NË DITËN BOTËRORE TË METEOROLOGJISË: PASTRONI DUART DHE MOS HARRONI QË TA MBYLLNI ÇEZMËN!
Sot është dita botërore e meteorologjisë. Në këtë ditë, çdo vite shënohet hyrja në fuqi e Konventës për Themelimin e Organizatës Botërore të Meteorologjisë (WMO), gjegjësisht 23 mars 1950. Vetëm një ditë më parë u shënua Dita Ndërkombëtare e Ujit. Që të dy këto ditë e trajtojnë temën e klimës dhe ujit, duke pasur parasysh se ndryshimet klimatike shkaktojnë “kriza për ujë”.
Falë punës së WMO dhe mbledhjes së të dhënave nga ana e saj, vështirë se do të kishim parashikime të sakta të motit, të cilat shpesh të gjithë ne i përcjellim për të planifikuar ditën tonë.
Ndonëse aktualisht ne duhet të qëndrojmë në shtëpi, ja se çka parasheh kjo organizatë për motin në Prishtinë: temperatura e pritur do të jetë nga -2 deri në 1 gradë celsius, me pak reshje të dëborës.
Krahas parashikimeve të motit, kjo organizatë merret me tema që janë thelbësore për jetën tonë. Prandaj, temat e përzgjedhura për Ditën Ndërkombëtare të Meteorologjisë kanë të bëjnë me ujin dhe klimën.
Uji i freskët është jetik për ne. Njeriu nuk mund të mbijetojë mbi tre ditë pa të. Uji është i domosdoshëm për prodhimin e ushqimit, për pothuajse të gjitha mallrat tona dhe për shërbimet për mjedisin jetësor – theksohet nga WMO, duke rikujtuar se bota është duke u përballur me sfida në rritje të shkaktuara nga i ashtuquajturi stresi i ujit (kur kërkesa për ujë është më e lartë se sa uji në dispozicion), vërshimet, thatësirat dhe mungesa e qasjes në ujëra të pastra.
Duke e pasur parasysh pandeminë e koronavirusit, nuk do të ketë ndonjë ceremoni zyrtare të përbashkët me këtë organizatë. Në vend të kësaj, sivjet fokusi i tyre kryesor është në pastrimin e duarve. Prandaj porosia nga WMO është që t’i pastrojmë duart por, mos të harrojmë t’i mbyllim çezmat në fund!