GORILLAT E MALIT – NGA TRAGJEDIA NË SUKSES TË BRISHTË

Mbi pesë dekada e gjysmë më parë, primatologia dhe konservacionistja amerikane Dajan Fosi (Dian Fossey) filloi që t’i studionte nga afër gorillat e malit. Ajo e vazhdoi studimin e tyre deri në vrasjen e saj në vitin 1985. Gjatë studimeve të saj Fosi ishte tepër e brengosur që kjo specie e gorillave do të zhdukej deri në vitin 2000, për shkak të vrasjes së tyre nga gjuetia e pakontrolluar.

 

Fondacioni “Dian Fossey Gorilla Fund”

Situata alarmante ishte shtysa kryesore për krijimin e fondacionit të saj “Dian Fossey Gorilla Fund”, i cili që nga themelimi është angazhuar për mbrojtjen e këtyre kafshëve madhështore. Një studim i kryer nga ky fondacion në vitin 2018, tregoi se ky trend negativ ka ndryshuar. Kështu që nga 240 individët e gorillave të malit që jetonin në vitin 1978, numri i tyre tani ka arritur në mbi 1.000 individë.

 

Ky ishte një lajm fantastik, i cili e vërtetonte që puna konservuese mundet dhe jep rezultate kur ajo mbështetet nga përpjekjet serioze qeveritare, siç është rasti me qeveritë e Ruandës, Ugandës dhe Republikës Demokratike të Kongos. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që tani janë neutralizuar të gjitha kërcënimet pasi që kjo specie vazhdon të kërcënohet nga zvogëlimi i habitatit të tyre, presioni nga njerëzit, ndryshimet kilmatike dhe fakti që pak më shumë se katër dekada më parë numri i tyre arriti në shifra tejet të ulëta.

 

Familje të ngushta dhe butësi në sjellje

Gorillat e malit janë nën specie e gorillave të lindjes, të cilat gjenden kryesisht në pyjet e Ruandës, Ugandës dhe Republikës Demokratike të Kongos. Këto gorilla jetojnë në familje të lidhura ngushtë, të cilat udhëhiqen nga një kurriz argjendi dominues, kurse natyra e tyre paqësore pasqyrohet përmes sjelljes së butë dhe metodave komunikuese si rrahja e gjoksit dhe vokalizimet.

 

Kush ishte Dajan Fosi (Dian Fossey)?

Dajan Fosi ishte një primatologjiste dhe konservacioniste me ndikim e cila u bë e famshme me punën e saj novatore me gorillat e malit. Fosi ka lindur më 16 janar 1932 në qytetin e San Francisko në Kaliforni, SHBA. Ajo ia kushtoi jetën studimit dhe mbrojtjes së kësaj specieje të rrezikuar në Ruandë. Ajo e themeloi Qendrën Studimore Karisoke dhe zhvilloi studime të thella për sjelljen e gorillave. Avokimi me pasion i Fosit kundër gjuetisë ilegale dhe shkatërrimit të habitatit të tyre e ngriti vëmendjen ndërkombëtare për vështirësitë e këtyre kafshëve. Libri i saj “Gorillat në Mjegull” (Gorilla’s in the Mist) u bë libri më i shitur (bestseller) si dhe frymëzoi individ të panumërt që t’i bashkohen kauzës së saj. Trashëgimia e Fosit sot e kësaj dite vazhdon që të formësojë përpjekjet për konservimin e jetës së egër kudo nëpër botë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE