DOBITË E MARRJES ME SPORT

 

Zakonet e shëndetshme fitohen në fëmijërinë e hershme dhe një jetë e shëndetshme e nënkupton një dietë të shëndetshme dhe aktivitet të rregullt fizik. Duke qenë se fëmijët dhe të rinjtë sot janë të ekspozuar ndaj teknologjisë më shumë se më parë, teknologjia është shkaku më i zakonshëm i reduktimit të aktivitetit fizik. Të qenit adoleshent sot është një sfidë për adoleshentët si dhe një sfidë për prindërit se si t’i përfshijnë fëmijët e tyre në aktivitete sportive. Përveç faktit se të merresh me sport do të thotë një jetë më e shëndetshme dhe më aktive dhe rrjedhimisht zhvillim më i mirë, sporti i ofron edhe disa përparësi. Ka më shumë se vetëm përfitime fizike për adoleshentët që merren me sport. Sporti i ndihmon ata emocionalisht dhe mendërisht. Ka shumë arsye pse adoleshentët duhet të merren me sport dhe në vijim i gjeni disa nga përfitimet që i ofron angazhimi në sport:

 

Vetëbesimi dhe sporti

Vetëbesimi është një nga përparësitë më të rëndësishme që mësohet ose fitohet nga sporti. Kur një adoleshent fiton ndërsa luan me ekipin e tij, ai/ajo ndihet i realizuar dhe i njohur për këtë. Edhe nëse nuk e fiton lojën, ai/ajo mund të mësojë një mësim të vlefshëm prej saj – se nuk mund të fitosh çdo herë. Nga ana tjetër, nëse e përjeton një disfatë me skuadrën e vet, kjo mund të rrisë edhe vetëvlerësimin, sepse kështu ai/ajo mëson dhe ndihet krenar/e që e ka dhënë maksimumin.

 

Aftësi për të punuar në grup dhe për zgjidhjen e problemeve

Një përparësi tjetër e marrjes me sport është të mësosh se si të angazhohesh në një ekip. Kur merret me sport, një individ mëson të mbështetet dhe të varet nga njëri-tjetri, si dhe të motivojë veten së bashku me të tjerët për të arritur një qëllim të përbashkët. Kjo i ndihmon ata të përvetësojnë aftësitë e vërteta sportive, sepse përmes sportit, një individ në të vërtetë përballet me një mësim jetësor të punës në grup.

 

Angazhimi në sport mund të përmirësojë performancën akademike

Ekziston një lidhje e ngushtë midis një adoleshenti që merret me sport suksesit në shkollë. Arsyeja është se sporti gjithmonë përqendrohet te mbamendja, përsëritja dhe një sërë aftësish mësimore që lidhen drejtpërdrejt me aftësitë akademike. Vendosmëria dhe aftësitë për vendosjen e qëllimeve që i kërkon sporti mund të lidhen me mësimin në shkolla.

 

Miqësia

Marrja me sport u mundëson adoleshentëve të krijojnë miqësi. Miqësia zhvillohet kur ata luajnë së bashku me adoleshentë nga shkolla, lagje apo komunitete të ndryshme. Miqësitë që i krijojnë vazhdojnë edhe nëse nuk luajnë shpesh.

 

Komunikimi më i mirë

Marrja me sport i vendos adoleshentët në situata të përditshme ku ata kanë nevojë të shprehin veten dhe të eksplorojnë të tjerët, sepse e promovon punën në grup dhe nxit marrëdhëniet e ndërsjella. Ata gjithashtu bëhen më të mirë në komunikimin me njëri-tjetrin, jo vetëm që komunikojnë më mirë, por e bëjnë këtë me shumë vetëbesim dhe hir.

 

Sporti ndihmon në formimin e identitetit

Ashtu si aktivitetet e tjera jashtëshkollore, marrja me sporte ofron përfitime unike pozitive në ndërtimin e identitetit. Sportet janë një mënyrë e shkëlqyer që adoleshentët të formojnë një identitet jashtë familjes së tyre. Dhe meqenëse shumica e sporteve zhvillohen pas shkollës, adoleshentët e kanë mundësinë të trasojnë rrugën e tyre jashtë identitetit të tyre në klasë.

 

Zvogëlon faktorët e sjelljes së rrezikshme

Ndoshta arsyeja më e mirë pse një adoleshent duhet të merret me sport është se sporti i zvogëlon faktorët që lidhen me sjelljen e rrezikshme. Sipas hulumtimeve, sportet e të rinjve i ndihmojnë dhe parandalojnë rreziqet e sjelljeve negative, si përdorimi dhe konsumimi i substancave psikoaktive dhe alkoolit dhe pirja e tepërt e duhanit, sepse sportet konkurruese e ofrojnë një mundësi për shprehje, miqësi dhe agresion të kontrolluar. Adoleshentët që kanë ndikim pozitiv dhe miq, ndjejnë më pak nevojë për të marrë pjesë në sjellje të rrezikshme, është një nga përfundimet e hulumtimit të lartpërmendur.

 

Sportet ju lejojnë të mësoni nga modelet

Të qenët pjesë e një ekipi i lejon adoleshentët të krijojnë lidhje me mentor. Trajnerët e sportit – ndërsa stërvitin – nuk janë as mësues e as prindër. Ata i ndihmojnë adoleshentët të mësojnë dhe të rriten në mënyra të reja dhe të ndryshme, sipas një grupi unik rregullash dhe normash, ndërsa u mësojnë atyre aftësi që nuk i mësojnë në shtëpi apo në klasë. Një trajner i mirë mund t’i frymëzojë nxënësit atletët e tij që të bëhen më të mirë, më të pjekur dhe mund të rrënjos tek ata një ndjenjë përgjegjësie, pune të palodhur, disipline dhe shpirti sportiv.

 

Sporti e ruan shëndetin

Ushtrimet e përfshira në shumicën e sporteve e përmirësojnë shëndetin, forcën dhe ekuilibrin emocional të një adoleshenti. Marrja me sport shoqërohet edhe me ulje të sëmundjeve të zemrës dhe diabetit. Dhe në fund, t’ju kujtojmë: mendja e shëndetshme në trup të shëndetshëm.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE