MASKA PLASTIKE TË TEJDUKSHME PËR PUNONJËSIT SHËNDETËSOR: SË BASHKU DERI NË FITORE!

Qendra e Mitrovicës për Inovacion, tri Kënde Amerikane dhe Qendra e Graçanicës për Inovacion e kanë gjetur mënyrën për të kontribuuar në luftën e tyre kundër përhapjes së korona virusit. Përmes përdorimit të printerëve 3D (tre dimensional), ato kanë prodhuar maska plastike të tejdukshme dhe ato ua kanë dhuruar punëtorëve shëndetësor.

 

Qendra për inovacion e cila operon si pjesë e Nismës Lokale “LINK” filloi me këtë aksion nga fundi i muajit mars. Fillimisht ata e kishin një printer 3D me të cilin arrinin që të prodhonin vetëm disa maska në ditë. Me ndihmën e UNMIK-ut, ata i kanë blerë edhe dy printerë të rinj 3D si dhe material shtesë – filament, dhe kështu e kanë rritur prodhimin në 15 maska në ditë. Kështu që gjatë javës së kaluar ata i kanë prodhuar dhe dhuruar mbi 100 maska plastike të tejdukshme.

 

Këto maska ata i kanë dhuruar në shtëpitë e shëndetit në Mitrovicën Veriore, Zubin Potok, Zveçan, si dhe në spitalet në Mitrovicën e Jugut dhe në Mitrovicën e Veriut. “Ideja jonë është që të prodhojmë sa më shuma maska në mënyrë që t’i plotësojmë nevojat e të gjithë punonjësve shëndetësor, të cilët kanë nevojë për to,” tha Marko Rakiq, duke shtuar se pritet që ata së shpejti të mund të prodhojnë maska të tilla për policinë, punëtorët vullnetarë, shitësit, farmacistët, etj.

 

“Këto maska shtypen nga vullnetarët tanë, kurse një falënderim i posaçëm shkon për Bojan Sllavkoviq dhe Aleksandër Mitkiq, të cilët kanë marrë pjesë në tërë këtë aksion. Jemi gjashtë persona që punojmë në dizajnimin, prodhimin, bashkimin e pjesëve të maskave dhe shpërndarjen e tyre te punëtorët shëndetësor,” shpjegoi më tej z. Rakiq, i cili shtoi se gjatë prodhimit respektohen masat e parapara të sigurisë. Një tjetër këshillë e tij për qytetarët është që ata të bëhen shembull pozitiv për fqinjët e tyre.

 

Nuk jemi shembull vetëm ne, që në mënyrë konkrete jemi duke luftuar, e as mjekët, shembulli më i mirë janë vet qytetarët të cilët e kanë kuptuar situatën seriozisht,” tha ai duke porositur “Së bashku deri në fitore, deri në filamentin e fundit!”

 

Përkrahje për punëtorët shëndetësor erdhi edhe nga qendra e Graçanicës për Inovacion ku po ashtu, është filluar me prodhimin e maskave plastike të tejdukshme që nga fundi i muajit mars. Deri tani ata i kanë dhuruar me dhjetëra maska të tilla për punëtorët shëndetësor në Graçanicë si dhe në zonën e Anamoravës dhe Shtërpcës. Nisma e tyre u mbështet me dy kilogram filament edhe nga Formon – prodhuesi i printerëve 3D.

 

Edhe tri Kënde Amerikane kanë filluar me prodhimin e maskave plastike të tejdukshme për qendrat lokale shëndetësore, ka bërë të ditur Ambasada Amerikane në Prishtinë. “Që nga 8 prilli janë prodhuar 50 maska plastike të tejdukshme të cilat i janë dhuruar Qendrës Kryesore Mjekësore Familjare dhe Qendrës së Emergjencave në Prizren, si dhe mjekëve privat, stomatologëve, teknikëve të laboratorit,” thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Këto maska janë duke u shtypur falë ndihmës së profesorit të Fakultetit të Shkencave Natyrore të Universitetit të Prishtinës, z. Shaban Buza.

 

Këndi Amerikan në Prizren planifikon që të prodhojë 100 maska plastike të tejdukshme të cilat, siç bëhet e ditur, do t’iu dhurohen qendrave lokale shëndetësore në koordinim me administratën komunale për shëndetësi.

 

Në anën tjetër, Këndi Amerikan në Prishtinë ia ka huazuar printerin e vet 3D organizatës BONEVET në Prishtinë në mënyrë që të mbështesë prodhimin e këtyre maskave për punonjësit shëndetësor.

 

“Duke punuar me bashkëpunëtorët e vet, vullnetarët dhe komunitetin, BONEVET e ka rritur prodhimin e maskave plastike të tejdukshme për të plotësuar nevojat e spitaleve dhe qendrave mjekësore, policisë dhe shërbimeve të tjera publike në mbarë Kosovën,” u bë e ditur nga Ambasada.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE