ME DISIPLINË DO TA MUNDIM KORONËN!

Me një porosi të qartë “Me Disiplinë do ta Mundim Koronën” nxënësit e Shkollës Fillore (SHF) “Desanka Maksimoviq”, klasa e “Qëndrimit të Zgjatur” dhe “Puna e Pasuruar në një Ndërrim”, i kanë dhuruar 350 sapunë Komunës së Kamenicës. Këta sapun ishin pjesë e 1300 sapunëve të prodhuar gjatë dy javëve të izolimit në shtëpitë e tyre. Me ndihmën dhe bashkëpunimin e shkollës, nxënësve, prindërve të tyre dhe mësuesve këta të rinj shfaqën një nivel të lartë të përgjegjësisë, me dëshirën që në këto kohë të vështira, të gjithë duhet ta kuptojnë seriozitetin e betejës kundër pandemisë COVID-19.

 

Drejtoresha e SHF “Desanka Maksimoviq”, Jadranka Vasiq tha për Revistën ‘For You’ se atmosfera interesante, nxitëse dhe dinamike e punës në këtë shkollë i udhëheq nxënësit, mësuesit dhe prindërit që edhe në këtë periudhë të vështirë të izolimit të zhvillojnë marrëdhëniet e tyre ndërpersonale, tolerancën dhe për të ofruar mbështetje për të gjithë njerëzit që jetojnë në Komunën e Kamenicës.

 

Kjo ide u iniciua vitin e kaluar

Sipas saj, kjo ide u iniciua vitin e kaluar si pjesë e projektit “Vendi ynë dhe ne”, në kuadër të të cilit në bashkëpunim me profesorin e kimisë dhe mësuesit e tjerë në laboratorin e shkollës u fillua procesi për punimin e sapunit.

 

“Fëmijët e kanë kuptuar se posaçërisht tani, gjatë kësaj pandemie, disiplina është thelbësore. Të brengosur për të dashurit e tyre, gjyshërit e tyre, ata kanë dëshiruar që kjo porosi për disiplinën të arrijë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur, dhe që teksa i pastrojnë duart ata të mendojnë për rëndësinë e respektimit të rregullave parandaluese. Ne filluam me 300 sapunë, arritën në 1300 dhe gjatë fundjavës planifikojmë që të prodhojmë 2000 sapunë. Kështu do të mbulojmë vetëm komunën tonë por, edhe tërë rajonin,” tha znj. Jadranka.

 

Pandemitë nuk i njohin etnitë apo fetë

Sapunët iu dhuruan punëtorëve të Komunës së Kamenicës dhe Kryetari i Komunës Qëndron Kastrati theksoi se pandemitë nuk i njohin etnitë apo fetë. Në llogarinë e tij në ‘Facebook’ ai shkroi: “Pandemitë nuk njohin përkatësi etnike, fetare a tjetër. Ato na kujtojnë të përbashkëtat para dallimeve. Na bëjnë të fokusohemi në të tashmen e të çmojmë më shumë të ardhmen. Në këtë frymë sot pranuam një donacion nga nxënësit e shkollës fillore ‘Desanka Maksimovic’. Ata kanë punuar sapunë antibakterial me mesazhin ‘me disiplinë kundër koronës’ dhe 300 prej tyre i kanë dhuruar për Komunën e Kamenicës.”
Krahas komunës, sapunët me porosinë “Me Disiplinë do ta Mundim Koronën” iu dhuruan zyrtarëve të Policisë së Kosovës, bankave, shitoreve, kuzhinës popullore dhe porosia nga kjo shkollë është se ky është vetëm fillimi i luftës kundër kësaj pandemie.

 

#rrinshpi por, gjithmonë gazmor, përplot dashuri dhe të lumtur

 

SHF “Desanka Maksimoviq” gjithmonë është dalluar nga komponenti i saj shumetnik sepse, ajo e ka oborrin e përbashkët me shkollën fillore shqipe “Fan Noli” dhe ndërveprimi në mes të fëmijëve është i përditshëm pasi që shkollat e tyre janë përbri njëra-tjetrës.
Drejtoresha e SHF “Desanka Maksimoviq”, Jadranka Vasiq, në fund të bisedës sonë i porositi të gjithë nxënësit si dhe lexuesit e Revistës ‘For You’ #rrinshpi por gjithmonë gazmor, përplot dashuri dhe të lumtur. Ndërsa ajo premtoi se ata do të vazhdojnë me shumë veprime të tjera me të cilat shpresojnë të sjellin lumturi në këtë kohë sprovuese.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE