KËRCIMET “KANGOO”

 

Përpara nesh është edhe një tjetër muaj dimri, ndoshta një nga vendimet tuaja të Vitit të Ri ishte të filloni të stërviteni ose të bëni disa aktivitete rekreative në vitin 2023. Për të gjithë adhuruesit e fitnesit dhe aerobisë, por edhe për ata që kanë në plan të bëhen të tillë, në këtë edicion të revistës sonë ju prezantojmë një formë interesante të ushtrimeve fizike. Po flasim për kërcimet “Kangoo” (Kangu), të cilat po bëhen gjithnjë e më të popullarizuara dhe më të kërkuara këtu. “Rekuizita” të detyrueshme janë çizmet speciale, të ashtuquajturat rollera me rrota rikoshe. Përkatësisht, kërcimet “Kangoo” janë një stërvitje intensive, shumë motivuese që e fut në funksion tërë trupin, e rrit qëndrueshmërinë e muskujve dhe e ka një efekt pozitiv në sistemin kardiovaskular dhe atë të frymëmarrjes. Programi i ushtrimeve mund të përshtatet në çdo nivel, është i shkëlqyer për atletët profesionistë, si dhe për fillestarët dhe atletët rekreativë.

 

Çfarë janë kërcimet “Kangoo”?

Kërcimet “Kangoo” janë një sistem i lehtë, i sigurt dhe efektiv i stërvitjeve kardio i përbërë nga çizme të dizajnuara posaçërisht për këtë dhe nga programe fitnesi të licencuara, që u zhvilluan në Evropë në fillim të viteve të ‘90-ta. Së bashku, këpucët dhe programet e fitnesit e bëjnë stërvitjen aq shumë argëtuese sa nuk do ta besoni se vërtet jeni duke ushtruar.

 

“Kangoo” është më shumë se thjesht një stërvitje, pasi që çizmet që përdoren gjatë stërvitjes janë krijuar për të ndihmuar në ndërtimin e muskujve dhe qëndrueshmërisë. Ajo që është veçanërisht interesante është dizajni i përmendur tashmë i çizmeve – rollerave. Ato ngjajnë me çizmet e skive, të cilat janë të lidhura me susta në formë veze, duke siguruar “ushtrimin rikthyes” (rikoshenë) që nuk vë presion në shpinë dhe nyje aq sa vrapimi. Sistemi i sustës së veçantë të patentuar absorbon 80% të impaktit dhe veprimi i rikthimit ndihmon në djegien e 20% më shumë kalorive sesa thjesht ecja, kërcimi ose vrapimi me atlete të zakonshme.

 

Kërcimet “Kangoo” fillimisht u krijuan nga mjekët, posaçërisht për rehabilitimin e pacientëve ortopedikë që shëroheshin nga lëndimet e gjurit, ijeve dhe shpinës. Menjëherë pas kësaj, u zbulua se ato ofruan një stërvitje të mrekullueshme kardio, ndihmuan në forcimin dhe tonifikimin e muskujve dhe ishin jashtëzakonisht argëtuese për t’u përdorur.

 

Çfarë lloj ushtrimesh mund të bëhen përmes kërcimeve “Kangoo”?

Nëse po pyesni veten se çfarë ushtrimesh mund të bëni përmes kërcimeve “Kangoo”, përgjigja është – praktikisht të gjitha ushtrimet aerobike dhe stërvitjet me intervale. Çizmet thjesht e shtojnë intensitetin përmes peshës dhe forcës natyrore të gravitetit, kështu që ushtrimi me “Kangoo” djeg deri në 25 për qind më shumë kalori.

 

Një stërvitje tipike “Kangoo” fillon me aerobi dhe më pas kalon në stërvitje me intervale të tilla si hedhje dhe mbledhje (skuat). Një dymendje tjetër për këtë lloj ushtrimi është komoditeti i “rollerave”. Çizmet “Kangoo” janë bërë në madhësi fleksibël me një material të mbushur që i përshtatet këmbës. Prandaj, çdokush mund t’i mbathë ato, pa kufizime nga mosha 6 deri në 92 vjeç. Të dizenjuara në Zvicër me materiale të cilësisë së lartë, çizmet e kërcimeve “Kangoo” janë krijuar për të qenë një “palestër në çantë” në çdo kohë.

 

Përfitimet e kërcimeve “Kangoo”

Përveç argëtimit, ky lloj ushtrimi e ka një sërë përfitimesh. Ne do të rendisim vetëm disa nga përparësitë:

 

  • Stërvitje kardio me intensitet të lartë
  • Ushtrime me impakt të ulët
  • Promovon humbjen e yndyrës
  • Stimulon sistemin limfatik
  • Rrit sistemin imunitar
  • Rrit qëndrueshmërinë kardiovaskulare
  • Përmirëson koordinimin, fuqinë dhe ekuilibrin
  • Ndihmon në përmirësimin e qëndrimit
  • Optimizon shëndetin kardiovaskular
  • Zvogëlon gjasat e dëmtimit të kyçeve
  • Ndihmon në parandalimin e Osteoporozës

 

Për fund, edhe një përparësi e kërcimeve “Kangoo”

Përveç fitnesit fizik, ata që e praktikojnë këtë lloj stërvitjeje pajtohen se kanë më shumë vetëbesim, kanë qartësi më të mirë mendore dhe madje flenë më mirë kur stërviten me kërcimet “Kangoo”. Pra, gjithçka që duhet të bëni është t’i mbathni çizmet, ta lëshoni muzikën dhe të lëvizni së bashku me një koreografi argëtuese dhe të lehtë për ta mësuar, që e vë në funksion tërë trupin.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE