VIDEO INTERVISTAT PËR APLIKIM NË UNVIERSITETET AMERIKANE

Jemi dëshmitarë se numri i maturantëve në Kosovë që janë duke synuar që të regjistrohen në universitete jashtë vendit dhe sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është në rritje. Të gjithë ata që tashmë e kanë përfunduar apo që sapo e kanë filluar aplikimin për t’u pranuar në ndonjërin prej universiteteve në SHBA tashmë e dinë se ky proces nuk është aspak i lehtë dhe mjaft i kushtueshëm. Prandaj, çdo ndihmë në këtë drejtim është e mirëseardhur.

 

Një mënyrë që po tregohet mjaft e suksesshme në përmirësimin e gjasave për përfundimin me sukses të aplikimit janë video intervistat. Gjëja e parë që duhet qartësuar në lidhje me këtë shërbim është se video intervistat janë një shërbim shtesë me pagesë dhe ato nuk janë një kriter i domosdoshëm i kërkuar nga universitetet në fjalë. Mirëpo, shumica e tyre i pranojnë këto intervista sepse ato janë një mjet i mirë për të krijuar një ide më të mirë rreth kandidatit dhe për të marrë një vendim sa më të drejtë. Po ashtu, duhet theksuar se disa universitete në fakt do të zhvillojnë me ju një video intervistë të cilën do ta udhëheq një zyrtar i universitetit nga zyra e pranimeve ose ndonjë ish student i atij universiteti.

 

Nëse vendosni që këtë lloj të shërbimit ta shtoni në dosjen tuaj të aplikimit në vijim mund t’i lexoni disa këshilla bazë se si të dilni sa më mirë në këtë intervistë.

 

  1. Mos pritni deri në minutën e fundit për të caktuar një intervistë. Varësisht nga kërkesat, aplikuesve mund t’i duhet të presin një deri në dy javë për zhvillimin e intervistës. Prandaj, është e këshillueshme që intervista të caktohet më herët përndryshe, mund të mbeteni pa e zhvilluar atë për shkak të kohës.

 

  1. Përgatituni! Gjatë një interviste aplikuesit do të kenë mundësi që të flasin për interesat e tyre akademike dhe jashtë kurrikulare, se pse dëshirojnë që të studiojnë në SHBA dhe për qëllimet e tyre. Prandaj, përpara se ta filloni intervistën mendoni për tri gjëra për veten tuaj, të cilat keni dëshirë t’i theksoni gjatë intervistës.

 

  1. Kërkoni ndihmë për t’u përgatitur. Një burim i mirë për të kërkuar ndihmë janë miqtë që flasin anglisht. Ju mund t’ua jepni atyre një sërë temash për të cilat dëshironi të bisedoni. Më pas, në bazë të këtyre temave mund të zhvilloni intervista provë të cilat edhe mund t’i incizoni me telefon për të parë se si keni dalë dhe çka mund të përmirësoni.

 

  1. Një tjetër këshillë e rëndësishme për aplikuesit është që të mos tentojnë t’i japin përgjigjet të cilat ata mendojnë se shqyrtuesit e aplikimeve të tyre duan t’i dëgjojnë. Në këtë drejtim këshilla më e mirë është: tregohuni vetvetja, tregohuni autentik dhe të ndjeshëm. Tregoni për veten tuaj sepse njerëzit duan të dëgjojnë perspektivën tuaj.

 

  1. Siç e cekëm në fillim shërbimi me video intervista nuk është ende një kriter i domosdoshëm andaj ju duhet të pyesni nëse universitetet në të cilat ju do të aplikoni i pranojnë ato. Ndodh që, edhe pse shkollat në ueb faqet e tyre nuk i përmendin shërbimet e tilla dhe nuk i cekin ato si partnerë prapë se prapë t’i pranojnë video intervistat. Prandaj, aplikuesit duhet të pyesin në zyrat e pranimit nëse dëshirojnë që të pranojnë një video intervistë nga ata dhe përvoja e tregon se shumica thonë po.

 

Më gjerësisht në lidhje me këtë temë, ju mund të lexoni këtu.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE