WILLIAM HILL WORLD DARTS CHAMPIONSHIP

 

Ato gjenden në shumë bare dhe lokale, në sallat e lojërave, e madje edhe nëpër shtëpi private. Nuk kërkojnë shumë hapësirë as fizik muskulor. Mirëpo, për të qenë të mirë në to duhen duar jashtëzakonisht të qeta dhe koordinim edhe më i jashtëzakonshëm në mes të syve dhe duarve. E kemi fjalën këtu për një sport tejet të veçantë që tek ne njihet si pikado (ose loja me shigjeta të vogla).

Nëse mendoni se ky nuk është ndonjë sport kushedi se çka, atëherë mund t’ju themi se gaboheni, sepse aktualisht kjo lojë i ka mbi 50 milionë lojtarë dhe popullariteti i saj është duke u rritur jashtëzakonisht shpejt. Sipas statistikave, loja e pikados është më e famshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA. Madje mbi 17 milionë lojtarë të këtij sporti vijnë pikërisht nga SHBA-të. Pasi të lexohen statistikat e sipërpërmendura, nuk është për t’u habitur se edhe në këtë sport, që dikur ishte formë argëtimi nëpër bare dhe lokale, tashmë organizohen kampionate botërore, të cilat e zgjojnë interesimin e një publiku tejet të veçantë në mbarë botën.

 

Pak histori

Zhvillimi i këtij sporti nuk ishte edhe aq i thjeshtë. Nga viti 1978 deri në vitin 1993 ngjarja kryesore në këtë sport ishte World Professional Darts Championship (Kampionati Botëror Profesionist në Pikado). Mirëpo, më pas lojtarët u ndanë në dy organizata dhe që atëherë në këtë sport nuk ekziston një kampionat i vetëm, por dy sosh.

 

Ndarja e lojës

Në vitin 1974 përfaqësuesit e katërmbëdhjetë anëtarëve themelues e krijuan World Darts Federation – WDF (Federatën Botërore të Pikados). Krahas kësaj federate, një tjetër organ qeverisës i kësaj loje ishte edhe British Darts Organisation – BDO (Organizata Britanike e Pikados). Mirëpo, në vitin 1993, lojtarët profesionistë dhe BDO patën një mospajtim të madh për shkak të pakënaqësisë së lojtarëve ndaj refuzimit të BDO-së për të drejtat e transmetimeve televizive të këtij sporti në vitin 1989 dhe në fillim të vitit 1990. Si pasojë e kësaj, 16 lojtarët më të mirë, ku bënin pjesë edhe të gjithë kampionët botëror të mëparshëm, të cilit ishin ende aktiv, vendosën që të shkëputeshin nga BDO dhe të formonin organizatën e tyre World Darts Council – WDC (Këshilli Botëror i Pikados).

Kjo çoi në një betejë ligjore e cila përfundoi në vitin 1997 me një vendim gjyqësor sipas të cili BDO e pranoi WDC-në dhe të drejtën e lojtarëve për të zgjedhur organizatën për të cilën do të luanin. Kurse, WDC e njohu WDFnë si autoritetin qeverisës botëror për pikado si dhe BDO-në si autoritetin qeverisës për pikado në Mbretërinë e Bashkuar. Njëherit, WDC e ndërroi emrin në Professional Darts Corporation – PDC (Korporata Profesionale e Pikados). Në shtator të vitit 2020, BDO kaloi në bankrotim dhe WDF i mori nën kontroll aktivitetet e zhvilluara nga BDO.

 

Kampionati botëror i PDC (PDC World Darts Championship)

Kampionati i parë botëror i PDC u mbajt në vitin 1994, nën titullin “WDC World Darts Championship” (Kampionati Botëror në Pikado i WDC). Që atëherë ky kampionat organizohet çdo vit në dy pjesë. Pjesa e parë zhvillohet gjatë muajit dhjetor dhe pjesa e dytë në muajin janar, në Alexandra Palace në Londër. Përndryshe, ky kampionat për qëllime të sponsorimit tani njihet si William Hill World Darts Championship (Kampionati Botëror në Pikado William Hill). Ky kampionat, është turneu më prestigjioz i organizuar nga PDC, dhe fituesit i jepet trofeu “Sid Waddell”, i cili është emëruar sipas komentuesit të sportit të pikados Sid Waddell, i cili vdiq në vitin 2012. Të gjithë ata që kanë abonim në Sky Sports, mund ta përcjellin këtë kampionat në kanalin televiziv Sky Sports Darts. Një opsion tjetër është duke bërë abonim në PDC TV, përmes ueb faqes së PDC.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE