VILLA LAS ESTRELLAS, FSHATI I NGRIRË TË CILIN PARA SE TA VIZITONI DUHET TË HIQNI ZORRËN QORRE

 

Villa Las Estrellas është emri i fshatit dhe stacionit kërkimor kilian në bazën Presidente Eduardo Frei Montlava në ishullin King George, në arkipelagun e ishujve jugor të Shetlandit afër Antarktikut.

 

Ky është vendbanimi më i madh nga dy të tilla që ekzistojnë në këtë pjesë përndryshe të pabanuar të botës; vendbanimi tjetër është stacioni argjentinas Esperanza. Në vendbanimin kilian gjatë verës jetojnë rreth 150 banorë, kurse gjatë dimrit rreth 80, duke i përfshirë këtu edhe fëmijët.

 

Shumica e shteteve që kanë stacione kërkimore në Antarktik nuk e mbështesin dërgimin e kujtdo tjetër përpos shkencëtarëve dhe ekipeve mbështetëse në kontinentin më të ftohtë dhe më të rrahur nga erërat në botë. Mirëpo dy shtete amerikano-jugore – Argjentina dhe Kili – e thyen këtë rregull.

 

Rivaliteti historik në mes të Argjentinës dhe Kilit arsyeja për themelimin e këtij vendbanimi

Ishte fillimisht Argjentina që në vitin 1953 e krijoi bazën Esperanza në cepin verior të Gadishullit të Antarktikut. Kili veproi njëjtë vetëm në vitin 1984. Besohet se rivaliteti historik në mes të Kilit dhe Argjentinës ndikoi në shtrirjen e ambicieve të këtyre shteteve në Antarktik.

 

Me qëllim të krijimit të legjitimitetit për pretendimet e saj territoriale ndaj këtij rajoni, në fund të viteve 1970, diktatura ushtarake e Argjentinës e dërgoi në Esperanza një grua në muajin e shtatë të shtatzënisë e cila në vitin 1978 e lindi një djalë – Emilio Marcos Palma.

 

Zyrtarët ushtarak të Kilit, në qeverinë e Gjeneralit Pinoçet, në vitin 1984 e kremtuan lindjen e Juan Pablo Camacho në Villa Las Estrellas. Madje, fëmijës së porsalindur ia vunë nofkën pinguini dhe ata krekoseshin me faktin që ky ishte fëmija i parë i ngjizur dhe i lindur në Antarktik.

 

Për ta vizituar duhet të pranoni të operoni zorrën qorre

Pavarësisht historisë dhe arsyeve për krijimin e këtij fshati kilian, sot shumë kilianë pranojnë që të shkojnë të jetojnë në këtë vendbanim me kushte ekstreme, kryesisht për shkak të disa përparësive në krahasim me të jetuarit në shtetin amë (Kili) në Amerikën Jugore. Mirëpo, mbetet fakti që ky fshat është 1000 kilometra larg spitalit të mirëfilltë më të afërt. Në Las Estrellas gjendet një spital i forcave ajrore të Kilit, ku shërbejnë vetëm disa mjek dhe motra mjekësore, mirëpo asnjëri prej tyre nuk është kirurg.

 

Me fjalë të tjera, operimet urgjente nuk mund të kryhen atje dhe shërbimet mjekësore janë të kufizuara. Prandaj, që nga viti 2018 të gjithë ata që duan të shkojnë në Villa Las Estrellas, duke i përfshirë edhe fëmijët, së pari duhet që të heqin zorrën qorre. Për të njëjtat arsye, femrave nuk iu rekomandohet që të mbesin me barrë gjatë kohës që jetojnë në bazë. Ky rregull vlen edhe për shkencëtarët dhe personelin ushtarak të cilët janë banorët kryesor të kësaj baze, por edhe familjet e tyre.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE