LUAJENI LOJËN E KRIJUAR NGA NASA DHE SHPËTOJENI PLANETIN!

NASA e ka krijuar një lojë me qëllim për të ruajtur gumat koralore, të cilat janë në rrezik që të zhduken përgjithmonë.

 

Në lojën NeMO-NET lojtarët e nisin një udhëtim virtual i cili do t’i dërgojë në thellësitë më të mëdha detare dhe atje ata do të mund të identifikojnë dhe klasifikojnë të gjitha koralet që i hasin. Për momentin kjo lojë mund të luhet në platformat iOS (iPhone dhe iPad) dhe macOS (kompjuterë të kompanisë Apple), mirëpo së shpejti pritet të jetë në dispozicion edhe për platformat Windows dhe Android.

 

Fotografitë e shfrytëzuara në këtë lojë janë bërë gjatë zhvillimit të ekspeditave natyrore në jetën reale, kurse loja do t’i ndihmojë shkencëtarët që më lehtë të krijojnë një hartë të të gjitha gumave koralore në botë. Kjo do të duhej të ndihmonte në ruajtjen e tyre përpara se të jetë tepër vonë.

 

Gjatë disa viteve të fundit, shkencëtarët e NASA-së i kanë vëzhguar oqeanet përmes përdorimit të kamerave dhe aparateve të reja të cilat e korrigjojnë shtrembërimin optik të krijuar nga uji për të dhënë incizime më të qarta dhe më të detajuara të ujit.

 

Gjatë ekspeditave në Porto Riko, Guamo dhe Samoan Amerikane, përmes instrumenteve të cilat i kanë montuar në dronet dhe fluturaket e tjera, shkencëtarët kanë bërë video incizime 3D (3 dimensionale) të koraleve, algave dhe barishteve të detit të cilat e mbulojnë dyshemenë e oqeaneve. Tani shkencëtarët duhet që t’i klasifikojnë të gjitha të dhënat e mbledhura dhe pikërisht loja NeMO-NET do t’i ndihmojë në këtë drejtim.

 

Përmes lojës NeMO-NET ju mund t’i hulumtoni të gjitha incizimet nga ekspeditat e sipërpërmendura, të mësoni për llojet e ndryshme të koraleve dhe që të shënoni se ku paraqiten ato.

 

Po ashtu, ju do të fitoni edhe medalje dhe do të mund të përcillni përparimin e juaj në lojë. Loja ka grafikë të mrekullueshme dhe sfond muzikor ambientalist të mrekullueshëm.

 

Të gjitha të dhënat e gjeneruara nga lojtarët shërbejnë për të trajnuar super-kompjuterin e NASA-së që të mësojë t’i identifikojë koralet në mënyrë të pavarur.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE