KOMANDANTI I KFOR-IT E VIZITON SHKOLLËN “FAIK KONICA”

 

Të premten më 11 nëntor Komandanti i KFOR-it Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia e vizitoi Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Faik Konica” në Prishtinë. Gjatë kësaj vizite Komandanti i KFOR-it pati një takim të rastit me drejtoreshën e kësaj shkolle znj. Jehona Oruçi, me ç’ rast ata e zhvilluan një bisedë tejet miqësore.

 

Gjeneral Majori Ristuccia e njoftoi drejtoreshën Oruçi se arsyeja e vizitës së tij në këtë shkollë ishte si rezultat i bindjes së tij të thellë se arsimimi i brezave të rinj është çelësi për krijimin e një shoqërie demokratike që jeton në paqe dhe harmoni. Ai më tej bëri të ditur se gjatë ditëve në vijim do të vizitojë shkolla të tjera në Kosovë. Komandanti RISTUCCIA po ashtu theksoi se iu takon shkollave që krahas përgatitjes akademike t’ua mësojnë fëmijëve rëndësinë e të kuptuarit të dallimeve të tjerëve si dhe pranimin e tyre.

 

Nga ana e saj, drejtoresha Oruçi fillimisht e falënderoi Gjeneral Majorin Ristuccia për vizitën e tij si dhe e shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin dhe ndihmën që KFOR-i ia ka dhënë kësaj shkolle në disa raste në të kaluarën ku siç u shpreh ajo janë disa klasa në të cilat KFOR-i ka investuar. Më pas, drejtoresha Oruçi foli për specifikat e kësaj shkolle në lidhje me punën që zhvillohet në këtë institucion edukativo-arsimor. Ajo foli edhe për sfidat me të cilat janë duke u përballur aktualisht nxënësit, mësimdhënësit por, edhe prindërit duke filluar nga fillimi me vonesë i këtij viti shkollor për shkak të grevës në sektorin e arsimit e deri te pasojat e pandemisë së COVID-19. Të dy bashkëbiseduesit ishin të pajtimit se të gjitha këto sfida barrën më të madhe e vendosin tek ata që janë më të ndjeshmit dhe më të dobëtit.

 

Gjatë kësaj vizite Komandanti Ristuccia e vizitoi edhe klasën VIII/2 të kësaj shkolle. Me këtë rast, ai i porositi fëmijët e kësaj klase që të punojnë fort. “Në këtë klasë mund të jenë prijësit e ardhshëm të Kosovës, mjekët, inxhinierët, apo edhe mekanikët. Gjithçka është në dorën tuaj. Mirëpo, asnjërën nga këto nuk do të mund ta arrini nëse nuk mësoni dhe nuk lexoni,” theksoi në mes të tjerave Komandanti Ristuccia. Ai, po ashtu, i porositi fëmijët e kësaj klase që t’i përshëndesin prindërit e tyre nga ana e tij dhe t’ua rikujtojnë atyre se KFOR-i mbetet i përkushtuar për të ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje më të mirë duke e formësuar të tashmen. Në fund kjo vizitë e Komandantit të KFOR-it u fiksua në një foto grupore e cila padyshim do të jetë një kujtim i këndshëm për të gjithë të pranishmit.

 

Në fund të takimit, Komandanti Ristuccia e nderoi Drejtoreshën Oruçi me medaljonin e tij si shenjë falënderimi për mikpritjen dhe vizitën e këndshme në këtë shkollë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE