BIZNESI NA LIDH

VËLLEZËR NË KULTIVIMIN E MJEDRËS NË TREGUN EVROPIAN!

 

Këtë vit, rreth 200 ton fruta mali, kryesisht mjedra, janë eksportuar në tregjet evropiane nga plantacionet në rajonin e Prizrenit dhe Malit Sharr. Falë punës së bashkuar dhe të zellshme të pemëtarëve të këtij rajoni, të cilët vijnë nga të gjitha komunitetet e Kosovës, vjelja e “Arit të kuq”, siç e quajnë mjedrën e Prizrenit, e ka gjetur rrugën drejt tregjeve të Zvicrës, Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Turqisë…

 

Ismet Osmani, një nga kultivuesit e parë të mjedrës dhe drejtor i kooperativës bujqësore “RED GOLD” me bazë në Prizren, u kthye në Kosovë nga Suedia 15 vjet më parë dhe filloi të kultivojë mjedra. Ai për Revistën “4You Magazine” tha se kjo kooperativë përbëhet nga më shumë se 100 prodhues të frutave të malit, të cilët vijnë nga të gjitha komunitetet e rajonit: “Ne prodhojmë dhe mbledhim tonelata e tonelata fruta mali dhe bimë medicinale, kryesisht sepse ne të gjithë marrim pjesë në të, pavarësisht se nga cilat bashkësi etnike vijmë, gjersa disa prej nesh vijnë nga komuniteti boshnjak, serb apo shqiptar. Falë unitetit, organizimit të mirë dhe interesit të përbashkët, ne jemi të suksesshëm dhe e ardhmja jonë në këtë biznes është e garantuar dhe ne jemi dëshmi të kësaj.”

 

Në ambientet e kooperativave ka edhe njësi prodhuese të lëngjeve dhe reçelrave, si dhe njësi për grumbullimin dhe përpunimin e bimëve mjekësore. Z. Osmani shtoi se në zonën e Malit të Sharrit në lartësi të madhe ka rreth 100 hektarë tokë të mbjellë me mjedër dhe se në kultivimin e frutave të malit dhe bimëve mjekësore përdoren të gjitha masat agroteknike dhe respektohen standardet botërore. “Mjedra jonë rritet në një lartësi midis 1000 dhe 1200 metra mbi nivelin e detit dhe nuk ka fabrika në këtë zonë. Në këtë lartësi takohen klima kontinentale, gjysmë-kontinentale dhe ajo malore, duke mundësuar kështu që mjedrat, ndër të tjerash, të kenë më shumë sheqer dhe të kenë cilësi më të mirë se të tjerat”, tha z. Osmani.

 

Kultivimi gjithnjë e më popullor i mjedrës

Kultivuesit e mjedrës punësojnë rreth 6000 punëtorë çdo vit gjatë sezonit. Me përpjekje të përbashkët po mundohen të fitojnë vendin e tyre në treg dhe siç thonë ata po ia dalin mbanë në këtë dhe inkurajohen nga fakti që kushtet e eksportit po përmirësohen nga viti në vit. Bojan Stojçetoviq dhe Arnel Alija janë kultivues të mjedrës dhe prej shumë vitesh janë pjesë e kësaj kooperative. Në bisedën me ne, ata theksuan se janë të kënaqur me biznesin që gjeneron të ardhura dhe me të drejtë shpresojnë që mjedra të bëhet produkt dhe brend (markë) strategjik i Kosovës. Prodhimi i mjedrës është bërë biznes i tyre familjar dhe ata planifikojnë të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen, sepse besojnë se suksesi dhe fitimet e mira janë rezultat i bashkëpunimit multietnik.

 

“Që në fillim isha i sigurt se kjo sipërmarrje multietnike ishte e destinuar të ishte e suksesshme sepse natyra e saj multietnike është një avantazh i madh. Gjithashtu, z. Osmani na ka ndihmuar shumë si me ekspertizën ashtu edhe me njohurinë e tij në fushën e kultivimit të mjedrës, fertilizuesve dhe veçanërisht në gjetjen e tregut për produktet tona”, tha Arnel Alija. Ai, së bashku me kolegun e tij Bojan Stojçetoviq, u bëri thirrje të gjithë kultivuesve të ardhshëm të mjedrës që të mos hezitojnë t’u bashkohen nismave të tilla. Ata bashkërisht theksuan se kooperativa “RED GOLD” është shembull i suksesit, sepse ka potencial të madh për aktivitete të ndryshme prodhuese.

 

Suksesi përmes sinergjisë dhe bashkimit

Drejtori i “RED GOLD” Ismet Osmani tha për revistën tonë se kooperativa përpiqet të jetë shembull se “si të punohet dhe të jesh i suksesshëm përmes sinergjisë dhe bashkimit”. Sipas tij, fermerët duhet vetëm të punojnë, ndërsa ata kujdesen për prokurimin, transportimin dhe edukimin profesional. Ai gjithashtu beson se kjo lloj kooperative është nga më të mirat dhe më modernet, sepse në radhë të parë i shërben mbrojtjes së fermerit, pra kultivuesit të dorës së parë. Biznesi i ka bashkuar të gjithë, prandaj z. Osmani thotë: “Ne i shpërfillim të gjitha paragjykimet që na ndajnë. Ne po përpiqemi të dëshmojmë se biznesi i bashkon njerëzit. Ne po ia dalim mbanë në këtë. Ne nuk jemi të ndarë sipas standardeve etnike. Nuk ka barriera për ne dhe ne na njohin kudo për atë që jemi vëllezër në industrinë e mjedrës. Mesazhi im për të gjithë është të harrojmë shprehitë e këqija dhe të dëshmojmë se biznesi na bashkon, sepse është e vetmja e ardhme dhe rruga drejt suksesit në këtë rajon”, tha në fund të bisedës drejtori i kooperativës bujqësore “RED GOLD”, Ismet Osmani, për popullin në Kosovë, si dhe për të gjithë kultivuesit e ardhshëm të mjedrës.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE