Zona e Konservimit Ngorongoro është një zonë e mbrojtur dhe një Lokacion i Trashëgimisë Botërore të UNESCO, e cila gjendet në Qarkun Ngorongoro, rreth 180 kilometra në perëndim të Rajonit Arusha, në kuadër të rajonit gjeologjik të Malësisë së Kraterit (Crater Highlands) në Tanzaninë Veriore. Përndryshe tipari kryesor i kësaj zone është krateri Ngorongoro.
Origjina e emrit
Emri i kraterit ka origjinë onomatopeike pasi që ai është emëruar nga blegtorët Maasai sipas tingullit që e lëshojnë kambanat e lopëve (ngoro ngoro). Sipas dëshmive të fosileve të gjetura në Grykën Olduvai, specie të ndryshme hominide kanë jetuar në këtë zonë për tre milionë vjet.
Banorët e zonës
Fillimisht zona ishte e banuar nga fise gjahtarësh si Mbulu, të cilët erdhën në këtë zonë rreth 2000 vjet më parë. Atyre më pas iu bashkuan edhe fisi Datooga rreth vitit 1700. Që të dyja këto grupe më pas u dëbuan që aty rreth vitit 1800 nga fisi Maasai.
Krateri Ngorongoro
Krateri Ngorongoro është kaldera vullkanike më e madhe jo aktive, e paprekur dhe e pambushur në botë. Kaldera është një lloj i kraterit që mbetet pas shembjes së dhomës së magmës pas shpërthimeve të saj të fuqishme dhe masive. Përndryshe ky krater u krijua pas shpërthimit të një vullkani të madh rreth tre milionë vjet më parë. Ky krater është rreth 610 metra i thellë dhe dyshemeja e tij e mbulon një sipërfaqe prej 260 kilometra katrorë. Ndërsa, lartësia origjinale e masivit të vullkanit vlerësohet të ketë qenë nga 4500 deri në 5800 metra.

Jeta e egër në Ngorongoro
Rreth 25000 kafshë të mëdha, kryesisht thundrake, jetojnë në këtë zonë. Në mesin e thundrakëve që jetojnë këtu janë zebrat, antilopat, gazelat, dhe shumë të tjerë. Krahas thundrakëve në këtëzonë jetojnë edhe disa lloje të gjitarëve të mëdhenj që jetojnë si rinoqerontët e zinj, bualli afrikan (Cape Buffalo) dhe hipopotami. Për më tepër, kjo zonë njihet edhe për popullsinë më të dendur të luanëve. Mirëpo, këta të fundit disa herë janë përballur me sëmundje që vijnë si pasojë e faktit që ka shumë pak hyrje të luanëve të rinj në këtë zonë pasi që në mënyrë natyrale ajo është disi e mbyllur.



