YELLOWSTONE DHE LINDJA E PARQEVE KOMBËTARE

Krijimi i parqeve kombëtare si praktikë për mbrojtjen apo konservimin e natyrës e ka origjinën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje, lindja e kësaj praktike shpesh lidhet me krijimin e Parkut Kombëtar të Yellowstone (Jelloustone) në vitin 1872. Krijimi i këtij parku e shënon lindjen e kësaj qasjeje të re kundrejt menaxhimit të tokës duke e theksuar mbrojtjen e peizazheve natyrore për kënaqësinë e publikut si dhe për studime shkencore.

 

Parku Kombëtar Yellowstone (Jelloustone)

Yellowstone shtrihet kryesisht në shtetin e Wyoming (Uajoming), SHBA, dhe është parku i parë kombëtar në botë. Ai u themelua nga Kongresi i SHBA-ve dhe u shndërrua në ligj pasi u nënshkrua nga Kryetari i 18-të SHBA-ve Ulysses S. Grant (Julises S. Grant). Ky park u krijua për të mbrojtur mrekullitë gjeotermale, dhe bukuritë natyrore të këtij rajoni.

Burimi i Madh Prizmatik në Parkun Kombëtar Yellowstone

Ideja për Mbrojtje

Ideja për ruajtjen e zonave të caktuara për hir të bukurisë së tyre natyrore dhe rëndësisë ekologjike u ndikua nga veprat e konservuesëve dhe mendimtarëve të hershëm si George Catlin (Xhorxh Katlin) dhe Henry David Thoreau (Henri Dejvid Toro). Shkrimet dhe mbështetja e tyre ndihmuan në formësimin e perceptimit të publikut mbi vlerat e natyrës së egër.

 

John Muir (Xhon Mjur) dhe Yosemite (Josemiti)

John Muir, natyralisti amerikan me prejardhje skoceze, dhe një prej përkrahësve të hershëm të mbrojtjes së natyrës së egër, e luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e Parkut Kombëtar Yosemite në vitin 1890. Përpjekjet e tij, bashkë me përpjekjet e shumë të tjerëve, kontribuuan në idenë për veçimin e zonave natyrore për gjeneratat e ardhshme.

Pamja ikonë e Parkut Kombëtar Yosemite në Kaliforni

Ligji i Antikiteteve 1906

Ligji i Antikiteteve i vitit 1906, ose “The Antiquities Act” siç njihet në legjislacionin amerikan, i cili u kthye në ligj pasi u nënshkrua nga Kryetari i 26-të i SHBA-ve Theodore Roosevelt (Thiodor Ruzvelt), i dha Kryetarit të SHBA-ve autoritetin për të krijuar monumente kombëtare. Ky ligj e mundësoi mbrojtjen e tipareve domethënëse kulturore, natyrore ose shkencore.

 

Shërbimi i Parqeve Kombëtare (1916)

Shërbimi i Parqeve Kombëtare i SHBA-ve (The U.S. National Park Service – NPS) u themelua në vitin 1916 për të mbikëqyrur dhe menaxhuar numrin në rritje të parqeve dhe monumenteve kombëtare. NPS u bë përgjegjës për mbrojtjen e integritetit ekologjik dhe historik të këtyre zonave, si dhe për t’i bërë ato të qasshme për publikun.

Lumi i Kanionit Yellowstone

Lumi i Kanionit Yellowstone

Zgjerimi i Këtij Koncepti në Shkallë Globale

Suksesi i konceptit të parqeve kombëtare në Shtetet e Bashkuara shumë shpejt i frymëzoi edhe shumë shtete të tjera që të themelonin zonat e tyre të mbrojtura. Rrjedhimisht, kjo çoi në përhapjen globale të idesë së parqeve dhe rezervateve kombëtare me qëllim të mbrojtjes së biodiversitetit dhe trashëgimisë kulturore.

 

Krijimi i parqeve kombëtare e shënon ndryshimin e bindjeve në mbrojtjen e mjedisit, duke e theksuar rëndësinë e mbrojtjes së zonave natyrore për vlerën e tyre thelbësore si dhe për kënaqësinë dhe arsimimin e gjeneratave të tashme dhe të ardhme. Falë kësaj praktike, parqet e ndryshme kombëtare sot tërheqin me miliona vizitorë çdo vit, gjë që i ka kthyer ato në një burim të rëndësishëm të të ardhurave nga turizmi.