LMT: ATA FLASIN DHE I DËGJOJNË NJERËZIT NË KOSOVË

 

Me siguri i keni parë dhe nëse asgjë tjetër ndoshta e keni marrë prej tyre edicionin e fundit të 4You Magazine, sepse shpërndarja e revistës suaj të preferuar është një nga detyrat e kryera nga patrullat e LMT (Ekipet e Ndërlidhjes dhe Monitorimit). Megjithatë, detyra e tyre kryesore është që të flasin me njerëzit në Kosovë. Për të mësuar se si ata i kryejnë detyrat e tyre, ekipi ynë kaloi një ditë me LMT në Leposaviq në veri të Kosovës dhe me LMT në fshatin Mramor në afërsi të Prishtinës.

 

“Kemi mirëkuptim të madh me njerëzit”

Marko P. dhe Jaka Š. janë pjesëtarë të njësisë sllovene LMT që e ndoqëm gjatë një vizite në Leposaviq në një ditë me diell dhjetori, ndërsa ata i kryenin detyrat e tyre dhe vendosnin kontakte me njerëzit. Ata shpesh ndalen për të biseduar me individ, dhe këta të fundit me gatishmëri u japin shpjegime dhe u përgjigjen pyetjeve të tyre. Këta anëtarë të LMT-së thonë se kanë takuar shumë njerëz në veri të Kosovës dhe kanë bashkëpunim të mirë me ta. Ata po ashtu, thonë se i vizitojnë shpesh shkollat dhe institucionet e tjera në këtë komunë dhe se bashkëpunimi me të gjitha është në nivel të admirueshëm.

 

Këtë e ka konfirmuar Robert Kohek, komandant i njësitit LMT në Komunën e Leposaviqit: “LMT është çdo ditë jashtë në terren, mes njerëzve. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me banorët e Leposaviqit, bisedojmë me ta dhe mësojmë për mendimet e tyre për situatën në Kosovë, cilat janë nevojat e tyre dhe cilat janë shqetësimet e tyre kryesore. Ne kemi përvoja të mira; njerëzit janë shumë të afrueshëm dhe të hapur. Ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë mirë, pasi që shumë nga ushtarët tanë flasin serbisht dhe kjo na ndihmon shumë pasi e bën shumë të lehtë komunikimin”.

 

Ka shumë detyra dhe gjithmonë ka sfida sepse ka shumë njerëz dhe organizata për t’u vizituar dhe për t’u njohur me nevojat e tyre. Ne i lamë anëtarët sllovenë të LMT-së të kryenin punën e tyre ndërsa u nisëm drejt Prishtinës, përkatësisht fshatit Mramor ku u bashkuam me anëtarët italianë të LMT-së. Detyra e tyre ishte një vizitë pasuese dhe përgjigje ndaj një ftese për të luajtur një ndeshje miqësore volejbolli në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Avni Rrustemi”.

 

Prania e LMT-ve është vërtet e rëndësishme

Teksa anëtarët e LMT-së hynë në korridorin kryesor të shkollës, ata u pritën me një ovacion të madh dhe mirëseardhje të ngrohtë nga nxënësit, mësuesit dhe stafi. Drejtori i shkollës z.Musli Gashi ka shpjeguar se aty ishte duke u mbajtur edhe një panair ushqimor dhe më pas i ftoi mysafirët në dhomën e mësuesve ku ishin vendosur ushqime dhe pije. Pasi të gjithë u shërbyen, lideri i LMT-së, toger Alessandro Marino u ul për një bisedë miqësore me drejtorin. Tema e bisedës u përqendrua kryesisht në kushtet e punës në shkollë. Nga ana e tij, drejtori Gashi e njoftoi mysafirin se shqetësimi i tij kryesor ishte që ngrohja qendrore e paraleles së ndarë të shkollës në fshatin Halitaj e ka një sistem ngrohjeje me pelet që varet nga rryma. Ai gjithashtu pyeti nëse KFOR-i mund të jetë në gjendje t’i ndihmojë ata në blerjen e një gjeneratori për këtë paralele të ndarë duke e pasur parasysh mungesën e pritshme të energjisë elektrike gjatë dimrit.

 

Togeri Marino, nga ana e tij e njoftoi drejtorin Gashi se nuk mund të jepte premtime për këtë. Sidoqoftë, duke e pasur parasysh faktin se ky problem do të mund të ndërpriste tërësisht zhvillimin e mësimit në fshatin Halitaj, ai do t’ua përcillte këtë informacion eprorëve të tij dhe do të përpiqej të iniciojë një projekt për të siguruar një gjenerator për paralelen e ndarë të kësaj shkolle. Drejtori Gashi falënderoi togerin Marino për interesimin e tij për këtë çështje duke insistuar se prania e LMT në shkollë ishte vërtet e rëndësishme.

 

Pas bisedës, gjithçka ishte gati që togeri Marino dhe ekipi i tij të bashkoheshin me mësuesit dhe nxënësit në sallën e edukatës fizik, ku siç ishte premtuar ata e luajtën një ndeshje miqësore volejbolli. Ndërsa ndeshja vazhdoi, drejtori Gashi i tha ekipit tonë këtë: “Që nga dita e parë KFOR-i ka qenë gjithmonë pranë nesh dhe na ka ndihmuar. Prandaj, ne u jemi jashtëzakonisht mirënjohës të gjithë grave dhe burrave që kanë shërbyer në KFOR dhe na kanë ndihmuar të krijojmë një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët tanë.”

 

LMT-të u krijuan në fund të vitit 2003 dhe ato janë një nga lidhjet ndërmjet KFOR-it dhe komuniteteve në Kosovë, duke përfshirë organizatat civile, qeveritare dhe joqeveritare. Secilit ekip i caktohet një komunë specifike ku ata ndjekin me kujdes gjithçka që ndodh brenda komuniteteve lokale. Qëllimi i tyre parësor është të identifikojnë çdo sfidë në mënyrë që të sigurojnë që KFOR-i të mbajë një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë. Për më tepër, falë marrëdhënieve të ngushta që LMT-të kanë me komunitetet lokale, KFOR-i ka arritur të identifikojë çështje të ndryshme dhe të ndihmojë në tejkalimin e tyre.

PDF Magazine

Maj

READ MORE

NEW MAGAZINE