“YABUSAME”, JAPONI

 

“Yabusame” është një lloj i harkëtarisë tradicionale japoneze, në të cilën harkëtari gjuan me harkun e tij në ndërkohë që është duke kalëruar me kalë në shpejtësi të plotë. Secili harkëtar i gjuan tri shënjestra të drurit me tri shigjeta të posaçme me majë të topitur.

 

Zanafilla e këtij lloj të harkëtarisë vjen nga fillimet e para të periudhës së Kamakurës (nga viti 1185 deri në vitin1333) e cila është një periudhë e historisë së Japonisë që e shënon sundimin nga shogunati Kamakura, i cili u themelua nga shoguni i parë Minamoto no Yoritomo. Kjo periudhë njihet edhe si lindja e samurajëve, kastës së luftëtarëve të njohur japonez, dhe për vendosjen e feudalizmit në Japoni. Përndryshe Kamakura, ishte kryeqyteti i vjetër i Japonisë.

 

Yoritomo, e nxiti këtë lloj të harkëtarisë pasi që ishte i pakënaqur me mungesën e aftësive luftarake me harkun në mesin e samurajëve të tij. Yabusame u dizajnua si një mënyrë për të kënaqur morinë e perëndive që e ruanin Japoninë, dhe si i tillë i nxiste bekimet për përparimin e vendit, popullit dhe të korrave.

 

Sot “Yabusame”, për shkak të stilit ceremonial dhe aspekteve fetare karakterizohet si një ritual dhe jo si sport. Prandaj, demonstrimet e tij zakonisht zhvillohen gjatë ceremonive speciale dhe aktiviteteve të posaçme siç është argëtimi i diplomatëve të huaj dhe kryetarëve të shteteve. Demonstrime të Yabusame janë shfaqur për vizitat zyrtare të Presidentëve të SHBA-ve Ronald Regan, Xhorxh Bush dhe Barak Obama. Një demonstrim i tillë është përgatitur edhe në Mbretërinë e Bashkuar për Princin Çarls.

 

Përzgjedhja për të qenë harkëtar i Yabusame është një nder i madh. Në të kaluarën vetëm luftëtarët më të mirë përzgjidheshin për këtë rol. Ndërsa harkëtarit më të suksesshëm i jepej një pëlhurë e bardhë si shenjë e bekimit hyjnor.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE