LANSOHET PLATFORMA E MËSIMIT NË DISTANCË PËR FËMIJËT NËN MOSHËN 6 VJEÇARE

Vetëm tetë ditë pas mbylljes së shkollave, si masë parandaluese kundër përhapjes së korona virusit, Ministria për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion (MASHTI) arriti që të funksionalizonte mësimin në distancë për klasat 1-9. Kurse dje përmes një konference për shtyp por, edhe porosive SMS në shërbimin e telefonave mobil, nga kjo ministri bënë të ditur se duke filluar nga sot do të jetë funksionale edhe platforma për fëmijët e moshës 0-6 vjeç.

 

Gjatë konferencës për shtyp në fjalë, ministrja në detyrë Hykmete Bajrami, në mes të tjerash theksoi: “Më 23 mars e kemi filluar transmetimin e video mësimeve për klasat 1-9. Sot, jemi këtu për të lansuar një tjetër platformë për mësimin në distancë, e kjo është platforma për edukimin e hershëm, e cila do të jetë në dispozicion për të gjithë prindërit, edukatorët dhe kujdestarët ligjor.”

 

Të gjithë të interesuarit, platformën mund ta gjejnë në: https://edukimihershem-rks.net/. Në këtë platformë krahas planeve për aktivitete ditore, javore dhe mujore për fëmijët e moshave 0-6 vjeç, gjenden edhe materiale mbështetëse: një udhëzues praktik për prindër, pastaj disa këshilla praktike për prindërit gjatë shtatzënisë, për prindërit me fëmijë të porsalindur deri në moshën 1 muaj dhe për prindërit me foshnja 1-6 muaj. Platforma, po ashtu përmban edhe materiale në lidhje me pandeminë e COVID 19 me udhëzime praktike se si duhet të flasim me të vegjlit për këtë temë.

 

Edukimi në Distancë – Kujdesi, Zhvillimi dhe Edukimi në fëmijërinë e hershme për moshën 0 – 6 vjeç është mbështetur nga UNICEF, Save the Children dhe Open Data Kosovo.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE