NITA LATIFI ‘NJË ÇIKË E LINDUR DHE E RRITUR NË PRISHTINË’

 

Në kërkesën tonë që ta prezantojë vetveten, me mjaft modesti Nita Latifi thotë se ajo është një çikë e lindur dhe e rritur në Prishtinë, e cila është vlerësuar si një vokal urban i këtij vendi. Përndryshe, ajo që mbase e dallon Nitën nga shumë këngëtare të tjera është se ajo është aktive në mbrëmje të ndryshme dhe aktivitete edhe jashtë muzikës, pasi që ajo kontribuon në sfera të ndryshme kulturore në vend. Madje, një ndër tiparet që ajo e pëlqen më së shumti tek vetja është fakti që ajo nuk e përkufizon dhe as nuk e kufizon vetveten vetëm në kuadër të muzikës, por mundohet që të gjitha aftësitë e saj t’i shprehë në çdo formë të mundshme. Në vijim ne ju ftojmë që ta lexoni intervistën ekskluzive që redaksia e jonë e zhvilloi me këtë këngëtare unike në skenën tonë muzikore.

 

Çka të shtyri dhe kush të frymëzoi që të filloje të merreshe me muzikë?

Muzika ka qenë gjuha e dytë e familjes sonë. E rritur me muzikantë, jo rastësisht e fillova këtë rrugëtim që në moshë të hershme. Frymëzimi im ka qenë xhaxhai im, i cili ka qenë i pari që e ka zbuluar talentin tim dhe ka qenë shtytja më e madhe për mua. Ai nuk jeton më, por është gjithmonë i pranishëm në mendjen dhe në zemrën time.

 

Cilat performanca deri më tani ishin më emocionuese për ty?

Performanca të shumta me emocione na kanë përcjellë shumë herë mua dhe bendin tim. Gjithmonë i shijojmë koncertet. Mirëpo, ato që gjithmonë do të jenë në mendjen time janë disa koncerte humanitare që kanë rezultuar me sukses, pra kemi arritur që t’i mbledhim paratë për shërimin e disa personave në nevojë. Është fat dhe kënaqësi e veçantë që të kontribuosh në mënyrën tënde për shëndetin e dikujt që lufton për jetë.

 

Si kanë ndikuar këto përvoja në formësimin tënd si njeri dhe si muzikante?

Kanë ndikuar shumë! Sidomos kur takon njerëz të ndryshëm të profileve të ndryshme. Bëhesh më mendje hapur dhe njëkohësisht bëhesh më njerëzor. Bëhesh një me krejt të mirat e të këqijat e njerëzve që të rrethojnë. E prek realitetin!

 

A është muzika çdo gjë për ty?

Muzika e ka një vend të veçantë tek unë, por nuk është gjithçka. Për mua është me rëndësi që t’i shfrytëzoj të gjitha kualitetet dhe aftësitë që i kam, në forma të ndryshme. Unë përpos muzikës, ushtroj edhe profesione të tjera dhe jam shumë e lumtur për këtë.

 

Kur dhe cila do të jetë shfaqja jote e radhës?

Plani im ka qenë që të shkëputem për një kohë dhe më pas të kthehem me një album. Albumin ende nuk e kam përfunduar, por jam duke punuar në këtë aspekt.

 

Cilët muzikantë apo muzikante të famshme i adhuron?

Si artiste dhe si krijuese, nuk mund të jesh e kufizuar në preferenca. Çdo lloj zhanri i muzikës është i mirëseardhur, çdo artist/e që e dëgjon do të kontribuoj në kreativitetin tënd si krijues, kështu që nuk do ta veçoja një ose dy artistë/e.

 

Cila është këshilla më e mirë që ta ka dhënë dikush?

Këshilla më e mirë që mundohem ta ndjekë dhe që më ka shërbyer gjithmonë për të mirë në jetë, ka qenë nga gjyshi im i ndjerë – Lexo çdoherë kur ke kohë dhe puno për të jetuar, e mos jeto për të punuar.

 

Cilat rryma të tjera muzikore të pëlqejnë?

Më pëlqejnë të gjitha rrymat muzikore. Jetojmë në një kohë kur zhanre të reja në muzikë po dalin dhe ekzistueset po ndryshojnë, dhe unë i mirëpres të gjitha këto krijime të reja. Ato na ndihmojnë shumë që të zhvillohemi si në aspektin artistik, por edhe atë jetësor.

 

Çfarë arritje pret që të përmbushësh në pesë deri në dhjetët vjetët e ardhshme?

Nuk mendoj aq larg 😝. Jetës nuk i dihet! Normal që kam vizion dhe synime për të ardhmen, por nuk ngjitem fort pas tyre aq sa të mendoj vetëm si t’i arrijë ato. Provoj që ta shijoj jetën, sepse nuk i dihet, e ndërkohë mundohem edhe që të zhvillohem në aspektin profesional.

 

A të ka shkuar ndonjëherë mendja që të braktisësh gjithçka dhe të fillosh nga e para?

Po! Sidomos gjatë kohës së pandemisë, kemi pasur kohë që të mendojmë ide të tilla që na frikësojnë, por që nuk janë të pamundura dhe larg mendjes 😋.

 

Si duket dita jote e zakonshme?

Mëngjesi im fillon gjithmonë në Paper Radio, ku e drejtoj emisionin tim “Ditën me Nitën”. Ditën e vazhdoj me punë të tjera që lidhen me profesionin, në studio dhe duke bërë sport, këto aktivitete nuk mungojnë gjate ditëve të mia të zakonshme.

 

Cila është këshilla jote për një muzikant/e të ri/re në fillim të karrierës?

Mundohu ta gjesh veten në muzikë, beso në veten dhe mos kërko këshilla nga njerëz që nuk janë kompetent për këtë punë.

 

Si preferon të komunikosh me mesazhe apo telefonata?

Voice message (porosi zanore)! Komunikimi ma i mirë deri më tash. Kudo që je, porositë zanore nuk të pengojnë dhe të kursejnë kohë.

 

Facebook, Instagram, Snapchat, WhatsApp… cila është platforma jote e preferuar?

Po të pyetesha unë, tash i kisha mbyllë të gjitha 😝!!! Gjithsesi, Instagrami mbetet një prej platformave ku jam më aktive dhe e përdori më së shumti.

 

Sekreti për përcjellësit e tu në Instagram?

Thjesht jam vetja! Njerëzve iu pëlqejnë aktivitetet e mia ditore, dhe unë gëzohem kur i frymëzoj ata që të merren me aktivitete të ndryshme.

 

Emojit – sa i përdor dhe cilat i përdor më shumë?

ky është i preferuari im – kur jam në disponim… e kur e përdori këtë 🙂- nuk është puna mirë, hahaha!!!

 

Destinacioni turistik i ëndrrave?

Krejt Bota! Kam shumë dëshirë që deri në një moshë të caktuar të arrij t’i shoh të gjitha vendet e botës! Kam shumë dëshirë që të njihem me kultura të ndryshme, dhe që të shoh gjithçka që ka në këtë Tokë.

 

Me cilët artistë të famshëm botëror do të darkoje?

Hmmm! Me Keanu Reeves. Do të doja ta dija se si arrin ai të mbajë në krah aq shumë famë dhe sukses, dhe njëkohësisht të vazhdojë të ketë një jetë shumë të zakonshme.

 

Nëse një ditë do të qeverisje botën, çfarë do të ndryshoje?

Do ta bëja himnin e botës këngën “Imagine” të John Lenon.

 

A është dashuria vetëm fjalë?

Dashuria është si e sheh përmes syve të tu! Për dikë është vetëm fjalë, për dikë është gjithçka, e për dikë është vetëm një çrregullim hormonal ! Varet se nga çfarë pozite e sheh.

 

Cilat janë dëshirat e tua për llambën e Aladinit?

Të më jep forcë dhe vullnet për çdo sfidë në jetë!

 

Porosia jote për të rinjtë në Kosovë?

Ta dëgjojnë këshillën e gjyshit tim – “Lexoni, lexoni, lexoni, punoni për të jetuar e mos jetoni për të punuari! Paqe dhe dashuri!”

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE