PARKU KOMBËTAR I MALIT TAVOLINË

 

Mali Tavolinë, ose më mirë të themi rrafshnalta e Malit Tavolinë, është një prej pikave më ikonike të referimit në Afrikën e Jugut. Njëherit, ai është edhe atraksioni më i fotografuar dhe teleferiku i tij i famshëm i ka transportuar miliona njerëz në majën e tij. Sidoqoftë, ky mal fsheh shumë befasi të cilat presin që të zbulohen.

 

Mali Tavolinë ofron shumë më tepër se sa një peizazh mahnitës për fotografi apo një pikë nga ku mund të bëni fotografi mbresëlënëse të qytetit Cape Town (Keip Taun). Në fakt, këto bukuri të panjohura të këtij mali janë arsyeja pse ai është shpallur park kombëtar.

 

Parku Kombëtar i Malit Tavolinë

Parku Kombëtar i Malit Tavolinë ka biodiversitet të pasur dhe për këtë ai është Lokacion i Trashëgimisë Botërore të Mbretërisë së Luleve të Kepit. Në Malin Tavolinë gjenden mbi 2.200 specie të bimëve dhe 1.470 specie të luleve. Po ashtu, kopshti i krijuar në vitin 1913, dhe i cili e mbulon një sipërfaqe prej 527 hektarë, e përfshin edhe një observator unik me bimë nga të gjitha pjesët e botës.

 

Krahas parqeve, e tërë kjo zonë e ka një biodiversitet që vështirë mund të gjendet diku tjetër në botë. Luginat dhe përrenjtë e shumtë, e bëjnë atë një vend idilik për t’u larguar nga kaosi i Cape Town. Mirëpo, tipari më unik i këtij parku kombëtar është vegjetacioni fynbos. Ky është një lloj i veçantë i vegjetacionit që gjendet vetëm në kepin jugor të Afrikës. Në të përfshihen një gamë e gjerë e specieve bimore, posaçërisht drunj dhe shkurre të ngjashme me shqopën.

 

Në anën tjetër, rajoni me lule njihet si një ndër rajonet më të pasura me lule në botë. Mbi 70 për qind e luleve në Malin Tavolinë janë endemike, prandaj nuk është për t’u habitur që ky mal është zgjedhur si një prej shtatë mrekullive moderne të botës.

Krahas florës edhe faunë e veçantë

Krahas florës edhe fauna nuk është hiq më pak ngazëlluese. Ndonëse, kafshët si luani, zebra e malit, apo leopardi nuk gjenden më aty, parku vazhdon të jetë shtëpia e karakalëve (mace e egër e ngjashme me rrëqebullin), hiraksët e shkëmbinjve dhe babuneve çakma (chacma). Kurse në plazhin Boulder rrëzë Malit Tavolinë grumbullohen pinguinët, një pamje e veçantë në Afrikën Jugore.

 

Dy atraksione në këtë park kombëtar

Përndryshe, maja e rrafshët e malit arrin në 1.086 metra mbi nivelin e detit, por afërsia e tij me detin dhe qytetin e bën atë të duket edhe më mbresëlënës. Krahas, malit, parku kombëtar e përfshin edhe një atraksion tjetër të Afrikës Jugore – Kepin e Shpresës së Mirë – pikën me jugore të kontinentit Afrikan.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE