DIALOGU I TË RINJVE: APLIKONI PËR NJOHURI DHE PËRVOJA TË REJA!

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) do të organizojë një shkëmbim një javor për të rinjtë shqiptar dhe serb të moshës 16 deri në 30 vjeçar. Shkëmbimi do të organizohet online, përmes platformës ZOOM, nga data 6 deri më 10 korrik. Gjithçka do të zhvillohet në gjuhën angleze dhe do të jetë falas për të gjithë pjesëmarrësit. Afati për aplikim do të jetë i hapur deri më 18 qershor dhe në shkëmbimin e parë është paraparë që të pranohen rreth 30 pjesëmarrës.

 

Gjatë këtij shkëmbimi, të rinjtë do të kenë rastin që t’i mësojnë bazat e video produksionit, fotografisë, tregimtarisë dhe teatrit. Secili grup do të ketë mentor profesionist i cili do t’i udhëheq dhe ndihmojë pjesëmarrësit gjatë projekteve të tyre. Detyra e tyre do të jetë shfrytëzimi i formave të sipërpërmendura më të artit si mediume për dialog dhe bashkëpunim të ndërsjellë por, edhe si mënyrë për t’iu kundërvënë bashkërisht narracioneve nacionaliste, dhe njëkohësisht për të promovuar paqen. Pas shkëmbimit, pjesëmarrësit do të kenë rastin që t’ia prezantojnë punimet e tyre publikut.

 

Të rinjtë do të kenë mundësinë që të shkëmbejnë përvoja, ide dhe mendime, si dhe që të edukohen për drejtësinë transicionale, përballjen me të kaluarën, dialogun ndërkulturor dhe shkathtësitë e tjera komunikuese por, edhe që të marrin pjesë në aktivitetet e tjera të cilat YIHR KS do t’i organizojë gjatë tërë vitit.

 

Për të aplikuar plotësojeni formularin i cili gjendet në adresën: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSec7Xvtbc0X4YVaNbvtl9T1UEL_vv11jL40Hno7QvLXpvThKQ/viewform, deri më 18 qershor. Vetëm pjesëmarrësit e përzgjedhur do të kontaktohen.

 

Për çdo pyetje që keni mund të kontaktoni YIHR KS përmes adresës: apply@yihr.org.

 

Ky shkëmbim organizohet në kuadër të projektit “Kosovo Youth Dialogue Activity”, i cili përkrahet nga ana e USAID-it. Qëllimi kryesor i projektit është fuqizimi i të rinjve për pjesëmarrje në përballjen me të kaluarën dhe në procesin e pajtimit në Kosovë, përmes nxitjes së komunikimit ndëretnik, ndërveprimit dhe bashkëpunimit, gjetjen e interesave të përbashkëta, ndërtimin e besimit dhe promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe qëndrimeve pozitive.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE