GjM ANGELO MICHELE RISTUCCIA “FORMËSOJMË TË TASHMEN PËR NJË TË ARDHME MË TË MIRË”

 

Që nga muaji tetori i vitit 2022, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia e ka marrë komandën si Komandanti i XXVII i KFOR-it. Përpos përvojës së tij të gjatë ushtarake në pozita të ndryshme komanduese në Itali dhe në misione Ndërkombëtare, gjeneralmajor Ristuccia gjithashtu i ka tri diploma në: Shkenca Politike, Shkenca Strategjike, Shkenca Ndërkombëtare dhe Diplomatike. Ai gjithashtu ka diplomë “Master” në Shkenca Ndërkombëtare Strategjike dhe diplomë “Master” në Shkenca Strategjike. Mirëpo, mbi të gjitha ai është një bashkëshort dhe baba i përkushtuar. Revista “4You Magazine” e kishte kënaqësinë që ta intervistojë Komandantin e ri të KFOR-it dhe ne ju ftojmë që t’i lexoni përgjigjet e tij në vijim.

 

4You: Kosova shquhet për shoqërinë e saj të larmishme. Si mundet brezi i ri të përfitojë nga ky diversitet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten e tyre?

GjM Ristuccia: Diversiteti është vlerë për sa kohë që perceptohet si vlerë e shtuar, si diçka shtesë në sensin e shëndoshë që lejon importimin e elementeve të rritjes kulturore dhe sociale. Brezat e rinj mund të përfitojnë nga dallimet e njëri-tjetrit duke zhvilluar një ndjenjë respekti dhe tolerance që vjen vetëm nga leximi, informimi, studimi i realitetit të botës pa u ndikuar dhe pa u kushtëzuar. Të studiosh do të thotë të jesh kurioz, të kesh ëndrra dhe të mos ndalosh kurrë të mendosh se ato mund të realizohen. Një ëndërr mund të realizohet vetëm nëse ka respekt, tolerancë të ndërsjellë dhe dialog. Kjo mënyrë e të menduarit buron nga studimi dhe nëse dhuna nuk mund të frenohet, është e pamundur të vazhdohet rritja e shoqërisë dhe të kontribuohet në një të ardhme paqësore. Qytetërimi është kulturë, diversiteti është një vlerë dhe diversiteti mëson tolerancën: nëse dikush është i ndryshëm nga ne, atëherë ne mund të rritemi. Paqja dhe siguria janë përbërësit më të mirë për zhvillimin e shoqërive.

4You: Çfarë mund të bëjë rinia kosovare për të kontribuar në krijimin e një të ardhmeje paqësore dhe stabiliteti afatgjatë në Kosovë?

GjM Ristuccia: Të rinjtë mund të kontribuojnë duke zhvilluar ndjenjën e respektit dhe tolerancës, që vjen vetëm nga studimi, leximi dhe hapja e syve ndaj realitetit të botës, duke u përpjekur të mos kushtëzohen nga ajo që mund të kenë/marrin lehtësisht, veçanërisht në këtë botë të globalizuar. Një ëndërr mund të realizohet vetëm nëse dikush është i vetëdijshëm se dialogu, toleranca dhe respekti janë baza e marrëdhënieve midis njerëzve. Unë besoj para së gjithash se roli im dhe roli i KFOR-it është të ndihmojë në krijimin e kushteve të nevojshme, për brezat e rinj, për të jetuar dhe rritur në një mjedis të sigurt, me mundësi për të lëvizur lirshëm brenda territorit: kushte që janë thelbësore për të lejuar brezat e rinj të njohin njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për çështje kyçe si klima, të drejtat e njeriut dhe demokracia. Besoj se një brez që u rrit pa përjetuar nga afër tragjeditë e së shkuarës ka një detyrë morale të ndjekë paqen, një proces të pakthyeshëm, si dhe një kusht të domosdoshëm për zhvillim.

 

4You: A mund ta ndani një përvojë të rinisë suaj që mendoni se ka ndihmuar në formësimin e personit që jeni sot?

GjM Ristuccia: Mësuesi im i letërsisë klasike (latinisht dhe greqisht), që më mësoi se si të studioja dhe se studimi dhe leximi është mënyra e vetme për të kuptuar, krahasuar me të tjerët dhe për t’u rritur. Përveç kësaj, vuajtja e dikujt shumë të dashur për mua më mësoi se jeta nuk është vetëm gëzim, por edhe dhimbje dhe se dhimbja të mëson të zbulosh vlerën e vetë jetës.

 

4You: Nëse do të mund ta takosh veten si fëmijë, çfarë do t’i thoshit atij?

GjM Ristuccia: Studio! Bëhu kurioz! Mos u dorëzo përballë vështirësive ose kur je përballë derës së parë të mbyllur që hasë: ndiq pasionet tuaja dhe investo gjithçka në to, beso në të ardhmen dhe brezat e ardhshëm, mbill pemë që nuk do t’i shohësh kurrë të rriten.

 

4You: Çfarë këshillash i jepni vazhdimisht vajzës suaj?

GjM Ristuccia: Kthejini sfidat në mundësi: për sa kohë që bëni më të mirën, do të jeni gjithmonë krenarë për atë që keni bërë. Në jetë bën gabime dhe nga gabimet mëson; ngrituni sa herë që bini dhe sa herë që ngriheni do të ecni drejt e më drejt, krenarë për atë që keni bërë.

 

4You: Kë kishit shembull gjersa po rriteshit?

GjM Ristuccia: Trajneri im i basketbollit, i cili më mësoi aq shumë për sportin, jetën dhe punën ekipore, të qenit pjesë e ekipit.

 

4You: Kush është superheroi juaj i preferuar?

GjM Ristuccia: Bashkëshortja ime.

 

4You: Çfarë zhanri muzikor/filmi preferoni?

GjM Ristuccia: Më pëlqejnë filmat historikë, por edhe në kohën e lirë më pëlqen shumë të shikoj seriale. A keni dëgjuar për Komisionerin Montalbano? Është një serial televiziv që është xhiruar në vendlindjen time, Sicilinë e bukur. Muzika është një tjetër pasion i imi; e pëlqej shumë grupin U2 dhe Coldplay, edhe pse zhanrin Jazz e kam pikë të dobët.

 

4You: Cilat medie sociale preferoni: Facebook, Instagram, WhatsApp, Viber…?

GjM Ristuccia: I ndjek të gjitha rrjetet sociale për të kuptuar se çfarë mendojnë njerëzit dhe për të mos u ndikuar.

 

4You: Cila është rezoluta/objektivi juaj personal i Vitit të Ri për vitin 2023?

GjM Ristuccia: Dua të jap kontributin tim, ashtu siç bënë edhe pararendësit e mi, që duke përmbushur detyrat e mia, të kontribuoj bashkë me KFOR-in për t’ju dhënë një të ardhme më të mirë, por mbi të gjitha dua të vizitoj tokën tuaj të mrekullueshme dhe ta njoh më mirë këtë rajon, pasi e kam studiuar për një kohë të gjatë dhe nuk dua të humbas rastin e ta vizitoj, sidomos tani që do të jetoj këtu për një vit të tërë.

 

4You: Në fund, cili është mesazhi juaj për të rinjtë kosovarë?

GjM Ristuccia: Ju jeni e ardhmja! Të jesh e ardhmja do të thotë që nesër mund të korrësh vetëm atë që e ke mbjellë. Gjithçka që bëni sot, përvojat që po i kaloni, janë ato që do të përcaktojnë se çfarë do të jeni nesër dhe vetëm duke menduar për atë që jeni sot dhe çfarë dëshironi të jeni nesër, mund të garantoni një të ardhme më të mirë për vendin tuaj.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE