DITA E TOKËS

DITA E TOKËS: SHËNDETI I NJERËZVE DHE SHËNDETI I PLANETIT TË PANDASHËM, PËR TA MBROJTUR NJËRIN DUHET TA MBROJMË EDHE TJETRIN!

Sot, më 22 prill, shënohet Dita e Tokës. Qëllimi është që njerëzit në mbarë botën të vetëdijesohen për gjendjen e mjedisit ku ata jetojnë, por edhe si të përmirësohet cilësia tij.

 

Dita e Tokës ka filluar të shënohet që nga viti 1970 në Amerikë, kurse zyrtarisht në mbarë botën që nga viti 1992, kur gjatë Konferencës së Kombeve të Bashkuara për mjedisin dhe zhvillimin në Rio de Zhanero u koordinua programi afatgjatë për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

 

“Miliona njerëz janë mbledhur rreth kësaj ideje për të krijuar Ditën e Parë të Tokës në vitin 1970, dhe 50 vjet më vonë, ne duhet të mblidhemi sërish pas saj”- porosisin nga Rrjeti i Ditës së Tokës (https://www.earthday.org/).

 

Tema e Ditës së Tokës 2020 është veprimi klimatik, sepse veprimet kundër ndryshimeve klimatike janë veçuar si tema më me rëndësi për këtë 50 vjetor.

 

“Ndryshimet klimatike, e paraqesin sfidën më të madhe për të ardhmen e njerëzimit dhe sistemit jetësor i cili e bën planetin tonë të banueshëm.”

 

Kësaj here, kjo ditë ndërkombëtare është duke u mbajtur nën hijen e pandemisë së COVID-19. Gjithsesi, nuk është hequr dorë nga organizimi i saj, madje shënimi i saj do të zgjasë plot 24 orë në versionin digjital.

 

“Në Ditën e Tokës 2020, jemi duke i shfrytëzuar të gjitha mjetet dhe veprimet që i kemi, të mëdha dhe të vogla, për të ndryshuar jetën tonë dhe për të ndryshuar botën tonë, jo vetëm për një ditë por, përgjithmonë. Edhe pse korona virusi na detyron që të ruajmë distancën, ai nuk do të na detyrojë që të ulim ritmin tonë. Gjëja e vetme që do ta ndryshojë botën është kërkesa e guximshme dhe e unifikuar për një drejtim të ri. Ndoshta jemi të veçuar nga njëri-tjetri, por me fuqinë e mediave digjitale po ashtu, jemi më të bashkuar se kurrë më parë. Edhe pse ndjeheni të izoluar, kurrë nuk jeni vetëm sepse, të gjithë jemi bashkë në këtë situatë, këtu në Tokë. Shëndeti i njerëzve dhe shëndeti i planetit janë të pandashëm. Për të mbrojtur njërën, duhet ta mbrojmë edhe tjetrin” – është porosia e organizatorëve.

 

Gjatë veprimeve 24 orëshe, në çdo orë do të publikohen thirrje për veprim, do të nisin veprime të mëdha dhe të vogla dhe do të kërkohen “veprime të guximshme për njerëzit dhe planetin”.

 

“Në Ditën e Tokës 2020, do të themi, mjaft! Ne themi se besojmë në shkencë. Ne themi se të gjithë mund të bëjnë dallimin. Ne themi se mbrojtja e planetit tonë, dhe mirëqenia e njerëzve që jetojnë në të janë prioriteti kryesor.”

 

Për t’i gjetur veprimet digjitale në mbarë botën, për t’u bashkëngjitur apo për të regjistruar ndonjë veprim tuajin – shkoni në https://www.earthday.org/.

 

Sapo të klikoni në “Take Action” (Vepro) juve do t’ju ofrohet lista e veprimeve të mundshme dhe mënyrat se si mund të angazhoheni për të ndikuar në përmirësimin e cilësisë së mjedisit tonë jetësor. Bëhuni pjesë si artist, ose ndikoni në uljen e ndotjes me plastikë, ndani informata mbi cilësinë e ajrit në vendin ku jetoni ju, bëhuni pjesë e diskutimeve…

 

Në këtë faqe do të gjeni edhe programin e detajuar të të gjitha aktiviteteve, gjegjësisht, veprimeve, si dhe të pjesëmarrësve, në mesin e të cilëve janë edhe personalitete të famshme.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE