VEPRAT E VOGLA ME QËLLIM TË MIRË NDIKOJNË POZITIVISHT NË SHOQËRINË TONË

 

Praktika e punës vullnetare konsiderohet disi praktikë e re në Kosovë. Megjithatë, mund të thuhet se shumica e njerëzve nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për ndikimet pozitive që ka puna vullnetare në çdo shoqëri dhe për këtë arsye vullnetarët dhe puna e tyre zakonisht nuk e marrin nga shoqëria mirënjohjen të cilën e meritojnë. Me këtë, Revista 4You është krenare t’ju prezantojë dy vullnetarë nga Mitrovica – znj. Arta Ibishi-Çitaku dhe z. Vlladimir Boshkoviç.

 

Energjike, gazmore, e pasionuar pas natyrës dhe çiklizmit. Kështu e përshkruan kushdo që e njeh zonjën Arta Ibishi-Çitaku. Megjithatë, ajo që e dallon më shumë Artën është këmbëngulja e saj për të kontribuar në mbrojtjen e natyrës. Përkushtimi i saj bie më shumë në sy sa herë që del në natyrë, pasi gjithmonë përpiqet që t’i mbledhë plehrat që të tjerët kanë lënë pas. Por zotimi i saj nuk përfundon këtu, pasi ajo merr pjesë dhe ka organizuar aksione të panumërta për të mirën e të gjithë banorëve të qytetit të Mitrovicës. Vlladimir Boshkoviç është një shembull tjetër i shkëlqyeshëm se sa të rëndësishëm janë vullnetarët. Ai ka qenë vullnetar në Shoqatën për Mbrojtjen e Kafshëve “Paw”. Përveç vullnetarizmit, ky 22 vjeçar nga Mitrovica është i angazhuar edhe në bibliotekën e qytetit “Vuk Karaxhiq” dhe punon në dyqanin e kafshëve, por pa i lënë anash studimet dhe punën si fizioterapist. I pëlqen të lexojë dhe veçanërisht i pëlqen të kalojë kohë me kafshët e tij përkëdhelëse. Në moshë kaq të re, Vlladimiri e menaxhon kohën e tij dhe del vullnetar, prandaj ai mund të përshkruhet si frymëzim për të tjerët…

 

4You: Kush është ndikimi apo frymëzimi juaj më i madh për të bërë punë vullnetare?

Arta: Fillimisht kam marrë frymëzim nga prindërit e mi, të cilët ma kanë mbjellë gjithmonë ndjenjën e dashurisë dhe paqes në shpirtin tim. Gjatë shkollimit jam munduar të jap llogari për përgjegjësitë që kisha. Fatmirësisht, edhe në vendin e punës kam pasur mundësi që të mësoj dhe të fitoj njohuri të reja dhe aftësi të ndryshme. Unë jetoj me moton se jeta çdo ditë është një proces mësimi. Siç tha Henry Ford: “Kushdo që ndalon së mësuari është i vjetër, qoftë në moshën njëzet apo tetëdhjetë vjeç. Kushdo që vazhdon të mësojë mbetet i ri. Gjëja më e madhe në jetë është të mbash mendjen të re”.

Vlladimiri: Unë do të thosha se frymëzimi im më i madh për të bërë punë vullnetare janë kafshët e mia përkëdhelëse. I kam birësuar dy qen endacakë, të cilët i gjeta kur ishin këlyshë. Të parin e birësova në vitin 2017, dhe të dytin në vitin 2019. Ndërsa nga viti i kaluar familjes sime i është shtuar edhe një mace. Kur e gjeta këtë mace në pyll, ajo peshonte vetëm 350 gram dhe plani ishte t’i gjeja një shtëpi. Megjithatë, kjo mace ka hyrë në zemrën time dhe në familjen time, dhe kështu ajo tashmë është bërë “pjesë e ekipit”.

 

4You: Cila është arritja për të cilën jeni më krenar?

Arta: Rruga drejt krenarisë për sukseset e arritura nuk është e lehtë për askënd. Si grup joformal vullnetar i “Ambjentalistëve të Mitrovicës”, mund të themi se jemi krenarë që përkundër sfidave dhe vështirësive nuk dorëzohemi kurrë. Jemi të vendosur që të vazhdojmë të punojmë dhe besojmë se veprat e vogla me qëllime të mira ndikojnë pozitivisht në shoqërinë tonë, dhe krenohemi me çdo gjë që organizojmë, kemi qytetarë që vullnetarisht i bashkohen nismave tona.

 

Vlladimiri: Vetëm pasi fillova vullnetarizmin, kuptova se sa serioz është në të vërtetë çështja e kafshëve të braktisura. Prandaj, do të thosha se puna për t’i ndihmuar këto kafshë, për t’i ushqyer, sterilizuar, pastruar nga morrat dhe insektet, për t’i shëruar qentë nga sëmundjet dhe lëndimet, dhe rrjedhimisht jo vetëm shpëtimi, por edhe përmirësimi i jetës së këtyre kafshëve të gjora janë arritjet më të mëdha dhe sukses në punën time si vullnetar.

 

4You: Sa kohë kaloni si vullnetar?

Arta: Si grup, ne përpiqemi rregullisht që të paktën 2 orë nga koha vullnetare çdo të shtunë në mëngjes t’ia kushtojmë pastrimit, mbrojtjes dhe mbjelljes së fidanëve në pjesë të ndryshme të qytetit. Secili prej aktivistëve është i angazhuar gjatë javës me obligime pune dhe familjare, por dëshira për të vepruar si qytetar aktiv na shtynë që këtë kohë të çmuar t’ia kushtojmë punës sonë të përbashkët vullnetare. Nismat tona përfshijnë edhe realizimin e muraleve në hapësira të ndryshme dhe kemi bërë një punë shumë të mirë në sensibilizimin e qytetarëve duke avokuar për mbrojtjen e mjedisit.

 

Vlladimiri: Të gjithë kemi interesa të ndryshme në jetë dhe nuk mund të pëlqejmë apo zgjedhim të njëjtat gjëra. Personalisht kam filluar të merrem me punë vullnetare në moshën 17 vjeçare. Kam zgjedhur të bëj punë vullnetare për të ndihmuar kafshët e braktisura dhe sot e kësaj dite marr pjesë, për aq sa më lejojnë angazhimet dhe obligimet e mia, në aq aksione që organizon Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve “Paw”. Megjithatë, do të thoja se vullnetari është gjithmonë aktiv. Në fund të fundit, kështu i mora të tre kafshët e mia në shtëpi.

4You: Çfarë të motivon të bëhesh vullnetar?

Arta: Vullnetarizmi më bën të ndihem mirë :). Nëse secili prej nesh ndihet mirë në ambient të jashtëm dhe në natyrën e gjelbër, pse të mos jetë mbrojtës i atyre hapësirave në të cilat kalojmë kohë cilësore.

 

Vlladimiri: Siç e thashë tashmë, u bëra vullnetar mjaft papritur, por me kalimin e kohës fillova të kuptoja se me punën time vullnetare nuk po ndihmoja vetëm kafshët e braktisura, por edhe mirëqenien time personale dhe jetën time në përgjithësi.

 

4You: Sa dekurajuese është kur njerëzit nuk e vlerësojnë punën tuaj vullnetare?

Arta: Dëgjoj shpesh komentin: Mos u mundo sepse nuk çelë pranvera me një lule!!! Unë jam krejt e kundërta e kësaj deklarate, sepse besoj se PO, pranvera çelë me një lule, falë bletëve të palodhura që bëjnë gjithë atë punë dhe çdo anëtar të “Ambjentalistëve të Mitrovicës” e konsideroj si një bletë të palodhur. Çdo qytetar duhet të jetë polic, për të mirën dhe mbrojtjen e mjedisit ku jetojmë! Me këtë rast u bëj thirrje institucioneve që të fillojnë me gjoba serioze për personat që ndotin mjedisin.

 

Vlladimiri: Do të thoja se me kalimin e kohës mësoheni me komente të tilla dhe mësoni thjesht t’i shpërfillni ato. Në fakt, besoj se problemi më i madh në lidhje me vullnetarizmin sot është se nuk ka angazhim të mjaftueshëm në promovimin e tij. Duhet të përpiqemi të ndryshojmë këtë situatë, pasi aktualisht të rinjtë nuk kanë mundësi të kuptojnë se çfarë do të thotë të bësh punë vullnetare dhe si mund të kontribuojnë në këtë drejtim.

 

4You: Si e motivoni veten që të vazhdoni të angazhoheni në punë vullnetare?

Arta: Ne jemi krijesa të zakonit: zgjohemi, shkojmë në punë dhe biem në gjumë. Përpiqemi t’i përmbushim pritshmëritë e të tjerëve duke lënë mënjanë pasionet tona. Prandaj kam krijuar disa zakone të përditshme, të cilat më mbajnë të motivuar dhe këtë e konsideroj si prioritet. Për t’i arritur qëllimet, ne duhet të dalim nga zona jonë e rehatisë dhe të mos kemi frikë të jemi të ndryshëm nga të tjerët.

 

Vlladimiri: Çfarë motivimi më të mirë mund të ketë sesa ndjenja kur e di se puna dhe mundi yt ndihmojnë një qenie tjetër të gjallë. Vullnetarizmi ndihmon në zhvillimin e personalitetit, posaçërisht tek adoleshentët, pasi i ndihmon ata të piqen më shpejt. Ishte pikërisht puna vullnetare që më bëri më të vendosur dhe që në njëfarë mënyre më fisnikëroi. Kjo ka rëndësi pasi në këtë epokë të digjitalizimit, duket sikur të rinjtë po fokusohen gjithnjë e më shumë tek teknologjia dhe për rrjedhojë, duket se e kanë fikur ndjeshmërisë për vuajtjet e të tjerëve.

4You: Çka të shqetëson më së shumti?

Arta: Hedhja e mbeturinave gjithandej!!

 

Vlladimiri: Mizoria ndaj kafshëve që fatkeqësisht në disa raste shkon deri në vrasjen e tyre.

 

4You: Çka të pëlqen më së shumti?

Arta: Gjelbërimi, natyra dhe lumenjtë e pastër.

 

Vlladimiri: Është e qartë – Kafshët.

 

4You: Çka mund dhe duhet të bëjmë për ta shtuar angazhimin e të rinjve në punën vullnetare?

Arta: Programet adekuate për angazhimin e të rinjve janë më se të nevojshme. Angazhimi i tyre në punë vullnetare duhet të jetë i detyrueshëm të paktën njëherë në vit. Gjithashtu, për rastet e delikuentëve, mendoj se puna e detyrueshme komunitare në vendlindjet e tyre do të ishte jashtëzakonisht e dobishme.

 

Vlladimiri: Duhet të fillojmë të promovojmë dhe ndërgjegjësojmë brezat e rinj për rëndësinë e punës vullnetare. Gjithashtu duhet t’i njoftojmë ata se ka shumë mënyra dhe shumë fusha ku mund të kontribuojnë.

 

4You: Cili është mesazhi juaj për të rinjtë?

Arta: Bota ndryshon me vepra të mira dhe të vogla. Duhet vepruar e jo vetëm shpresuar! Nuk është e nevojshme të jesh superhero për të bërë vepra të mira.

 

Vlladimiri: U rekomandoj të gjithëve të bëhen vullnetarë. Ka shumë fusha ku ka nevojë për vullnetarë duke filluar nga mbrojtja e kafshëve të braktisura, ndihma për fëmijët me aftësi të kufizuara, puna me të moshuarit.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE