Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) “Naim Frashëri” në fshatin Banjë, Komuna e Malishevës, nuk u zgjodh rastësisht për këtë rubrikë. Vizita erdhi pas një ftese të dërguar nga nxënësja e klasës së nëntë, Erisa Samadraxha, anëtare e Grupit Letrar të shkollës. Kjo ftesë hapi derën për të njohur një shkollë ku nisma e nxënësve, kreativiteti dhe bashkëpunimi jo vetëm që inkurajohen, por edhe e formësojnë jetën e përditshme shkollore.
Një shkollë me rrënjë të thella dhe vizion të qartë
Historia e shkollës “Naim Frashëri” fillon në vitin 1914, kur mësimi zhvillohej në shtëpi private. Në vitin 1928 u ndërtua objekti i parë shkollor, duke shënuar një hap të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit në këtë zonë. Objekti aktual i shkollës është në përdorim që nga viti 2013 dhe ofron kushte që mbështesin mësimin bashkëkohor, duke ruajtur njëkohësisht traditën e gjatë arsimore.
Sot, shkolla ofron arsim nga niveli parashkollor deri në klasën e nëntë. Në të janë të regjistruar 382 nxënës, 182 vajza dhe 200 djem. Procesi mësimor mbështetet nga 33 mësimdhënës, një psikologe shkollore dhe katër punëtorë teknikë. Sipas drejtorit të shkollës, z. Burim Begaj, prioritet mbetet krijimi i një mjedisi të sigurt dhe mbështetës, ku nxënësit ndihen të motivuar për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për t’u shprehur lirshëm.
Hapësira mësimore dhe përgjegjësia e përbashkët
Shkolla ofron hapësira mësimore që përmbushin kërkesat e kurrikulës, përfshirë laboratorë të shkencave, një bibliotekë me rreth 1 000 libra dhe një sallë sportive të pajisur. Klasat po pajisen gradualisht edhe me mjete shtesë, si projektorë dhe ekrane televizive, të cilat e bëjnë mësimin më interaktiv dhe më të qasshëm për nxënësit.
Një tjetër pikë e fortë e shkollës është bashkëpunimi ndërmjet nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve. Drejtori thekson se trekëndëshi pedagogjik Nxënës Shkollë Prind funksionon shumë mirë. Ky bashkëpunim ndihmon në adresimin me kohë të sfidave dhe në mbështetjen e nxënësve për arritje më të mira akademike dhe personale. Prindërit shihen si partnerë në procesin arsimor dhe luajnë një rol të rëndësishëm në suksesin e nxënësve.

Sukseset dhe fuqia e angazhimit të nxënësve
Nxënësit e shkollës “Naim Frashëri” kanë shënuar suksese të rëndësishme vitet e fundit. Në matematikë, ata kanë fituar vendin e parë në nivel komunal dhe renditje të larta në nivel republikan. Suksese janë arritur edhe në poezi, fizikë dhe në sporte të ndryshme, përfshirë futbollin, shahun, pingpongun dhe futbollin e vajzave. Shkolla merr pjesë rregullisht edhe në projekte sportive kombëtare që promovojnë aktivitetin fizik dhe stilin e shëndetshëm të jetesës.
Përtej rezultateve dhe garave, angazhimi i nxënësve është një nga shtyllat më të forta të jetës shkollore, ku Grupi Letrar dallohet si një shembull i veçantë. Aktiv tash e dy vite, ky grup është shndërruar në një forcë shtytëse për shumë aktivitete, festa dhe ngjarje kulturore të shkollës. Anëtarët e tij janë shpesh në krye të përgatitjes së programeve, shfaqjeve, punimeve të shkruara dhe prezantimeve për datat e rëndësishme të kalendarit shkollor.
Grupi Letrar përbëhet nga rreth 18 deri në 19 nxënës dhe funksionon nën udhëheqjen e mësimdhënëses së Gjuhës Shqipe, znj. Antigona Samadraxha. Grupi udhëhiqet nga nxënësja Anisa Krasniqi, duke dëshmuar lidership dhe përgjegjësi të fortë të nxënësve. Sipas vetë nxënësve, ky grup nuk është vetëm një hapësirë krijuese, por edhe një vend ku zhvillohen puna në ekip, disiplina dhe vetëbesimi, krahas rritjes akademike.
Sfidat sot, shpresa për nesër
Pavarësisht sukseseve, shkolla përballet edhe me sfida. Një nga shqetësimet kryesore mbetet largimi i nxënësve bashkë me familjet e tyre drejt vendeve evropiane, gjë që ndikon në numrin e nxënësve dhe vazhdimësinë e klasave. Megjithatë, shkolla vazhdon të fokusohet në arsim cilësor, angazhim të nxënësve dhe krijimin e mundësive për secilin nxënës.
Në fund, drejtori i shkollës, z. Burim Begaj, përcjell një mesazh për të rinjtë në mbarë Kosovën. Ai i inkurajon ata të mësojnë, të marrin pjesë në aktivitete dhe të besojnë në të ardhmen e tyre. Sipas tij, Kosova ofron mundësi dhe e ardhmja varet nga të rinjtë që janë të gatshëm të qëndrojnë, të punojnë dhe ta ndërtojnë atë së bashku.
TEXT BOX
Një mesazh nga një bashkëmoshatare
Erisa Samadraxha thotë se Grupi Letrar është shndërruar në një hapësirë ku nxënësit mund të shprehin talentin, idetë dhe kreativitetin e tyre. Ajo thekson se mësimi dhe arritjet janë gjithmonë prioritet, ndërsa aktivitetet ndihmojnë nxënësit të rriten në vetëbesim dhe në punë ekipore. Mesazhi i saj për bashkëmoshatarët është i qartë: mos hiqni dorë kurrë nga ëndrrat tuaja, besoni në veten tuaj dhe vazhdoni të punoni, edhe kur përballeni me vështirësi.



