Sipas disa përllogaritjeve, duna e rërës që e shihni në foton tonë mund të jetë më e larta në botë. Mirëpo, pa marrë parasysh nëse ajo është më e larta apo jo, Cerro Blanco – e cila arrin në lartësinë 1176 metra – pa dyshim është në mesin e tri më të lartave.
Kjo dunë masive ngrihet mbi Shkretëtirën Sechura, një vend përplot me peizazhe të jashtëzakonshme. Kjo shkretëtirë bregdetare shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 5180 kilometra katror në mes të Oqeanit Paqësor dhe fillimit të Maleve Ande në Peru.
Ndonëse, ky është vendi më thatë në botë, Shkretëtira Sechura njihet më së shumti jo për atë që e ka krijuar natyra, por për atë që e kanë gdhendur njerëzit: Vijat e Nazkas (Nazca Lines). Këto gjeoglife përbëhen nga qindra forma gjeometrike dhe figura përfaqësuese (duke i përfshirë merimangat, zogjtë dhe majmunët), disa prej të cilave zgjaten për kilometra të tërë. Këto vija u gdhendën në mes të vitit 200 p.e.s. dhe vitit 600 të e.s. nga populli antik Nazka (Nazca) në kodrat dhe rrafshnaltat e kësaj shkretëtire.




