FAKTE MAHNITËSE PËR KANALIN E SUEZIT

 

Kanali i Suezit është një rrugë detare që shtrihet nga veriu drejt jugut përmes istmusit të Suezit në Egjipt, i cili e lidh Detin e Mesdheut me Detin e Kuq. Ky kanal e ndan Afrikën nga Azia dhe e ofron rrugën më të shkurtër detare në mes të Evropës dhe tokave përreth oqeanit Indian dhe Oqeanit Paqësor perëndimor. Në vijim ju ftojmë t’i lexoni disa fakte mahnitëse për këtë projekt madhështor.

 

Origjina e tij daton që nga koha e Egjiptit Antik

Kanali i Suezit, siç e njohim sot është rruga detare më e re e krijuar nga njeriu që e ka përshkuar territorin e Egjiptit. Faroni Egjiptian Senusreti i III mund ta ketë ndërtuar një kanal të hershëm për të lidhur Detin e Kuq dhe Lumin Nil rreth vitit 1850 p.e.s. Madje, sipas burimeve antike, faraoni Necho i II dhe pushtuesi pers Darius që të dy i filluan dhe më pas i braktisën punimet në një projekt të ngjashëm. Supozohet që kanali u përfundua gjatë Dinastisë Ptolemiake në shekullin e 3 p.e.s. dhe shumë figura historike duke e përfshirë edhe Kleopatrën mund të kenë lundruar në të. Për dallim nga kanali modern i drejtë, ky kanal antik i njohur si Kanali i Faraonëve është përdredhur përmes shkretëtirës deri te Lumi Nil nga ku më pas kalohej në Detin mesdhe.

 

Napolon Bonaparti e shqyrtoi mundësinë për ta ndërtuar

Pasi e pushtoi Egjiptin në vitin 1798, Napolon Bonaparti e dërgoi një ekip të matësve për të studiuar arsyeshmërinë e prerjes së istmusit të Suezit dhe ndërtiit të një kanali nga Deti i Kuq në Detin Mesdhe. Mirëpo, pas katër ekskursioneve të ndryshme në këtë rajon, vëzhguesit gabimisht dolën në përfundimin që Deti i Kuq ishte së paku 10 metra më lartë se Deti Mesdhetar. Çdo përpjekje për ndërtimin e një kanali, paralajmëruan ata do të shkaktonte vërshime katastrofike në Deltën e Nilit. Ky gabim ia ndërroi mendjen Napolonit për realizimin e këtij projekti dhe kjo bindje mbeti deri në vitin 1847, kur një ekip i hulumtuesve më në fund e konfirmoi që nuk kishte ndonjë dallim të madh në lartësi në mes të Detit të Kuq dhe atij Mesdhetar.

 

Qeveria britanike e kundërshtoi me ngulm ndërtimin e tij

Planifikimi për ndërtimin e Kanalit të Suezit filloi zyrtarisht në vitin 1854, kur një ish diplomat francez Ferdinand de Lesseps e mbylli një ujdi me mëkëmbësin e Egjiptit që të themelonin Kompaninë e Kanalit të Suezit. Duke qenë se kanali i propozuar nga Lesseps mbështetej nga Perandori Francez Napoloni i II, shumë burrështetas britanik e konsideruan ndërtimin e tij si një skemë politike për të dobësuar dominimin e tyre global detar. Ambasadori britanik në Francë deklaroi që ndërtimi i kanalit do të ishte një akt vetëvrasës, dhe kur Lesseps tentoi që të shiste aksione të kompanisë së kanalit, gazetat britanike e quajtën projektin si një plaçkitje e hapur e trilluar për të mashtruar njerëzit e thjeshtë. Gjatë tërë kohës së ndërtimit të kanalit britanikët e kritikuan këtë kanal, por më vonë i blenë 44 për qind të aksioneve të rrugës detare pasi që Qeveria Egjiptiane në nevojë për para i hodhi në ankand aksionet e saj në vitin 1875.

 

Kanali u ndërtua me përdorimin e punës së detyruar të fshatarëve dhe makinerive më të përparuara të kohës

Ndërtimi i Kanalit të Suezit kërkoi krahë pune të jashtëzakonshëm, dhe Qeveria Egjiptiane fillimisht e siguroi pjesën më të madhe të punëtorëve duke i detyruar të varfrit që të punojnë për pagesë minimale dhe duke i kërcënuar me dhunë. Nga fundi i vitit 1861 dhjetëra mijëra fshatarë filluan të gërryenin kanalin duke përdorur kazma dhe lopata. Mirëpo, në vitin 1863 sunduesi i Egjiptit Ismail Pasha papritur e ndaloi përdorimin e punës së detyruar. Për këtë arsye kompania e ndërroi qasjen e saj dhe filloi të përdorte me qindra lopata që viheshin në punë me avull dhe thëngjill. Teknologjia i dha projektit hovin që i duhej për të përparuar dukshëm gjatë dy viteve të fundit të ndërtimit.

 

Statuja e Lirisë fillimisht u mendua të ndërtohej për Suezin

Teksa ndërtimit të kanalit po i vinte fundi në vitin 1869, skulptori francez Frédéric-Auguste Bartholdi u mundua që të bindte Ferdinand de Lesseps dhe Qeverinë Egjiptiane që ta lejonin të ndërtonte një skulpturë të quajtur “Egjipti i Sjell Dritë Azisë” në hyrjen e kanalit në Detin Mesdhe. I frymëzuar nga Kolosi i Rodit, Bartoldi planifikonte ta ndërtonte një skulpturë rreth 30 metra të lartë të një femre në veshje egjiptiane me një flakadan masiv në dorë, i cili do të shërbente edhe si far për t’i drejtuar anijet në hurjen e kanalit. Ky projekt nuk u realizua kurrë, por Bartoldi nuk u dorëzua.më në fund ai e realizoi ëndrrën e tij në portin e Nju Jorkut me Statujën e Lirisë e cila zyrtarisht u quajt Liria e Ndriçon botën.

 

Krijuesi i Kanalit të Suezit më vonë tentoi por dështoi në ndërtimin e Kanalit të Panamasë

Pasi triumfoi ndaj kritikëve të tij me përfundimin e Suezit, Ferdinand de Lesseps e përqendroi vëmendjen për hapjen e një kanali në istmusin e Panamasë në Amerikën Qendore. Punë për këtë projekt të dytë filloi në vitin 1881, por kësaj radhe Lesseps dështoi. Më shumë për këtë mund të lexoni këtu.

Kanali i Suezit e luajti një rol kyç gjatë Luftës së Ftohtë

Në vitin 1956 Kanali i Suezit ishte qendra e një lufte të shkurtër në mes të Egjiptit dhe forcave të bashkuara të Britanisë, Francës dhe Izraelit. Ky konflikt e kishte origjinën në okupimin ushtarak të zonës së kanalit nga Britania edhe pasi Egjipti e fitoi pavarësinë. Egjiptianët nuk e pëlqenin ndikimin kolonial dhe tensioni shpërtheu në vitin 1956 kur Kryetari i Egjiptit Gamal Abdel Naser e nacionalizoi Kanalin e Suezit. Forcat e tri vendeve të bashkuara e sulmuan Egjiptin dhe arritën pothuajse deri te kanali por u tërhoqën në turp pas dënimit të sulmit nga SHBA-të dhe kërcënimi për sulm nuklear nga Bashkimi Sovjetik. Pas këtij skandali Kryeministri britanik Anthony Eden dha dorëheqje dhe Kanali i Suezit mbeti nën kontrollin e Egjiptit.

 

Një flotë e anijeve mbeti e ngujuar në kanal për më shumë se tetë vjet

Në vitin 1967 gjatë Luftës Gjashtë Ditëshe në mes të Egjiptit dhe Izraelit, Kanali i Suezit u mbyll nga qeveria egjiptiane dhe u bllokua në të dyja anët me mina dhe pengesa të tjera. Në këtë kohë 15 anije ndërkombëtare ishin të ankoruara brenda kanalit dhe ato mbetën të ngujuara aty për tetë vite. Ekuipazhet e anijeve e ndihmuan njëra-tjetrën dhe dhe zhvilluan edhe pullat e tyre postare si dhe një sistem tregtar të tyrin. Anijet u lejuan të largoheshin në vitin 1975, mirëpo vetëm dy prej anijeve ishin në gjendje që të lundronin.

 

Në vitin 2015, kanali iu nënshtrua një meremetimi masiv

Për vite të tëra pengesë e madhe e kanalit ishte gjerësia e tij e vogël dhe thellësia e cektë, dhe për këtë arsye nuk mund të zhvillohej trafiku dy drejtimesh për anijet tankerë moderne. Në vitin 2014 Autoriteti Egjiptian e Kanalit të Suezit e bëri të ditur planin ambicioz për thellimin dhe zgjerimin e kanalit. Punimet filluan në vitin 2015 dhe në fund të tyre kanalit iu shtua një shteg i ri paralel me gjatësi 32 kilometra si dhe u thellua kanali kryesor. Sidoqoftë, këto përmirësime nuk ishin të mjaftueshme dhe në vitin 2021 një anije me kontejnerë që po udhëtonte nga Kina ngeci në kanal dhe i bllokoi rreth 100 anije në të dyja anët e kanalit për pothuajse një javë, duke shkaktuar çrregullime serioze në tregtinë globale.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE