NDALESA E RADHËS AMERIKA VERIORE

 

Kupa e Botës e FIFA 2022 në Katar ka mbaruar dhe më në fund ne mund ta shkruajmë atë frazën e shumëpritur: Lionel Messi dhe Argjentina janë kampionë të botës. Si tifoz, jam i sigurt që do ta mbajmë mend shumë gjatë këtë finale, dhe të gjithë ne duhet të jemi mirënjohës, sepse shumë vite më vonë ne do të mund të themi – ne e kemi parë këtë lojë.

 

Një ndeshje klasike që i pati të gjitha

Çka e bën të mrekullueshme një ndeshje futbolli? Kjo pyetje e thjeshtë në dukje është mjaft e vështirë për t’u shpjeguar, sepse në mënyrë që një lojë të jetë e madhe asaj i duhet më shumë se vetëm gola apo ritëm i lartë; asaj i duhet edhe një histori e mrekullueshme – Sikurse për shembull ‘Dora e Zotit’ e Maradonës apo vrapi si sllallom me ski kundër tërë skuadrës angleze. Diçka që e mbërthen imagjinatën e shikuesve, dhe finalja e sivjetme i pati të gjitha.

 

Një prej turneve më të mira të gjitha kohërave

Sivjet ishim dëshmitar të një prej turneve më cilësore të organizuar ndonjëherë. Falë cilësisë së futbollit të shfaqur nga kombëtaret më të vogla në futboll, ato që ne zakonisht iu referohemi si ‘outsajder’ (ekipe të dyta) si: Kanadaja, Japonia, Arabia Saudite, Irani, Maroku, Shtetet e Bashkuara… ne e patëm një prej rrugëtimeve më të mira drejt finales.

 

Vallëzimi i fundit për Messi

Krahas që ishte mundësia e fundit për Messi-në që të fitonte trofeun e vetëm që i mungonte në vitrinën e tij, kjo finale ishte edhe përballje në mes të përfaqësuesit më të mirë të gardës së vjetër Lionel Messi dhe ardhmërisë së futbollit Kylian Mbappe. Për zhgënjimin e shumë njerëzve, për tetëdhjetë minuta ndeshja ishte shumë e dobët. Kryesisht, për shkak se Franca nuk dukeshin si kampionët në fuqi. Në fund të pjesës së parë Argjentina udhëhiqte 2:0 falë golave të Messi, i cili shënoi në minutën e 23-të dhe Angel Di Maria, i cili shënoi në minutën e 36, dhe Mbappe ishte vetëm një figurë periferike.

 

Më pas në minutën e tetëdhjetë, një ndërhyrje e ngathët dhe penallti për Francën, të cilën siç pritej Mbappe e konvertoi. Mirëpo, kjo rezultoi më shumë se një penallti, kjo ishte thirrja e zgjimit për gjigandin, sepse dy minuta më vonë, Mbappe e shënoi golin e tij të dytë (mbase mund të themi një prej golave më të bukur të turneut). Që aty, pati aksion pa ndërprerë, dyzet minuta me futboll fantastik gjatë të cilëve Messi dhe Mbappe e dhanë maksimumin.

 

Në kohën shtesë, Messi shënoi prapë atë që u duk se do të ishte goli fitues. Mirëpo, Mbappe nuk u pajtua me këtë. Katër minuta para fundit, ai e fitoi edhe një penallti dhe shënoi prapë. Ky ishte goli i tretë i mbrëmjes për të, që do të thotë se ai u bë vetëm lojtari i dytë në histori (pas George Hurst në vitin 1966) që shënoi tregolësh në një finale të kupës së botës. Ky gol, po ashtu ia siguroi Këpucën e Artë Mbappes, i cili arriti që të shënonte gjithsejtë tetë gola në këtë turne. Në fund Argjentina e mundi Francën 4:2 pas penalltive duke i dhënë fund kështu pritjes 36 vjeçare për Kupën e Botës.

 

Çka do të thotë kjo për të ardhmen?

Pasi FIFA e bëri të ditur se Kupa e Botës 2026 do të zgjerohej nga 32 në 48 ekipe, pati shumë të pakënaqur. Shqetësimi kryesor ishte që do të kishte tepër shumë ndeshje për të luajtur, dhe cilësia nuk do të përmirësohej. Sidoqoftë, nëse bazohemi sado pak në zhvillimin aktual, atëherë pa asnjë hezitim mund të themi që sa i përket cilësisë, ky zgjerim i formatit vetëm sa do ta përmirësojë turneun e radhës. Pa asnjë dyshim, futbolli është duke u bërë një sport vërtetë global dhe termi ‘outsajder’ është duke u bërë i pavlefshëm. Vetëm shikojeni numrin e lojtarëve nga kontinentet e tjera që janë duke luajtur në ligat më të mira të Evropës (Angli, Spanjë, Gjermani, Itali dhe Francë) dhe do ta kuptoni trendin e këtyre zhvillimeve.

 

Tri vende nikoqire për herë të parë në histori

Krahas formatit të zgjeruar, Kupa e Botës 2026 do të sjell edhe një risi tjetër pasi që kjo do të jetë hera e parë që tri vende të ndryshme (Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika) do të jenë nikoqire të një turneu të tillë. Më parë, vetëm Koreja e Jugut dhe Japonia janë përzgjedhur si bashkë nikoqire të Kupës së Botës 2002.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE