FILLON MËSIMI NË DISTANCË

Siç është paralajmëruar javën e kaluar, sot do të fillojë zbatimi i projektit të mësimit në distancë. Mësimi do të fillojë sot nga ora 11:15 me transmetimin e ligjëratave të para në kanalet televizive RTK 1 dhe RTK4. Siç dihet, ky projekt vjen si përgjigje ndaj gjendjes së krijuar nga përhapja e pandemisë së Koronavirusit. Synimi i tij është që fëmijët të cilët duhet të qëndrojnë në shtëpi të kenë një platformë e cila do t’iu mundësojë që të mos ngecin në mësime për shkak të gjendjes së karantinës.

 

Në një prononcim në lidhje me këtë projekt ministrja për arsim Hykmete Bajrami theksoi se për të qenë i suksesshëm, ky projekt ka nevojë që trekëndëshi nxënës-prindër-mësimdhënës të jetë funksional më shumë se kurrë më parë. Prandaj, ajo u bëri thirrje prindërve dhe mësimdhënësve që të angazhohen maksimalisht. “Për të qenë e suksesshme kjo nismë nuk duhet të mbetet një projekt i MASHT-it por, duhet të bëhet projekt i të gjithë neve. Prindërit duhet të sigurohen që fëmijët t’i ndjekin ligjëratat që do të transmetohen në dy kanalet e transmetuesit publik – RTK 1 dhe RTK 4,” tha ministrja Bajrami. Ajo, vazhdoi më tej duke theksuar se mësimdhënësit duhet t’i shfrytëzojnë mënyrat e ndryshme të komunikimit për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me nxënësit e tyre dhe për t’i ndihmuar ata me informacione plotësuese në lidhje me ligjëratat që do të transmetohen në kuadër të këtij projekti.

 

Ministrja Bajrami ua rikujtoi fëmijëve dhe prindërve se të gjitha materialet mësimore në kuadër të këtij projekti do të publikohen në internet. Ajo, po ashtu, theksoi se tashmë është duke u punuar në krijimin e një kanali zyrtar të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në Youtube, ku do të postohen të gjitha materialet e transmetuara në kanalet e RTK. Aty, po ashtu do të mund të gjenden materiale plotësuese edhe nga vendet e tjera dhe të gjitha organizatat që ofrojnë burime dhe materiale mësimore falas të cilat do të shërbejnë si mësim shtesë, në mënyrë që nxënësit të kenë sa më shumë burime për të mësuar dhe për të mos ngecur në punën e tyre.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE