KARATEJA ËSHTË PASIONI I FAMILJES SONË

 

Teksa futemi në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin e bukur të Koshtovës në Komunën e Mitrovicës, para nesh shpaloset një peizazh unik me Lumin Ibër që rrjedh vetëm pak metra më tutje. Mirëseardhje na uron z. Musli Rexha. Ai është babai krenar i dy vajzave, apo më mirë të themi karateisteve të reja, të cilat janë duke treguar potencial të jashtëzakonshëm në sportin e karatesë. Më pas, ne takohemi edhe me Anisën dhe Erzën.

 

Anisa është katërmbëdhjetë vjeçare dhe mosha e saj vërehet që nga fillimi i bisedës sonë pasi që ajo është paksa më e tërhequr dhe më fjalëpake. Në anën tjetër, Erëza njëmbëdhjetë vjeçare është më e hapur, dhe teksa e prezanton veten ajo thotë se të gjithë e njohin si një fëmijë shumë të hareshëm dhe çdo herë të buzëqeshur si dhe shton se një prej tipareve që e pëlqen më shumë te njerëzit është pozitiviteti.

 

Karateja është pasion i tërë familjes

Dy motrat tregojnë se dashuria e tyre për karatenë erdhi natyrshëm pasi që babai i tyre e ka një jetë të tërë që merret me karate dhe sot ai është edhe një prej trajnerëve të tyre në Klubin e Karatesë (KK) “Mitrovica”. Prandaj, nuk është aspak befasues fakti se që të dyja kanë filluar të merren me këtë sport rreth moshës shtatë vjeçare. Ato nuk harrojnë që të theksojnë se edhe nëna e tyre ka qenë dikur karateiste, dhe që në fakt ky sport është pasion i tërë familjes së tyre. Për më tepër, që ty dyja vajzat e shohin këtë si një aktivitet që u jep mundësi që të kalojnë bashkë kohë cilësore me babanë e tyre, të cilin ato thonë se e duan shumë dhe që shpresojnë që një ditë ta bëjnë krenar duke fituar medalje të arta sikurse Majlinda Kelmendi në xhudo.

 

“Dita e mirë shihet që në mëngjes” – kjo është një fjalë e urtë popullore që na bie në mend sapo Anisa dhe Erëza fillojnë që të tregojnë për sukseset e tyre. Duhet theksuar, se për shkak të moshës së tyre që të dyja motrat vetëm sa kanë filluar që të marrin pjesë në gara. Mirëpo, me sa duket atë që iu mungon në përvojë ato e kompensojnë me talent dhe punë, gjë që është përkthyer në suksese mjaft domethënëse. “Sukseset e mia që mund t’i veçoj deri më tani janë gara mbarëkombëtare e cila u mbajt në Tiranë në vitin 2022 ku e zura vendin e parë në kategorinë time dhe në shkurt të këtij viti (2023) u zgjodha për herë të dytë si Sportiste e Dalluar në Komunën e Mitrovicës për vitin 2022,” thekson Anisa. Kurse Erëza shtoi: “Gjatë vitit 2022 kam marrë pjesë në tetë gara në të cilat katër herë e kam zënë vendin e parë, dy herë vendin e dytë dhe dy herë vendin e tretë. Edhe unë mora pjesë në garën mbarëkombëtare e cila u mbajt në Tiranë në vitin 2022 ku e zura vendin e dytë në kategorinë time.”

 

Puna në ekip është sekreti i suksesit

Këto suksese, dy motrat thonë se janë rezultat i punës së palodhshme dhe përkrahjes së pakursyer që trajnerët e tyre Idriz Baruti dhe Musli Rexha e bëjnë në KK “Mitrovica”. Një përparësi tjetër që ato e cekën është fakti se ato janë motra, andaj mund të punojnë bashkë edhe në shtëpi, por edhe mund ta nxisin dhe mbështesin njëra-tjetrën fizikisht, mendërisht dhe moralisht. Një falënderim të veçantë vajzat e kishin edhe për mësimdhënësit e tyre. “Në shkollën tonë ne e zhvillojmë mësimin paradite, kurse pasdite shkojmë në stërvitje. Prandaj, kombinimi i orarit shkollor me atë të stërvitjes nuk është aspak problem. Mirëpo, sa herë që kemi nevojë të marrim leje për pjesëmarrje në g ara, sikurse ishte rasti i garave në Tiranë, ata janë tepër mirëkuptues dhe na ndihmojnë jo vetëm që ne të jemi të lira, por edhe që ne të mos ngecim pas me mësimet tona,” shtuan më tej motrat Rexha.

 

Sporti të rigjallëron mendjen dhe trupin

Në fund të bisedës sonë Anisa dhe Erëza i porositën të gjithë bashkëmoshatarët e tyre që të mos hezitojnë, por të fillojnë të merren me sport: “Të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa ndikim të madh ka sporti në shëndetin tonë, për këtë arsye ne e porosisim çdo të ri dhe moshatare tonën që të merret me ndonjë sport pa marrë parasysh se cili është ai sport. Nga përvoja jonë mund t’ju themi se çdo seancë stërvitore na e rigjallëron mendjen dhe trupin.”

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE