
Kupa e Botës për Klube FIFA 2025, edicioni i parë me formatin e zgjeruar në 32 skuadra, përfundoi me triumfin dominues të Chelsea-t kundër PSG-së, por individualisht u shënua nga emra që e ndriçuan skenën globale të futbollit dhe që shpresojmë do të vazhdojnë të na dhurojnë emocione edhe për shumë vite të tjera.
🏅 Lojtari më i mirë i turneut u shpall mesfushori i Chelsea-t, Cole Palmer. Me dy gola dhe një asistim në finalen madhështore dhe paraqitje të shkëlqyera gjatë gjithë kampionatit, Palmer u konfirmua si zemra kreative e kampionëve. Ai e udhëhoqi ekipin e tij në rrugën drejt trofeut me ndikim të drejtpërdrejtë në momentet kyçe.

👟 Golashënuesi më i mirë i turneut ishte Gonzalo García i Real Madridit, i cili i realizoi 4 gola dhe 1 asistim. Edhe pse ishin disa lojtarë që arritën të shënonin të njëjtin numër të golave, ishte pikërisht asistimi shtesë që ia dha García-s epërsinë në renditjen finale të FIFA-s për këtë çmim.

⭐️ Lojtari i ri më i mirë u shpall Desire Doué, talenti i ri francez që spikati me shpërthimet e tij individuale dhe qasjen pa frikë ndaj kundërshtarëve më me përvojë. Ai ishte një nga zbulimet më emocionuese të këtij turneu.

🧤 Portieri më i mirë u shpall Robert Sánchez i Chelsea-t. Megjithëse pësoi pesë gola gjatë gjithë kompeticionit, paraqitja e tij në finalen kundër PSG-së ishte spektakolare. Ishin pritjet e tij vendimtare që e mbajtën të paprekur portën dhe e siguruan fitoren e pastër për klubin londinez.

Ky turne do të mbahet mend jo vetëm për formatin e ri dhe intensitetin e lartë të ndeshjeve, por edhe për mënyrën se si këta lojtarë lanë gjurmë në historinë e futbollit botëror.