Këtyre ditëve jemi të detyruar që të qëndrojmë në shtëpi dhe që t’i shmangim maksimalisht kontaktet shoqërore. Teksa ëndërrojmë për udhëtimet e gjata, të mbyllur në shtëpi, nëpër vendet dhe metropolet e largëta botërore mund të shkojmë duke lexuar libra, përmes filmave, udhëtimeve online… Duke qenë se udhëtimi në fakt është gjendje mendore, ne e kemi përgatitur një përzgjedhje të disa veprave letrare të cilët mund t’ju dërgojnë nëpër qytete të ndryshme.
Lexoni duke e mbajtur mend porosinë e qartë #rrinshpi!
PARIS – “KATEDRALJA E PARISIT”, Viktor Hygo
Ndonëse kryeqyteti franez është përjetësuar në një sërë veprash të autorit Marsel Prust (Marcel Proust), si dhe të autorëve të tjerë, ne e kemi përzgjedhur këtë vepër, e cila ju dërgon në Parisin e mesjetës. Ky roman para së gjithash është një tregim ngazëllues dhe i prekshëm i Viktor Hygosë për miqësinë, dashurinë, xhelozinë dhe fatet tragjike. Në qendër të romanit është edhe katedralja Notr Dam, me të cilën autori ishte i fascinuar. Personazhi kryesor, kurrizoja Kuazimodo, është një njeri me pamje të shëmtuar, por me zemër trime, e cila e përcakton edhe të ardhmen e tij të pafat. Njerëzit e urrejnë, përulin dhe e refuzojnë atë. Ai dashurohet në bukuroshen Esmeralda, të cilë sivardisen edhe dy meshkuj të tjerë. Para jush është një tregim tragjik po aq sa edhe madhështor për udhëtimet e vështira të jetës.
STAMBOLLI – “MUZEU I PAFAJËSISË”, Orhan Pamuk
Orhan Pamuk, bën pjesë në ata autorë që kanë stil shumë estetik dhe veprat e të cilit janë përplot me përshkrime lirike të vendeve. Natyrisht, në veprat e tij, ai më së shumti e ka përjetësuar Stambollin, i cili paraqitet edhe në romanin e tij më të mirë të dashurisë. Mbi 150 personazhe në mbi 600 faqe e ndërtojnë botën e Stambollit nga viti 1975 e deri në ditët e stome. Në këtë libër, autori na bën të mendojmë se si janë banorët e Stambollit, teksa shëtisim nëpër vendet e tij të fshehta dhe mistike. Nëpër rrugët e lagjeve NIshantash, Çukurcuma, Taksim, Harbija, Bejoglu, shpesh lëviz edhe një personazh i këtij libri – vetura shevrolet e vitit 1965.
NJU JORK – “MËNGJES TE TIFANI”, Truman Kapote
Nëse nuk e keni shikuar ende filmin me emrin e njëjtë me aktoren sharmante Odri Hepbërn, ju këshillojmë që më parë ta lexoni librin i cili do t’ju dërgojë në Manhatan. Do të njiheni me njerëz të ngeshëm dhe të pasur të cilët i kalojnë mbrëmjet duke pirë kokteje, dëgjuar muzikë dhe duke flirtuar deri në agim. Në qendër të tregimit është Holly Golightly, e cila jeton maksimalisht në një mënyrë paksa ekstravagante dhe ekscentrike, në kërkim të një burri pasanik. Këtu, Nju Jorku është skenografia e përsosur me bulevardet e tij moderne, shitoret luksoze dhe parqet mahnitëse.
SHËN PETËRSBURGU – “KRIM DHE DËNIM”, Fjodor Dostojevski
Vepra më e njohur e Fjodor Dostojevskit është e vendosur në vitet e 60-ta të shekullit të 19-të, në qytetin e Shën Pjetërsburgut. Ndonëse në qendër të romanit është një krim i tmerrshëm si dhe barra që e bartë personazhi kryesor Raskoljnikov, Dostojevski, ka arritur qëpërmes këtij romani ta paraqesë edhe atmosferën e qytetit.
ALEKSANDRIJA – “LAGJJA E ALEKSANDRISË”, Lawrence George Durrell
Ky roman i famshëm i Lawrence Durrell, është në fakt një ode për një qytet mitik, Aleksandrisë mitike. Po ashtu, ky qytet është heroi i të katër romaneve nga të cilat përbëhet ky opus dhe lajtmotiv nëpër të cilin Darrell e thur një tregim cilësor si një labirint me bukuri hipnotizuese. Vetë Lawrence në një përshkrim për Aleksandrinë shkruan: “Aleksandria është si një presë vere e madhe e dashurisë; ata që kalojnë nëpër të janë të sëmurët, të vetmuarit, profetët – dua të them, të gjithë ata që janë lënduar thellë…” Madje edhe sikur Aleksadria e tij të mos ekzistonte, prapë së prapë ajo do të ishte po aq reale, ashtu si edhe Roma e Hawthorne, Parisi i Prustit, Bizanti I Lotit…
SICILIA – “GEPARDI”, Xhuzepe Tomazi di Lampeduza
Kryevepra e letërsisë italiane është një roman rreth fatit tragjik të një familjeje fisnike e cila përballet me luftën e gjeneralit Xhuzepe Garibaldi, gjatë bashkimit të Italisë. Ngjarja ndodh në Sicilinë e mrekullueshme, e cila i jep një atmosferë të veçantë tregimit. Në bazë të këtij romani është punuar edhe një prej filmave më të famshëm të Viskontit, me kostume fenomenale dhe bukuroshen Claudia Cardinale.