Krahas sigurimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit, KFOR-i, me donacione të çmueshme, kontribuon edhe në përmirësimin e shkollave dhe arsimit. Në përpjekje për të mbështetur shkolla të vogla dhe të izoluara në viset rurale dhe më pak të qasshme të Kosovës, njësia CIMIC (Bashkëpunimit Civil-Ushtarak) e KFOR-it rishtas ka dhuruar pajisje të çmueshme për dy shkolla, njëra në Banjskë në Komunën e Zveçanit, dhe tjetra në Biti të Epërme në Komunën e Shtërpcës.
Arsimi është proces i vazhdueshëm
Teksa ecën nëpër korridoret e shkollës fillore “Banoviq Strahinja” në fshatin Banjskë, korridoret dhe klasat të kujtojnë kohët e thjeshta. Mësuesit mbajnë rregull dhe respekt me autoritet të padiskutueshëm. Por, kësaj shkolle, si shumë të tjerave në viset rurale, i mungojnë shumë mjete teknologjike moderne për zhvillimin e procesit mësimor. Prandaj, CIMIC-u i KFOR-it vendosi t’u dhurojë pajisje teknologjike të çmueshme. Majori Raymond Riedinger, shefi i shtabit të Komandës Rajonale Lindje, tha për Revistën 4You se Ekipi Ndërlidhës dhe Monitorues (LMT) e kuptoi nevojën e shkollës për donacion.
“Donacioni përfshinë llaptopë me printera dhe iPad, si dhe pajisje sportive dhe muzikore. Nga këto do të përfitojnë shumë nxënës të shkollës. Kur bëhet fjalë për ne, është e rëndësishme që KFOR-i të përfshihet në jetën e komunitetit lokal, ku përfshihen edhe fëmijët. Është mirë për KFOR-in dhe është mirë për komunitetin”, tha Riedinger. Ai shtoi se arsimi është gjëja më e rëndësishme që zgjatë dhe mund të përmirësohet: “Si udhëheqës i lartë në ushtri, unë vazhdoj të mësoj dhe mendoj se është një proces i vazhdueshëm, andaj ju takon juve që të punoni për veten tuaj.”
Gjatë dorëzimit të donacionit, drejtori i shkollës fillore “Banoviq Strahinja”, Dragan Llazareviq, i falënderoi pjesëtarët e KFOR-it për ndihmën në zhvillimin e shkollave në viset rurale, në mënyrë që “fëmijët vendas të mos mbeten prapa bashkëmoshatarëve të tyre në qytete për sa i përket arsimit”. Ai, po ashtu, theksoi se kjo shkollë ka pasur bashkëpunim afatgjatë me KFOR-in dhe theksoi se donacioni, të cilin e ka dorëzuar KFOR-i, do të kontribuojë shumë në përmirësimin e metodave ekzistuese të mësimdhënies dhe të gjithë procesit mësimor që zhvillohet në këtë shkollë.
“Kemi bashkëpunim të vazhdueshëm me KFOR-in”
Krahas Banjskës, KFOR-i dhe CIMIC e realizoi një donacion edhe në f shatin Biti e Epërme, Komuna e Shtërpcës. Falë tyre, SHFMU “Anton Santori” i pranoi dy kompjuterë dhe një projektor. Lumnije Hyseni, drejtoresha e shkollës, tha se ky donacion nuk është i vetmi nga KFOR-i.
“Kemi bashkëpunim të vazhdueshëm me KFOR-in. Ata shpesh na vizitojnë dhe rregullisht shpërndajnë Revistën ‘4You’. Na sjellin edhe dhurata të tjera, si topa për fëmijë etj. Herën e fundit na sollën katër tabela të bardha, të cilat rezultuan jashtëzakonisht të rëndësishme në procesin e mësimdhënies. Prandaj i jemi shumë mirënjohës KFOR-it që na ka qëndruar gjithmonë pranë,” tha drejtoresha Hyseni.
Me rastin e dorëzimit të donacionit në këtë shkollë ishte i pranishëm edhe komandanti i Komandës Rajonale Perëndim, kolonel Mario Bozzi, i cili me atë rast theksoi shpresën se nxënësit do të përfitojnë nga donacioni. Ai shpreson se KFOR-i do të vazhdojë të bashkëpunojë dhe ta ndihmojë këtë shkollë të vogël rurale. “Ne sigurisht do të vazhdojmë t’ju mbështesim nëse shkolla juaj ka nevojë për diçka. KFOR-i është gjithmonë këtu për fëmijët dhe është i gatshëm t’u ofrojë atyre mbështetje të pa rezervë”, theksoi kolonel Bozzi.
Këto donacione për këto dy shkolla rurale janë vetëm një shembull i vogël i punës së CIMIC-ut në Kosovë, që dëshmon se KFOR-i vazhdon ta mbështesë zhvillimin e një Kosove stabile dhe paqësore, me theks të veçantë edhe në ofrimin e ndihmës për shkollat dhe arsimin. Për këtë arsye, përmes projekteve dhe donacioneve të tij, KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë iniciativat që promovojnë një të ardhme më të mirë për popullatën, dhe me vëmendje të veçantë për të rinjtë e sotëm, liderët e së nesërmes.