ZENITH: MUZIKA SJELL LUMTURI DHE NDRYSHON JETË

Erjona, Marko, Emini, Engjelli, Mihajlo dhe Emiri e përbëjnë grupin “Zenith”. Pak kohë më parë është publikuar video spoti për këngën e tyre më të re “Goodbye”, kurse në fund të muajit nëntor 2020, ata e festuan përvjetorin e krijimit të grupit muzikor. Të gjithë kanë mënyra të ndryshme të luajtjes në instrumente, por është e qartë se nuk mungon harmonia. Së bashku ata gjejnë dhe shkëmbejnë ide. Përveç ideve, ata janë të lidhur edhe me muzikë dhe kjo është vetëm një shenjë tjetër e komunikimit të mirë. Ne biseduam me dy anëtarët e grupit Zenith, kitaristin Marko Čemerikić dhe vokalin Erjona Sylejmani.

 

Ata kanë hyrë në botën e muzikës pothuajse në të njëjtën periudhë, si nëntëvjeçar. Erjona e zbuloi talentin e saj për muzikë me, siç thotë ajo, ndihmën e mësuesit të kulturës së muzikës, dhe tri vite më vonë filloi të merrej më seriozisht me të.

 

Kolegu i saj, nga grupi, filloi të luante në violinë si një djalë nëntë vjeçar. Pas violinës, ai e provoi pianon, ku më pas u përcaktua për kitarën të cilën e luan tash e dy vite.

 

“Më duhet të them se është një ndjenjë e mrekullueshme dhe jam vërtet i kënaqur që luaj në kitarë dhe merrem me muzikë në këtë periudhë të jetës sime”, shprehet nëntëmbëdhjetëvjeçari Marko.

 

Raporti që e kanë këta dy të rinj me muzikën është i ngjashëm. “Lumturi. Muzika më ka sjellë shumë lumturi dhe më ka ndryshuar tërë jetën. Muzika më ndihmon jo vetëm duke kënduar, por edhe duke e dëgjuar”, përgjigjet pesëmbëdhjetëvjeçarja Erjona në pyetjen se cili është mendimi i saj parë që i shkon në mendje kur shqiptohet fjala ‘muzikë’?

 

Nga ana tjetër, Marko thotë: “Muzika është për mua forma më e çiltër e artit, natyrisht mund të ketë disa vepra muzikore vërtetë të çuditshme dhe jo aq të mira, por prapëseprapë shumë prej tyre janë muzikë e pastër dhe e pa censuruar. Muzika është një pjesë e madhe e jetës time, më pëlqen ta dëgjoj, më pëlqen të dëgjoj se si njerëzit prezantohen përmes saj dhe si e shohin botën përreth vetes. Kjo është për mua muzika, mund të ngrini zërin për gjithçka që ju bën të lumtur ose ju shqetëson, ose çfarëdo tjetër”.

 

Vullneti, koha dhe puna e devotshme e formojnë një muzikant të mirë, besojnë Marko dhe Erjona. “Kam mësuar se për të bërë ndonjë gjë të mirë – duhet të jesh i përkushtuar, i durueshëm dhe i gatshëm ta bësh edhe më mirë”, thotë Marko. “Të këndosh saktë, të njohësh ngjyrën e vërtetë të zërit tënd, të dish se çfarë mund të këndosh dhe çfarë jo, është shumë e rëndësishme për mua. Dhe sigurisht që punoni shumë dhe e doni atë që bëni”, shton Erjona.

 

Këta muzikantë të rinj janë të përkushtuar dhe e duan atë që bëjnë, ashtu si edhe kolegët e tyre.

 

Si do t’i përshkruanin kolegët dhe grupin e tyre?

“Në mënyrë të pabesueshme. Ne argëtohemi shumë mirë dhe punojmë mirë. Ne jemi të bashkuar përderisa i gjejmë shpejt idetë dhe punojmë në ato shumë dhe më pas ato rezultojnë të mira”, tregon Erjona. Kolegu i saj shton: “Është kënaqësi të luash dhe të bësh muzikë me ata. Të gjithë kemi baza të ndryshme muzikore dhe mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të bërë muzikë të mirë. Zenith është një grup vërtet i mirë për mua – një grup i ri, nuk ka asgjë për të humbur, thjesht për të fituar. Të gjithë kemi mënyra të ndryshme të të luajturit apo të shprehurit, dhe kjo është një shenjë e komunikimit të mirë dhe grupit në përgjithësi”. Shenjë e komunikimit të mirë është besimi i ndërsjellë.

 

Çfarë është besimi për këta dy muzikantë?

“Jam i lumtur që kam njerëz të cilëve mund t’iu besoj, por gjithashtu kam pasur edhe ata që e keqpërdorën atë besim, kështu që … Është thikë me dy tehe”, thotë Marko. “Besimi është një gjë e rëndësishme për mua, por është e vështirë për mua ta fitoj atë. Është mirë të kesh njerëz besnikë rreth teje, me të cilët mund t’i ndash lirshëm idetë dhe ëndrrat e tua”, tregon Erjona.

 

Këta të rinj kanë dalë nga zona e rehatisë duke i tejkaluar ndryshimet, kryesisht ato individuale në temperament dhe personalitet – me hapa muzikorë.

 

Bendi Zenith është pjesë e Shkollës së Rokut në Mitrovicë (Mitrovica Rock School), e cila ekziston tanimë afro 10 vite. Rreth 1.100 të rinj kanë kaluar në këtë shkollë, janë formuar 44 grupe etnike të përziera, 19 prej të cilave shkruajnë ose i kanë shkruar këngët e tyre.

 

Qëndrueshmëria, padyshim që iu është bartur studentëve të tyre. Gjë që pasqyrohet në mesazhet e bashkëbiseduesve tonë. “Punoni në ëndrrat tuaja, mos hiqni dorë nga ato. Mos lejoni askënd apo asgjë t’ju pengojë. Mundohuni të mbani atë që dëshironi të bëni”, thotë Erjona në porosinë e saj për të rinjtë.

 

Ngjashëm shprehet edhe Marko: “Mos hiqni dorë. Përpiquni të jeni më të mirë dhe të jetoni jetën tuaj sa më mirë që të mundeni”.

 

Burimi: Kosovo Trust Building Platform ; Fotot: Mitrovica Rock School

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE