
Prishtina përballet çdo vit me një problem në rritje: zjarret malore. Nga fushat e hapura deri te kodrat e pyllëzuara rreth kryeqytetit, zjarret po shpërthejnë më shpesh dhe po shkaktojnë dëme më të mëdha. Sipas Lulzim Fushticës, Drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Kryeqytetit, këto zjarre rrallë janë aksidentale dhe në shumicën e rasteve mund të parandalohen.
“Shumica prej tyre shkaktohen nga njerëzit,” shpjegon Fushtica. “Kjo nuk është diçka e re, por e kemi parë një rritje të vazhdueshme ndër vite.” Trendi është i qartë. Vetëm gjatë shkurtit dhe marsit të këtij viti, rreth pesëdhjetë zjarre janë raportuar në rajon. Ndërsa disa mund të supozojnë se këto shkaktohen nga faktorë natyrorë (moti i thatë apo rrufetë), e vërteta është më shqetësuese. Shumë zjarre fillojnë për shkak të praktikave të vjetruara bujqësore, sidomos djegia e fushave para mbjelljes apo pas korrjes. Edhe pse disa ende besojnë se kjo e ndihmon tokën, Fushtica thotë se ajo e dëmton më shumë sesa e ndihmon, dhe kjo praktikë tani është e paligjshme. Për më tepër, në disa raste kanë ndodhur tragjedi. Në një rast, një burrë e humbi jetën, pasi mbeti i bllokuar nga tymi i një zjarri në fushë që e kishte ndezur vetë.
Nuk janë vetëm bujqit. Disa zjarre ndizen qëllimisht për të pastruar zonat pyjore, me shpresën se më vonë ato do të kthehen në prona private apo vendpunishte ndërtimi. Të tjerë fillojnë nga akte të vogla pakujdesie, si hedhja e një bishti të cigares apo lënia e zjarrit të piknikut pa mbikëqyrje. Kur natyra është e thatë dhe era është e fortë, edhe shkëndija më e vogël mund të çojë në katastrofë. Ndryshimet klimatike po e përkeqësojnë situatën. Dimrat tani sjellin më pak dëborë dhe shi, duke e lënë tokën të thatë dhe të gatshme për t’u djegur. “Klima po ndryshon,” thotë Fushtica. “Ka më shumë nxehtësi dhe thatësi. Zjarret mund të fillojnë më lehtë dhe përhapen më shpejt.”

Një qytet i shpërndarë
Lufta kundër zjarreve malore është veçanërisht e vështirë në një rajon si Prishtina. Komuna i përfshin dyzet e tri fshatra, shumë prej tyre në zona malore ose të largëta me qasje të kufizuar në rrugë. Arritja në këto vende kërkon kohë, e cila është thelbësore kur përpiqesh të izolosh një zjarr. Për më tepër, për vite me radhë, Prishtina i kishte vetëm shtatëdhjetë e pesë zjarrfikës, shumë pak për të mbrojtur si zonën urbane ashtu edhe atë rurale. Së fundmi, janë punësuar njëzet e tetë zjarrfikës të rinj, duke e çuar numrin në 103. Është një përmirësim, por ende i pamjaftueshëm. “Ne shërbejmë edhe në zona të tjera si Obiliq, Fushë Kosovë dhe Graçanicë,” shton Fushtica, pasi që këto komuna nuk kanë departamente të veta të zjarrfikësve. Për të ndihmuar në menaxhimin e ngarkesës, është hapur një stacion i vogël në Llapnasellë, por volumi i punës për zjarrfikësit e Prishtinës mbetet i lartë. Pikërisht për këtë arsye është themeluar Shoqata e Zjarrfikësve Vullnetarë, dhe trajnimi për zjarrfikësit vullnetarë tashmë është në proces. Për më tepër, përparimet teknologjike, si kamerat CCTV, janë instaluar në të gjithë qytetin dhe përdoren për të ndihmuar në parandalimin e zjarreve urbane dhe rurale.
Zjarret urbane: një kërcënim i fshehtë
Ndërsa zjarret malore shpesh marrin më shumë vëmendje, zjarret brenda qytetit mund të jenë po aq të rrezikshme. Shumë prej tyre shkaktohen nga instalime elektrike të dobëta në ndërtesa, si rezultat i materialeve me cilësi të ulët ose punës të parregullt. Ajo që e befason më shumë Fushticën është se disa investitorë janë të gatshëm të shpenzojnë qindra mijëra, madje miliona euro për ndërtim, por neglizhojnë masa themelore të sigurisë nga zjarri, si alarmet, spërkatësit dhe daljet emergjente.
Ndalja e zjarreve para se të fillojnë
Për Fushticën dhe ekipin e tij, parandalimi është po aq i rëndësishëm sa shuarja e flakëve. Vitin e kaluar, komuna bashkëpunoi me Policinë e Kosovës dhe shërbimin e zjarrfikësve për të krijuar broshura dhe organizuan takime të komunitetit mbi sigurinë nga zjarri. Ata vizituan shkolla dhe madje bashkëpunuan edhe me udhëheqës fetarë, si imamët, për të shpërndarë mesazhe tek qytetarët gjatë lutjeve javore. Këto përpjekje do të vazhdojnë edhe këtë vit, me plane të reja për përfshirjen e KFOR-it dhe mediave të tyre.

Përveç edukimit, inspektimet e rregullta janë një pjesë kyçe e parandalimit. Komuna i kontrollon të gjitha ndërtesat publike nën kujdesin e saj, duke i përfshirë shkollat, qendrat shëndetësore dhe zyrat e shërbimeve sociale. Vendet private, si klubet e natës, monitorohen nga Agjencia e Emergjencave. Në fund, mesazhi i Fushticës është i thjeshtë: “Çdokush e ka një rol për të luajtur. Pavarësisht nëse jetoni në qytet apo në fshat, nëse jeni bujk, ndërtues apo thjesht dikush që po e shijon një ditë jashtë, të qenit i përgjegjshëm mund të shpëtojë jetë.”
KUTIA ME TEKST
Nëse përballeni me zjarr diku, mos ngurroni ta raportoni në 📞 0800 122 33 ose 📞 0800 122 44, ose në numrat e tjerë emergjentë, qoftë te policia apo shërbimi zjarrfikës. Duke raportuar dhe bashkëpunuar në luftën kundër këtij fenomeni, mund të ndihmoni në parandalimin e katastrofave të mëdha.