DRUNJTË MË TË VJETËR, MË TË GJATË, MË TË GJERË DHE MË TË MËDHENJË NË BOTË!

Deri më sot drunjtë janë organizmat e gjallë më të nënvlerësuar në planetin tonë. Në sytë e njerëzve të pavëmendshëm, drunjtë janë vetëm rrotulla të letrës së tualetit – objekte të përditshme, të cilat mund të shfrytëzohen gjithmonë. Këto organizma të gjalla madhështore shkatërrohen çdo ditë, gjë që në thelb është pikëlluese dhe alarmuese.
Drunjtë janë arsyeja pse ne jemi gjallë ende dhe pse njerëzimi ka arritur këtu ku është sot. Ky artikull iu është dedikuar drunjve që kanë arritur të mbijetojnë me mijëra vjet dhe përgjatë jetëgjatësisë së tyre i kanë arritur disa rekorde të mrekullueshme.
DRURI MË I VJETËR NË BOTË: OLD TJIKKO 9.550 VJET)
Druri më i vjetër i klonuar në botë (bredh norvegjez) është 9.550 vjeçar dhe gjendet në malin Fulufjallet në provincën suedeze Dalama. Atë e ka zbuluar profesori i gjeografisë fizike Leif Kullman, i cili më pas ia vuri emrin e qenit të tij të vjetër “Tjikko”.
Në shikim të parë, ky dru 5 metra i gjatë, mbase nuk duket si organizmi më i vjetër i gjallë, por, mos u mashtroni nga madhësia. Me mijëra vjet, ky dru me sukses i është përshtatur të gjitha ndryshimeve klimatike të cilat kanë ndikuar në zonën ku ai jeton. Besohet se arsyet pse ky dru ka mbijetuar kaq gjatë janë klonimi vegjetativ dhe shtresimi.
DRURI MË I VJETËR I PA KLONUAR NË BOTË: METHUSELAH (4.845 VJET)
Methuselah (Metusalemi) është një lloj i pishës i cili rritet lart në malet e bardhe të Kalifornisë Lindore. Emri i është dhënë sipas personazhit jetëgjatë fetar i cili ka jetuar pothuajse 1.000 vjet. Për dallim nga Tjikko, i cili ka mbijetuar falë “vetë klonimit”, besohet se Methuselah është organizmi i pa klonuar më i vjetër i gjallë. Ai është testuar në mënyrë dendrokronologjike (me numërimin e unazave).
DRURI MË I GJATË NË BOTË: HYPERION (115,6 METRA)
Hyperioni është zbuluar më 25 gusht 2006, nga natyralistët Chris Atkins dhe Michael Taylor, në një zonë shumë të thellë të Parkut Kombëtar dhe Shtetëror Redwood në Kaliforni. Besohet se ai është diku 700-800 vjet i vjetër. Studiuesit, besojnë se ky dru ka mundur të jetë edhe më i gjatë se 116 metra, mirëpo, për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga qukapikët në majën e tij, aktualisht ai është ndalur në lartësinë 115,6 metra. Ndonëse, disa drunj të tjerë kanë qenë edhe më të lartë se ky vigan, shumica ranë pre e shpyllëzimit të rajonit të Redwood në mesin e viteve 60-të të shekullit të kaluar.
DRURI MË I MADH NË BOTË: GJENERALI SHERMAN
Ndonëse shumë drunj të tjerë janë më të gjatë dhe më të gjerë, ata nuk i afrohen as deri te gjuri famëkeqit Gjeneral Sherman. Ky dru ia tejkalon çdo organizmi tjetër të gjallë në planetin tonë me vëllimin e tij të tërësishëm (pa i llogaritur edhe degët e tij) dhe ai konsiderohet se është organizmi më i madh i gjallë në planetin tonë. Mosha e tij përllogaritet të jetë diku mes 2.300 dhe 2.700 vjet. Ai, iu ka mbijetuar një sërë zjarresh, ndryshimeve klimatike dhe njerëzve bashkëkohor. Me peshën e tij që llogaritet të jetë diku rreth 1.385 tonelata, gjatësinë prej 83,8 metra dhe diametër prej 11,1 metra, në thelb ai është organizmi me rritjen më të shpejtë në këtë planet. Në vitin 1879 atij iu dha emri i gjeneralit të Luftës Civile Amerikane William Tecumseh Sherman.
DRURI MË I GJERË NË BOTË: ARBOL DEL TULE
El Arbol del Tule (në gjuhën spanjolle druri i Tule) është një selvi e cila gjendet në qendër të qytetit Santa Maria del Tule në shtetin meksikan Oaxaka. Në fakt, qyteti e ka marr emrin sipas këtij druri. Me moshë rreth 1.400 vjet, besohet se ky dru e ka trungun më të gjerë në botë, me një diametër prej rreth 11,62 metra. Kanë ekzistuar dyshime se trungu përbëhet nga disa drunj, por, pas analizave të detajuara të ADN-së, është vërtetuar se me të vërtetë bëhet fjalë për një dru të vetëm. Për fat të keq në fillim të viteve ’90-të të shekullit të kaluar është zbuluar se druri gradualisht është duke vdekur si pasojë e ndotjes së ajrit (mbi 8.000 makina kalojnë në magjistralen përbri) dhe mungesës së ujit.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE