FESTIVALI I KAFESË: KOJSHI, HAJDE N’KAFE!

 

“Kojshi, hajde n’kafe!” është motoja e edicionit të parë të Festivalit të Kafesë në Mitrovicë, i cili u mbajt së fundmi në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

 

Falas kafe dhe perecë të famshëm të Mitrovicës për ‘zogjtë e hershëm’

Në këtë ngjarje unike në urën e Mitrovicës morën pjesë qindra vizitorë të të gjitha moshave, shumica e të cilëve ishin banorë të pjesëve jugore dhe veriore të Mitrovicës, por edhe përfaqësues të sektorit civil, organizatave ndërkombëtare dhe mediave të ndryshme. Por, mbi të gjitha ata ishin adhurues të vërtetë të kafesë. Për më tepër, vizitorët e parë u trajtuan me kafe falas dhe perecët e njohur të Mitrovicës.

 

Përfaqësuesit e organizatorëve të kësaj ngjarje – ‘Community Building Mitrovica’ (CBM), organizatë joqeveritare lokale (OJQ) që vepron në fushën e ndërtimit të paqes dhe komunitetit në rajonin e gjerë të Mitrovicës – theksuan se kanë ardhur në idenë për këtë ngjarje sepse pirja e kafesë është një nga zakonet më të rëndomta që i bashkon njerëzit në të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

 

Ftesë e hapur për ta shijuar së bashku një filxhan kafeje të mirë

Milica Jakovleviç, menaxhere e projektit në CBM tha për Revistën 4You se i ftuan të gjithë njerëzit nga jugu dhe veriu i Mitrovicës që t’iu bashkohen dhe të pinë një kafe së bashku dhe të shijojnë muzikë të mirë. “Ky aktivitet është financuar nga USAID-i dhe si i tillë është shumë i rëndësishëm sepse u mundësoi bizneseve nga veriu dhe jugu që të bashkëpunojnë, të shesin kafen e tyre dhe të njihen dhe të krijojnë lidhje për bashkëpunimin e tyre në të ardhmen”, znj. shtoi Jakovljevic. Ajo vazhdoi duke theksuar se është e kënaqur me numrin e konsiderueshëm të të rinjve që iu përgjigjën kësaj ftese që në fillim të këtij festivali. Mesazhi i saj për ta ishte fare i thjeshtë: “Kënaquni me diversitetin tuaj, shoqërohuni dhe jepini njëri-tjetrit mundësinë që të njiheni dhe ta gëzoni çdo ditë”.

 

Një festival unik për një qytet unik

Gjatë fjalës së hapjes së festivalit, drejtoresha e CBM, Afërdita Sula, me kënaqësi tha se ky është i vetmi festival i kafesë që organizohet jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Sipas saj, synohet që t’u ofrohet mundësi njerëzve në Mitrovicë që të bashkohen dhe për një periudhë të shkurtër t’i lënë anash shqetësimet e tyre të përditshme. Ajo po ashtu u përkujtoi të gjithëve se Mitrovica ka qenë gjithmonë qytet i muzikës, kulturës dhe sportit, andaj shpreson se ky festival të rikthehet edhe vitin e ardhshëm.

 

Këto ngjarje janë të rëndësishme

Gjatë këtij organizimi, ekipi ynë pati mundësinë që të bisedojë me Blinera Kajtazi, një nga vizitorët e festivalit. Ajo theksoi se ngjarjet e tilla i kanë munguar Mitrovicës, sidomos pas pandemisë, që sipas saj e bën këtë ngjarje edhe më të këndshme. “Sigurisht që është e nevojshme që ne të bashkëpunojmë. Besoj se duhet të bëjmë ‘ura lidhëse’ që na mundësojnë të takohemi me bashkëmoshatarët tanë serbë dhe të zhvillojmë aktivitete të përbashkëta”, shtoi ajo.

 

Kafe, muzikë dhe art

Përveç kafesë dhe perecëve, festivali i kafesë u pasurua me performanca muzikore dhe instalacione artistike. I pari që u ngjit në skenë ishte grupi multietnik Rock Music School, i ndjekur nga performancat e grupit Jimmy Mustafa, DJ Butrint Behrami dhe DJ Shvacka.

 

Duhet ta ndryshojmë imazhin e kësaj ure

Festivali ishte i hapur për të gjithë. Megjithatë, qëllimi i tij kryesor ishte që t’iu ofronte një mundësi shqiptarëve dhe serbëve të cilët jetojnë në Mitrovicë që të bashkohen dhe shpresojmë se do të iniciojnë kontaktet e para për bashkëpunime në të ardhmen. “Për vite me radhë, ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë simbolikisht ka shërbyer si pikë ndarjeje e jo lidhjeje. Kjo është e padrejtë kur mendon se gjatë historisë njerëzit kanë ndërtuar ura për t’i përmirësuar lidhjet dhe për t’i kapërcyer pengesat”, tha znj. Nerimane Ferizi, zyrtare e programit CBM. Ajo vazhdoi duke shtuar se kjo ftesë e hapur për të pirë kafe së bashku iu drejtohet veçanërisht brezit të ri sepse u jep atyre një mundësi fantastike për ta nisur punën dhe për ta përmirësuar imazhin ekzistues të urës si dhe të gjithë qytetit të Mitrovicës.

 

Në fund të festivalit, organizatorët e shprehën shpresën e tyre se ky do të jetë fillimi i një tradite të madhe dhe se në të ardhmen mund ta zgjerojnë festivalin ashtu që të zgjasë më shumë se vetëm një ditë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE