“Apple” dhe “Samsung” i prodhojnë telefonat më të mirë të njohur në treg dhe mund të keni vështirësi të vendosni se cili është i duhuri për ju. Këtu keni gjithçka që duhet të dini për mënyrën se si krahasohen karakteristikat e “iPhone 14” dhe “Galaxy S22”.
iPhone 14 kundrejt Galaxy S22: çmimi
Një faktor thelbësor që duhet marrë parasysh kur e zgjidhni një telefon është sa kushton ai. Ju doni të ndiheni se po fitoni vlerë të mirë për paratë tuaja, veçanërisht nëse jeni duke i krahasuar drejtpërdrejt dy telefona. Fatkeqësisht, çmimi nuk mund t’ju ndihmojë të zgjidhni midis telefonit bazë “iPhone 14” dhe “Samsung Galaxy S22”, sepse secili fillon me afërsisht të njëjtin çmim.
iPhone 14 kundrejt Galaxy S22: dizajni dhe qëndrueshmëria
Nëse nuk ju pëlqen pjesa e zezë lart në ekranin e telefonit tuaj, me siguri nuk do t’ju pëlqejë “iPhone 14” dhe “iPhone 14 Plus”, sepse të dy ende e kanë atë element dizajni. “iPhone 14 Pro” dhe “Pro Max”, nga ana tjetër, e kanë të përfshirë “Dynamic Island” e ri të “Apple”, që ofron pamje më të dallueshme dhe veçori integruese të dobishme të sistemit operativ. Asnjë nga modelet “S22” nuk e ka një pjesë të zezë, megjithëse kanë prerje të vogla rrethore për kamerat “selfie”. Qëndrueshmëria është gjithashtu e rëndësishme për një pajisje. Për fat të mirë, të dyja familjet e telefonave ofrojnë vlerësime të shkëlqyera IP68, që do të thotë se janë plotësisht rezistente ndaj pluhurit dhe mund të përballojnë zhytjen në ujë në thellësi deri në 1,5 metra për gjysmë ore.
iPhone 14 kundrejt Galaxy S22: fuqia dhe performanca
Kur e blini një telefon, duhet të mendoni veçanërisht për procesorin dhe RAM-in. “Apple” përdor një version të optimizuar të çipit të tij njëvjeçar ‘A15’ me kosto më të ulët në “iPhone 14” dhe “iPhone 14 Plus”, por procesorin e vetë të ri ‘A16 Bionic’ e ofron si “iPhone 14 Pro” ashtu edhe “iPhone 14 Pro Max”. Të gjitha modelet “Galaxy S22” e kanë të njëjtin çip “Qualcomm Snapdragon 8 Gen 1”. Për memorie, si “Apple” ashtu edhe “Samsung” pajisjet e tyre të nivelit të lartë i ofrojnë me deri në 1TB (terrabajt) hapësirë për memorie.
iPhone 14 kundrejt Galaxy S22: kohëzgjatja e baterisë
Për fat të keq, “Apple” nuk i zbulon madhësitë e baterisë së “iPhone-it”, por ata pretendojnë se “iPhone 14” duhet të ketë deri në 16 orë bateri gjersa jeni duke parë video. Sa për krahasim, në testet e transmetimit (shikimeve) të videove, Telefoni bazë “Galaxy S22” e mbajti baterinë deri në 9 orë e 5 minuta. Për mbushje të baterisë me mbushës me tel, “Samsung” ofron shpejtësi deri në 45W në të gjitha modelet “Galaxy S22” (përmes USB-C). “Apple”, në anën tjetër, ofron mbushje më të ngadaltë me mbushës me tel deri në 20W në telefonat e vetë “iPhone 14” (të gjitha përmes një porti ‘Lightning’). Me fjalë të tjera, telefonat e “Samsung” do të karikojnë pak më shpejt me karikuesin e duhur. Asnjëra kompani nuk e përfshin mbushësin në kuti.
iPhone 14 kundrejt Galaxy S22: pamja
Duke filluar me madhësitë e ekranit, “iPhone 14” dhe “iPhone 14 Pro” kanë të dy ekrane 6.1 inç, ndërsa “iPhone 14 Plus” dhe “iPhone 14 Pro Max” kanë secili ekran 6,7 inçash. Në vargun e “Galaxy S22”, ju i keni tri madhësi të ndryshme të ekranit: “S22” bazë ka ekran 6,1 inç, “S22+” ka ekran 6,6 inç dhe “S22 Ultra” e ka ekranin 6,8 inç. Sidoqoftë, nëse keni nevojë për ekranin më të madh absolut, “S22 Ultra” është fituesi. Të gjithë telefonat kanë densitet të ngjashëm pikselësh, megjithëse mund të veçohen disa modele. “iPhone 14 Pro Max” ka ekran 2.796 me 1.290 piksele, ndërsa ekrani i “S22 Ultra” ka rezolucion prej 3.080 me 1.440 piksele. Sa i përket densitetit të pikselit, kjo i jep “Galaxy S22 Ultra” një avantazh të dallueshëm ndaj “iPhone 14 Pro Max”.
iPhone 14 kundrejt Galaxy S22: kamerat
Një nga gjërat kryesore që paguani në një ‘smartphone’ është aparati ose kamera. Shumica e telefonave më të mirë kanë aparate të mira që mund të bëjnë fotografi të mira, por ka dallime të vogla midis sistemeve të kamerave në telefonat “iPhone 14” dhe ata “Galaxy S22”. Përsëri, të dy telefonat bëjnë fotografi fantastike. Megjithatë, disa veçori (të tilla si zmadhimi optik 10x në “Galaxy S22 Ultra”) e bëjnë një ndryshim të rëndësishëm midis ofertave të “Apple” dhe “Samsung”.
Përfundimi
Në fund duhet të konkludojmë se gjithçka varet nga preferencat personale edhe pse ka disa aspekte të tjera për t’u marrë parasysh, si p.sh.: çfarë aplikacionesh përdorni, cilin dyqan aplikacionesh e keni përdorur deri tani dhe çfarë aksesorësh keni tashmë.