DONACIONET E CIMIC-UT PËR SHËRBIME MË TË MIRA PËR QYTETARË

Gjatë muajve të fundit të vitit 2019, njësia CIMIC (Njësia për Bashkëpunim Civil-Ushtarak) e KFOR-it vazhdoi traditën e saj për të ndihmuar qytetarët përmes projekteve të donacioneve. Në fund të nëntorit, ata i dorëzuan pajisje zjarrfikësve në Mitrovicën e Veriut. Në fillim të dhjetorit, një donacion i furnizimeve mjekësore iu dorëzua Shtëpisë së Shëndetit në Leposaviq.

 

Shiringa, gjilpëra, gazë, dezinfektues, shirita për testimin e glukozës – ishin vetëm një pjesë e gjithsej 25 artikujve të ndryshëm që janë dërguar në këtë institucion. Donacioni ka vlerë të veçantë duke marrë parasysh sfidat me të cilat përballet Shtëpia e Shëndetit sa i përket dërgesave të furnizimeve mjekësore të cilat atyre i nevojiten çdo ditë, si dhe për shkak të një numri në rritje të pacientëve gjatë muajve të dimrit. Institucioni, me dy salla urgjence – në Soqanicë dhe Leshak – dhe mbi 120 të punësuar, kryen 300 deri 350 ekzaminime në ditë.

“Ato që ne i kemi kërkuar janë gjërat që vërtetë neve na nevojiten për nevojat tona të përditshme, do të na ndihmojnë shumë në punën tonë të përditshme dhe në ofrimin e shërbimeve për pacientët,” tha drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit Ljiljana Vukadinoviq gjatë ceremonisë së dorëzimit të donacioneve, në të cilën mori pjesë stafi i institucionit. “Faleminderit, para së gjithash, që jeni këtu dhe që keni qenë gjithmonë këtu,” tha ajo më tej, duke falënderuar veçanërisht ekipin LMT (Ekipi Ndërlidhës Monitorues) përgjegjës për rajonin e Leposaviq-it.

 

“Ata gjithmonë kanë qenë të interesuar në lidhje me nevojat tona, ata kanë treguar se ata nuk janë këtu vetëm për të ruajtur paqen dhe rendin, por edhe për të na ndihmuar”, shtoi ajo, duke kujtuar se kjo nuk është hera e parë që KFOR-i ka ndihmuar institucionin që ajo menaxhon, dhe që më parë, ata ndihmuan në furnizimin me pajisje të një zyre dentare në shkollën fillore lokale, e që, shpjegoi ajo, ishte një veprim i përbashkët për shkollën dhe për Shtëpinë e Shëndetit.
“Faleminderit, ju jeni gjithmonë të mirëseardhur dhe shpresojmë që bashkëpunimi të vazhdojë,” përfundoi ajo.

 

“Fjalët e juaja më lumturuan dhe sigurisht që do t’ia përcjell këtë mesazh Komandantit të KFOR-it,” tha kreu i CIMIC, Pasi Juha Sunila. “Jam i lumtur dhe krenar që jam sot këtu. Ky është materiali që e keni kërkuar, gjithsej 25 artikuj të ndryshëm. Shpresoj se do ta përdorni për të mirë”, shtoi ai.

 

Nga fjalët e nënkryetarit të komunës së Leposaviqit, Rados Mihajlloviq, është e qartë se ky donacion, si dhe bashkëpunimi me KFOR-in, është i rëndësishëm për përfituesit e shërbimeve të Shtëpisë së Shëndetit. Ai, në emër të vetëqeverisjes lokale dhe kryetarit të komunës, u falënderua për donacionin. “Ne kemi pasur bashkëpunim të mirë gjatë 20 viteve të kaluara, nuk ka pasur probleme në komunën tonë, shpresojmë se do të vazhdojë kështu edhe në të ardhmen”, tha Mihajlloviq.

KUTI TEKSTI

Më parë, njësia CIMIC ka dorëzuar pajisje në vlerë prej 4,000 € – tuba, maska, pompa, një sharrë elektrike me zinxhir – në stacionin e zjarrfikësve në Mitrovicë të Veriut. “Donacioni është shumë i rëndësishëm për KFOR-in dhe qëllimi kryesor është që ne, si KFOR, të ndihmojmë sa më shumë që të jetë e mundur,” tha kreu i CIMIC, Pasi Juha Sunila, duke shtuar se falë donacionit në stacionin e zjarrfikësve, zjarrfikësit do të mund të ndihmojnë një komunitet më të gjerë.
Sipas komandantit të stacionit, Ranko Ristoviq, donacioni është i rëndësishëm sepse do t’i ndihmojë atyre që të ofrojnë shërbime me cilësi më të mirë për qytetarët. “Dua të falënderoj KFOR-in dhe Ekipin Ndërlidhës Monitorues në Mitrovicën e Veriut për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm. Me këtë ndihmë, ne do të jemi shumë më të përgatitur se sa kemi qenë deri më tani. Ne kemi bashkëpunim të mirë me kolegët tanë në Mitrovicën e Jugut, dhe mesazhi im është që të gjithë duhet të fillojnë të punojnë më shumë, dhe të merren me politikë më pak.” tha Ristoviq.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE