PASAPORTA E TË MËSUARIT (THE LEARNING PASSPORT)

Mbyllja e institucioneve arsimore të të gjitha niveleve si masë parandaluese kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, në mes të tjerash e ka kthyer vëmendjen dhe fokusimin e mbarë botës drejt të mësuarit online. Në vazhdën e përpjekjeve për përparimin sa më të shpejtë të kësaj forme futuristike të të mësuarit dje në Prishtinë, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me shefin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, z. Murat Sahin dhe zëvendësministrin në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), z. Xhavit Rexhaj, në një konferencë të përbashkët për media e lansuan platformën Pasaporta e të Mësuarit (The Learning Passport).

 

Me këtë rast Kryeministri në detyrë Kurti tha se lansimi i kësaj platforme është rezultat i punës së mirë që e ka bërë zyra e UNICEF-it në Kosovë, posaçërisht përmes programit UPSHIFT. Ai po ashtu bëri të ditur se Kosova së bashku me Timorin Lindor dhe Ukrainën janë tri vendet e para në botë që do të fillojnë të testojnë Iniciativën e Pasaportës Mësimore.

 

Në fjalën e tij të rastit shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, z. Sahin, në mes të tjerash theksoi: “Po i gëzohemi kësaj mundësie dhe e dimë që nevojitet ndihmë tani dhe shpejt. Jemi duke e sjellur ekspertizën dhe njohuritë më të mira botërore për të mirën e të gjithë fëmijëve dhe të rinjve në Kosovë. Pasaporta e të mësuarit e lidh Ministrinë e Arsimit në Kosovë me Universitetin e Kembrixhit dhe Microsoft-in për të krijuar së bashku zgjidhje që do t’i ndihmonin popullsisë më të re në Kosovë duke ofruar arsim cilësor për të gjithë.”

 

Pasaporta e të Mësuarit është një partneritet në mes të UNICEF-it, Microsoft-it dhe Universitetit të Kembrixhit, e dizajnuar fillimisht për t’iu ofruar arsimim fëmijëve të zhvendosur dhe fëmijëve refugjatë përmes një platforme digjitale të të mësuarit në distancë. Tani ajo është zgjeruar në mënyrë të shpejtë për ta lehtësuar kurrikulën në nivel vendi për fëmijët dhe të rinjtë shkollat e të cilëve janë detyruar të mbyllen si masë parandaluese ndaj përhapjes së pandemisë me COVID-19. Platforma po ashtu do të ofrojë burime themelore për mësimdhënësit dhe edukatorët.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE