. Madje, për herë të parë, kjo ditë u shënua më 28 shkurt 1909 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën organizimin e Partisë Socialiste të këtij vendi. asokohe, shënimi i kësaj dite u bë në nder të grevës së punëtorëve të tekstilit në Nju Jork, me ç’ rast gratë ishin ngritur në protestë kundër kushteve të punës. Një vit më vonë (1910) Internacionalja Socialiste e caktoi Ditën e Grave për të promovuar të drejta të barabarta në mesin e të cilave përfshihej edhe e drejta globale e grave për të votuar.

 

Njohja nga Kombet e Bashkuara

U deshën të kalonin plot 65 vjet deri në pranimin zyrtar të Ditës Ndërkombëtare nga Kombet e Bashkuara më 1975, gjatë Vitit Ndërkombëtar të Grave. Kurse, festa e 8 Marsit, siç e njohim ne sot u caktua në vitin 1977 nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara me miratimin e një rezolute që e shpalli 8 Marsin si Ditën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Grave dhe Paqen Ndërkombëtare.

 

Rëndësia bashkëkohore

Sot, Dita Ndërkombëtare e Grave shënohet në mbarë botën me organizimin e marshimeve, konferencave, performancave dhe aktiviteteve të tjera të ndryshme. kjo ditë shërben për të rikujtuar përparimin e bërë në përmirësimin e të drejtave të grave dhe sfidat që duhen tejkaluar në këtë drejtim.