BEBART SELMANI – NË FUTBOLL E SHPREH VETEN MË SË MIRI!

Teksa futet në fushën e blertë magjike të futbollit, 10 vjeçari Bebart Selmani duket tejet i vogël në krahasim me të. Mirëpo, sa e merr topin në këmbë dhe fillon të shpërfaq talentin e tij, fusha fillon e duket gjithnjë e më vogël në krahasim me këtë djalosh tejet të talentuar nga Ferizaji. Në lëvizjet e tij Bebarti, krahas talentit shfaq edhe vendosmëri, përkushtim dhe pjekuri që nuk është aspak e zakonshme për moshën e tij. Fokusimin e tij nuk mund ta shpërqendrojnë as flokët e gjata që shpesh i bien edhe në fytyrë për shkak të lëvizjeve të tij të shpejta.

 

Bebarti ka filluar të ushtrojë futboll tash e tri vjet, fillimisht me klubin e futbollit për fëmijë “Vizion” në Ferizaj për të kaluar më pas në klubin “Piramida” në Prishtinë, ku besoni apo jo ai ushtron me 12 vjeçarët. Përpos, që Bebarti ushtron me fëmijë që janë dy deri në tri vjet më të mëdhenj, për ta bërë këtë ai duhet të udhëtojë nga Ferizaji për në Prishtinë tri herë në javë. Lodhja dhe ngarkesa që kjo nënkupton krahas obligimeve shkollore nuk e zvogëlojnë aspak vendosmërinë e tij për të përmbushur ëndrrën e tij që një ditë të bëhet një lojtar i madh si dy idhujt e tij Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Madje, ai këtë e bën me meritat më të larta pasi që, nuk është i suksesshëm vetëm në fushën e blertë por, edhe në shkollë.

 

Z. Tefik Selmani, babai i Bebartit, tregon se talentin e të birit ai e ka vërejtur shumë herët dhe kjo e ka shtyrë, që ta atë dërgojë në stërvitjen e parë të futbollit. “Që në moshën 5 vjeçare, kur e shikoja Bebartin duke luajtur me top isha i bindur se lëvizjet e tij me topin dhe mënyra se si ai i qasej këtij sporti dallonte nga fëmijët e tjerë dhe se ky sport i vinte atij shumë natyrshëm. Duke qenë se përvoja ime në futboll ka qenë e njëjtë me atë të shumicës së njerëzve në vendin tonë, me fjalë të tjera, unë jam veçse një amator që futbollin e ka si aktivitet me miq, vendosa që Bebartin ta dërgoja në stërvitje në Klubin e Futbollit ‘Vizion’ këtu në Ferizaj. Aty më pas trajnerët kanë filluar ta vlerësojnë shumë talentin e Bebartit dhe ai përparoi shumë shpejt. Ajo që trajnerët e tij e vlerësojnë më së shumti është energjia pozitive që ai e sjell në fushë, e cila ia tejkalon çdo bashkëlojtari të tij,” tha z. Selmani. Në anën tjetër, z. Selmani theksoi se për të mbetet pak shqetësues fakti se Bebarti aktualisht stërvitet me moshat 12 vjeçare por, deri tani ai po e përballon me mjaft sukses edhe këtë sfidë.

 

Dashurinë e tij për futbollin, Bebarti e shpjegon shumë thjesht: “Prindërit gjithmonë më porosisin që të mësoj po aq shumë sa angazhohem në futboll dhe unë mundohem ta bëj këtë dhe të angazhohem maksimalisht edhe në shkollë por, të them të drejtën futbollin e dua me tërë zemrën. Sepse në futboll e shpreh veten më së miri!”

 

Falë teknologjisë moderne, puna, talenti dhe përkushtimi i Bebartit janë vërejtur deri në Gjermani. Kështu vitin e kaluar ai u ftua për një vizitë në Akademinë e Futbollit të gjigantit gjerman Borusia Dortmund.

 

“Vizita ime atje u zhvillua falë babait tim i cili u ka dërguar incizime të miat. Më pas ata më ftuan në një vizitë një javore ku kam marrë pjesë në seancat e tyre stërvitore. Ajo që më ka pëlqyer më së shumti atje ishin stërvitjet të cilat zhvillohen në kushte shumë të mira dhe me trajner jashtëzakonisht cilësor. Në fund të vizitës, vlerësimi i tyre ishte se si një 9 vjeçar që nuk e njeh gjuhën gjermane dhe që vjen nga një vend me futboll dukshëm më të pazhvilluar të jem në gjendje që të matem me lojtarët e akademisë së tyre është një sukses shumë i madh. Ata, po ashtu më këshilluan që të prisja deri në moshën 14-15 vjeçare dhe më pas të tentoj të kaloj në ndonjë prej akademive të klubeve evropiane,” tregon për përvojën e tij në gjermani Bebarti i vogël.

 

Në lidhje me këtë vizitë tejet të suksesshme të Bebartit foli edhe babai i tij i cili shtoi: “Në Dortmund porosia ka qenë shumë pozitive pasi që sipas tyre gjatë kësaj vizite Bebarti ka dëshmuar shumë talent dhe potencial. Unë, për vete në lidhje me këtë ia kam lënë gjithçka në dorë kohës dhe punës. Nëse Bebarti do të vazhdojë të punojë në këtë mënyrë sikurse tani besoj se atë e presin shumë gjëra të mira.” Z. Selmani vazhdoi më tej duke kërkuar më shumë investime për krijimin e kushteve më të mira për punë për fëmijët tonë sepse, siç u shpreh ai mungesa e kushteve është pika jonë e dobët.

 

Në fund të intervistës sonë, Bebarti i porositi të gjithë bashkëmoshatarët e tij që të merren me sport, çfarëdo sporti që ju pëlqen apo për të cilin kanë talent por, gjithsesi të merren me sport. Kurse sipas tij, padyshim futbolli është sporti më i mirë.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE