“Unë jam një botë më vete, jam e heshtur por në raste krijoj edhe zhurma, kam virtyte të mira të një vajze të shëndetshme, të lumtur, bujare dhe padyshim të suksesshme. Mbaj sekrete si të gjithë të tjerët, por njerëzit që më japin dashuri i dua shumë. Është e vështirë të gjesh fjalë për veten por, unë dua që njerëzit të më vlerësojnë dhe të më duan për atë se çfarë jam,” kështu e përshkruan veten pianistja e re Lentiana Lutaj, me të cilën revista ‘4You Magazine’ e zhvilloi këtë intervistë ekskluzive.
Çka të shtyri dhe kush të frymëzoi që të filloje të merreshe me muzikë?
Inspirimi më i madh ka qenë nëna ime. Fillimisht, ishte ajo më shtyri që të merresha me piano, dhe pastaj e gjithë familja, por edhe mësimdhënësit e mi më motivuan sepse unë kisha talent për muzikë.
Cilat performanca deri më tani ishin më emocionueset për ty?
Është e vështirë të thuhet, por duhet veçuar paraqitjen time të fundit që njëherit është edhe koncerti im i parë recital me ç’ rast unë u mahnita me publikun që kishin ardhur për të më dëgjuar, të cilët i falënderoj shumë për tërë ato emocione, urata dhe për këtë i dua pafund.
A është piano çdo gjë për ty?
Piano është për mua jetë, dashuri, pjesë e përditshme e jetës sime dhe për këtë arsye asnjëherë nuk do t’i ndahem.
Cilat muzikante të famshme i adhuron?
Pianistet Valentina Lisitsa dhe Lola Astanova, si dhe artistet tona Dua Lipa dhe Rita Ora.
Cila është këshilla më e mirë që ta ka dhënë dikush?
Të punoj në veten time dhe për atë që dua.
Si duket dita jote e zakonshme?
Shkollë, ushtrime, lexim, gjumë.
Si preferon të komunikosh me mesazhe apo telefonata?
Telefonata.
Facebook, Instagram, Snapchat, WhatsApp… cila është platforma jote e preferuar?
Të gjitha! Instagram dhe Facebook deri më tani janë platformat që i përdori më së shumti për postimin e fotove për audiencën. Po ashtu, i përdori për shkak se të gjithë po e njohim njëri-tjetrin më mirë përmes platformave si këto. Për shkak të imponimit të shoqërisë kam Snapchat dhe WhatsApp për të shkëmbyer mesazhe. Gjithsesi, e kam shumë të limituar kohën që e kaloj në këto platforma.
Sekreti për përcjellësit e tu në Instagram?
Realizimi dhe sharmi i bukurisë në një foto që ka vlerë.
Emojit – sa i përdor dhe cilat i përdor më shumë?
Emojit janë shumë të pranishëm në komunikimet me miqtë. Pothuajse të gjitha janë të pranishme por të preferuarat janë: ❤️🎶
Destinacioni turistik i ëndrrave?
Korea e Jugut por, udhëtimi që më së shumti ma ngacmon imagjinatën është një udhëtim për në hënë, hahaha.
Me cilët artistë të famshëm botëror do të darkoje?
Brad Pitt, Kylie Jenner, dhe Jennifer Lopez.
Nëse një ditë do të qeverisje botën, çfarë do të ndryshoje?
Demokraci, paqe dhe rregulla të përshtatshme për njerëzimin në mbrojtjen e ambientit, mundësi më të mira për arsimim, kulturë, mjekësi e shumë të tjera.
A është dashuria vetëm fjalë?
Dashuria është ndjenjë, interes i përbashkët i dy individëve, kujtim dhe mbi të gjitha nëse arrin t’i besosh dashurisë, besoji deri në fund.
Cilat janë dëshirat e tua për llambën e Aladinit?
Superfuqi, dhe në fund plotësimi i dëshirës së xhindit që ai të jetë i lirë përgjithmonë, hahaha.
Porosia jote për të rinjtë në Kosovë?
Besoj që tashmë të gjithë e dimë se Kosova po ofron mundësi të mira për ne të rinjtë por, e rëndësishme është që të gjejmë kohë dhe motiv për të punuar për vendin tonë sepse askush nuk do të punojë për ne!