PEZULLOHET SUPER LIGA E EVROPËS

 

Siç kemi raportuar më parë, ditën e diel dymbëdhjetë klubet më të mëdha evropiane (AC Milan, Arsenal FC, Atletico Madrid, Chelsea FC, FC Barcelona, FC Internazionale Milano, Juventus FC, Liverpool FC, Manchester City, Manchester United, Real Madrid CF dhe Tottenham Hotspur) vendosën që të krijonin të ashtuquajturën Super Ligën Evropiane (SLE). Ky vendim u prit me reagime tejet të ashpra nga të gjitha anët. Në krye të reagimeve ishin shtëpia e  futbollit evropian – UEFA, qeveritë dhe ligat përkatëse kombëtare të futbollit. Mirëpo reagimet kundër nuk munguan as nga tifozët e vet klubeve themeluese të kësaj lige.

 

Vetëm dy ditë më vonë duket se projekti i SLE do të mbetet veçse një njollë në historinë e klubeve në fjalë pasi që tashmë është bërë e ditur se të gjashtë klubet angleze janë tërhequr nga marrëveshja. Si rezultat i këtyre zhvillimeve Super Liga Evropiane tashmë e ka publikuar një lajmërim në të cilin bëhet e ditur se realizimi i këtij projekti për momentin do të pezullohet.

 

Një tjetër zhvillim interesant është se një ndër ideatorët kryesor të këtij projekti nënkryetari ekzekutiv i Manchester United, Ed Woodward, do të jetë i pari që do t’i vuajë pasojat e këtij veprimi. Ndonëse arsyet nuk janë tërësisht të qarta, tashmë është bërë e ditur se Woodward do të largohet nga drejtimi i klubit në fund të këtij sezoni. Mbetet të shihet nëse edhe ndonjëri prej udhëheqësve të klubeve të tjera do t’i vuajë pasojat e ngjashme.

 

Në vijim mund ta lexoni tekstin e plotë të lajmërimit të Super Ligës Evropiane.

 

“Super Liga Evropiane është e bindur që status kuoja aktuale e futbollit evropian duhet të ndryshojë.

 

Ne e kemi propozuar një garë të re evropiane sepse sistemi ekzistues nuk funksionon. Propozimi ynë ka për qëllim që t’i lejojë këtij sporti që të evoluojë dhe njëkohësisht të gjenerojë burime dhe stabilitet për tërë piramidën e futbollit, duke e përfshirë këtu edhe ndihmën për të tejkaluar vështirësitë financiare të përjetuara nga tërë komuniteti futbollistik si rezultat i pandemisë. Ai, po ashtu, do të ofronte pagesa materiale të përmirësuara të solidaritetit për të gjithë hisedarët e futbollit.

 

Përkundër lajmërimit për tërheqjen e klubeve angleze, të cilat kanë qenë të detyruara që të vendosin kështu për shkak të presionit kundrejt tyre, ne jemi të bindur që propozimi ynë është në përputhje të plotë me legjislacionin dhe rregulloret evropiane gjë që është demonstruar sot edhe nga një vendim gjyqësor për të mbrojtur Super Ligë nga veprimet e palëve të treta.

 

Duke i pasur parasysh rrethanat aktuale, ne do t’i rishqyrtojmë hapat më të mirë për të riformuluar projektin, gjithmonë duke i pasur parasysh qëllimet për t’ua ofruar tifozëve përvojën më të mirë të mundshme në ndërkohë që i forcojmë pagesat e solidaritetit për tërë komunitetin futbollistik.”

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE