Sot është 7 Marsi – Dita Kombëtare e Mësuesit. Krahas faktit se në këtë ditë e rikujtojmë hapjen e shkollës së parë shqipe në vitin 1887 në qytetin e Korçës, kjo ditë është edhe një rikujtim i fuqishëm për rëndësinë dhe kontributin e çmuar që çdo mësues e jep në zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë.
Mësuesit e luajnë një rol jetik në formësimin e mendjeve dhe zemrave të gjeneratave të reja, jo vetëm duke ua kaluar atyre dijen, por edhe duke u mësuar shkathtësi dhe vlera jetësore të paçmueshme. Ata janë modelet dhe mentorët tanë të parë dhe ndikimi i tyre shtrihet përtej klasave, pasi që ata kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejt, si asnjë profesion tjetër, në të ardhmen tonë. Për këtë arsye shpesh e herë i dëgjojmë shprehjet e tilla si: “Detyra e mësuesit është detyrë e shenjtë.”
Çdo ditë të gjithë fëmijët tanë janë nën kujdesin e këtyre arkitektëve shoqëror, të cilët u mësojnë atyre çdo gjë duke filluar nga shkrim leximi dhe konceptet matematikore bazë, e deri te shtjellimi i koncepteve të avancuara si rëndësia e mirëkuptimit, tolerancës, bashkëpunimit, dhe barazisë për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike, ku të gjithë mund të jetojmë të lumtur bashkë pa i marrë parasysh dallimet tona.
Rrjedhimisht, pa asnjë hezitim mund të themi se, në thelb, mësuesit janë katalizatorë të ndryshimeve pozitive dhe zhvillimit shoqëror. Prandaj, sot redaksia e jonë u uron të gjithë mësuesve: Urime 7 Marsi – Dita Kombëtare e Mësuesit!