90 VJET TË PËRBINDËSHIT TË LIQENIT LOK NES NË SKOCI

 

Përbindëshi i Liqenit Lok Nes (Loch Ness), ose “Nesi” (Nessie) siç njihet ndryshe, është një krijesë legjendare e cila thuhet se jeton në Lok Nes, një liqe i madh me ujë të ëmbël në Skoci. Përshkrimet e kësaj krijese ndryshojnë, por zakonisht ajo përshkruhet si një bishë e madhe ujore me qafë të gjatë dhe gunga që dalin në sipërfaqen e ujit.

 

Kjo histori ndërlidhet me atë të një legjende që daton që nga kohërat antike. Teksa, dëshmitë e para të shkruara për të gjenden në biografinë e Shën Kolumbit e cila është shkruar në shekullin e 7-të. Aty tregohet se si ky shenjtor pasi e takon këtë krijesë e urdhëron atë që të tërhiqet. Përgjatë shekujve janë regjistruar dëshmi sporadike të atyre që kanë pohuar ta kenë parë këtë përbindësh të cilat e mbajtën gjallë mitin e saj.

 

Fama e shekullit të 20-të

Në vitin 1933, ky përbindësh mori famë botërore pas raportimeve të një çifti që e kanë parë atë. Mirëpo, ata nuk mbetën të vetmit pasi që shumë shpejt u paraqitën një sërë me raportime të tilla. Rrjedhimisht, Marmaduka Uedherell (Marmaduke Wetherell) u angazhua që ta gjente këtë krijesë. Ndonëse ai gjeti gjurmë të dyshimta, ato më vonë u zbuluan si mashtrime. Në vitin 1934 u publikua “fotoja e famshme e kirurgut”, e cila shkaktoi mahnitje ndërkombëtare. Shumë shpejt u ngritën spekulime se ky mund të ishte një plesiosaur.

Shkenca thotë JO!

Përkundër përpjekjeve të panumërta për të gjetur dëshmi të pakundërshtueshme, si eksplorimeve me sonarë dhe fotografive, shumica rezultuan të ishin qoftë mashtrime apo keqinterpretime. Një analizë e ADN-së në vitin 2018 në këtë liqe, e vërtetoi praninë e ngjalave në Lok Nes, duke e lënë kështu mundësinë që njerëzit ta kenë ngatërruar një ngjalë të stërmadhe për këtë përbindësh. Me fjalë të tjera, deri më sot nuk ka asnjë dëshmi shkencore që e vërteton ekzistencën e Përbindëshit të Liqenit Lok Ness. Sidoqoftë, mungesa e dëshmive shkencore nuk e ka penguar legjendën e këtij përbindëshi që të tërheqë vëmendjen e publikut dhe rrjedhimisht të shndërrohej në një kontribuues domethënës në ekonominë skoceze me rreth 80 milionë dollarë të ardhura në vit në fillim të shekullit të 21-të.

 

Marmaduka Uedherell

Marmaduka Uedherell ishte një gjahtar i kafshëve të mëdha i cili u bë famëkeq për përfshirjen e tij në historinë e Përbindëshit të Liqenit Lok Nes. Në vitin 1933 Daily Mail e angazhoi atë për ta kërkuar këtë krijesë. Uedherell pohoi se kishte gjetur gjurmë të mëdha përgjatë bregut të liqenit, të cilat ai besonte se i përkisnin përbindëshit. Sidoqoftë, ekspertët më vonë e përcaktuan që këto gjurmë ishin të rreme. Roli i Uedherell në këtë aspekt mbetet i paqartë, por gjithsesi lidhja e tij me këtë histori e dëmtoi rëndë besueshmërinë e tij. Përkundër këtij incidenti, kërkimi për përbindëshin vazhdoi dhe përfshirja e Uedherell u bë pjesë e kësaj historie.

Fotografia e Kirurgut

Fotografia e kirurgut është një pamje e famshme në të cilën thuhet se është fotografuar Përbindëshi i Liqenit Lok Nes. Kjo foto u bë në vitin 1934 nga Robert Kenet Uillson (Robert Kenneth Wilson), një mjek anglez. Në fotografi shihet ajo që duket si një kokë e vogël dhe qafa e një krijese që del nga uji. Kjo foto u publikua në Daily Mail, duke e intriguar publikun edhe më shumë. Sidoqoftë, në vitin 1994 u zbulua që edhe kjo fotografi ishte një mashtrim. Në fakt, “përbindëshi” në këtë foto është veçse një model i vogël i ngjitur në një nëndetëse lodër, dhe ishte një rreng i përgatitur nga Marmaduka Uedherell, në shenjë hakmarrjeje për përfshirjen e tij në mashtrimin e mëparshëm. Përkundër origjinës së rrejshme, fotografia e kirurgut mbetet një prej pamjeve më ikonë dhe më jetëgjata në lidhje me Përbindëshin e Liqenit Lok Nes.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE