BËJENI VET: KATËR IDE PËR FUNDJAVË

Kur kemi kohë të lirë, mund të bëjmë shumë gjëra. Deri tani keni lexuar, ushtruar, mësuar, dhe keni bërë shumë gjëra të tjera që ua kemi propozuar. Tani është koha që ta nxisim kreativitetin. Për ju i kemi katër propozime që mund t’i realizoni në shtëpi dhe atë me gjëra që ju tashmë i keni në shtëpi. 

 

DEKUPAZH (DECOUPAGE)

 

Teknika e dekupazhit nuk është e komplikuar dhe me pak stërvitje mund ta përsosni atë. Ajo nënkupton ngjitjen e formave të letrës, fotografive të pecetave në çfarëdo objekti. Me këtë teknikë mund t’ua ktheni shkëlqimin gjësendeve të vjetra, apo të zbukuroni edhe më shumë diçka që ju pëlqen dhe që e keni në bodrumin tuaj.

Zakonisht për ngjitjen e formave të letrës, përdoret ngjitës i posaçëm. Por, ne do t’ua tregojmë një sekret! Për këtë mund të shfrytëzoni edhe ngjitësin e zakonshëm për dry të cilin do ta zbusni me pak ujë. 

Prijeni formën apo motivin e letrës që ju pëlqen. Objekti në të cilin do ta ngjisni atë duhet të jetë i pastër dhe i rrafshët. Lyejeni me një shtresë të hollë të ngjitësit pjesën ku do ta ngjisni formën e letrës të cilën do ta vendosni me kujdes dhe do ta shtypni butësisht nga qendra drejt skajeve për t’i nxjerrë flluskat e ajrit. Këtë veprim bëjeni me kujdes për të mos i grisur skajet e letrës. 

Më pas me një shpuzë të vogël largojeni tepricën e ngjitësit. Pasi të jetë tharë ngjitësi, sipër formës së ngjitur lyejeni edhe një shtresë të hollë të ngjitësit. Fillimisht shtresa përfundimtare do të jetë e bardhë por, me t’u tharë ngjitësi do të bëhet i tejdukshëm. 

Kështu mund ta zbukuroni ndonjë kuti të vjetër druri, filxhan apo kavanoz të cilin do ta përdorni për vendosjen e qirinjve apo për ruajtjen e lapsave. Ju takon ju të gjeni ide të tjera.

 

LLAMBA DHE LLAMBËZA

Sigurisht, ju keni drita zbukurues të Vitit të Ri, gjegjësisht llambëza LED. Prej tyre mund të krijoni një llambë, dhe për këtë ju duhet vetëm një kavanoz i thjeshtë. 

Varësisht nga gjatësia e llmabëzave, vendoseni madhësinë e kavanozit që do të përdorni. Sa më të gjata llambëzat aq më të madh merreni kavanozin. Kavanozin lyejeni nga brenda me çfarë ngjyre që të dëshironi. Për këtë përdorni ngjyra të ujit, temper apo ngjyra akrili. Pasi të thahet ngjyra futini llambëzat në kavanoz. Kavanozin mos e mbyllni me kapak dhe sigurisht andej zgjateni kabllon për rrymë. Mos harroni, duhet patjetër që të përdorni llambëza LED sepse ato nuk nxehen gjatë përdorimit të gjatë.

Ide tjetër është që t’i përdorni tasat e letrës. Do t’ju duhen rreth dhjetë sish. Në funsin e secilës priteni nga një vrimë të vogël nëpër të cilën do t’i kaloni disa llambëza. Në rast se prerja e juaj është tepër e madhe, vrimën mund ta mbyllni me ngjitës silikoni të ngrohtë në mënyrë që të mos bien llambëzat. Në fund lidhini ato në rrymë. Edhe në këtë rast përdorni vetëm llambëza LED.

 

BYZYLYKËT 

Në fund një ide për bizhuteri, gjegjësisht një byzylyk që do t’iu pëlqejë të gjithëve. Sigurisht ju keni lidhëse të këpucëve në shtëpi të cilat nuk janë të vjetruara.

Byzylykun fillojeni duke e krijuar një lak sikurse në foto. Në hapin e katërt pjesën e majtë të lidhëses do ta kaloni përmes anës së djathtë dhe më pas këtë veprim bëjeni edhe me krahun tjetër. Shtrëngojeni dhe përsëriteni këtë hap deri sa të arrini gjatësinë e dëshiruar të byzylykut. Në rast se nuk ia dilni ta lidhni nyjën në formë diamanti, në fillim të byzylykut mund ta vendosni një pullë më të madhe e cila do të mund të përbirohet na anën tjetër.

Këtu mbase mund t’ju ndihmojnë anëtarët më të vjetër të familjes suaj pasi që ka gjasa që në fëmijërinë e tyre edhe ata të kenë punuar byzylyk të tillë apo, thjesht të jenë në gjendje t’i zbatojnë shkathtësitë e tyre për lidhjen e nyjeve.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE