GEPARDI – KAFSHA MË E SHPEJTË TOKËSORE

 

Gepardi (ose çita) është një prej maceve të mëdha e cila jeton në Afrikë dhe Iranin Qendror. Mirëpo, ajo që e dallon gepardin nga të gjitha macet e tjera të mëdha (luani, tigri, leopardi, jaguari) është shpejtësia. Në fakt kjo mace është kafsha tokësore më e shpejtë e cila mund të vrapojë me shpejtësi nga 80-128 km/h. përderisa shpejtësitë e regjistruara zyrtarisht janë 93-98 km/h.

 

Konstrukti i trupit

Trupi i kësaj kafshe është i përshtatur maksimalisht për zhvillimin e shpejtësive të tilla marramendëse. Duke filluar nga pesha e lehtë, këmbët e holla dhe të gjata dhe bishti i gjatë. Pesha e një gepardi të rritur sillet nga 21 deri në 72 kilogramë, dhe gjatësia e trupit të tyre është nga 1,1 deri  në 1,5 metra. Kokën e kanë të vogël me turi të shkurtër dhe dy shirita të zinj anash fytyrës që ngjasojnë sikur rrjedha të lotëve. Lëkura e tyre zakonisht ka ngjyrë krem dhe është e mbuluar me njolla të zeza.

Preja e preferuar

Gepardët gjuajnë kafshë të vogla dhe të mesme, kryesisht thundrakët si impalat dhe gazelat. Falë shpejtësisë së tyre gepardët i afrohen tinëz presë së tyre deri në 60-70 metra dhe më pas i sulen me shpejtësi. Gjatë këtij sulmi mundohen që ta rrëzojnë prenë dhe më pas i hidhen në fyt për ta ngulfatur. Përkundër shpejtësisë së madhe që mund ta zhvillojnë, pika e tyre e dobët është që këtë mund ta bëjnë vetëm për distanca të shkurtra.

 

Etimologjia

Emri i tyre çita rrjedh nga gjuha urdu e hindustanit, e që në fakt rrjedh nga fjala Chitra-ya nga sanskritja e vjetër e që do të thotë laraman ose i ngjyrosur. Në të kaluarën është quajtur edhe leopardi i gjuetisë pasi që mund të zbuten dhe të përdoren për gjueti.

Këlyshët e gepardit

Për shkak se këlyshët e gepardit janë të pafuqishëm gjatë gjashtë javëve të para të jetës së tyre, nënat e tyre i mbajnë ata të fshehur në zona me barë të gjatë për të shmangur grabitqarët e ndryshëm. Vet këlyshët e kanë trupin të mbuluar me një gëzof me qime të gjata dhe të mprehta, që njihet me emrin mantel, dhe i cili është një kamuflim i përsosur në barin e gjatë. Gepardët e vegjël pavarësohen rreth 20 muajsh kur edhe nuk varen më nga nënat e tyre as për mbrojtje dhe as për ushqim.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE