POLICIA E KOSOVËS E KALON EDHE NJË SFIDË ME SUKSES

Tani kur ka filluar lehtësimi i masave parandaluese kundër COVID-19 dhe gjendja ka filluar të kthehet gradualisht drejt normalitetit, statistikat tregojnë se Kosova deri tani e ka kaluar këtë sfidë globale me mjaft sukses. Falë nivelit shumë të lartë të zbatimit të masave parandaluese kundër kësaj sëmundjeje, Kosova ka regjistruar numër minimal të të infektuarve dhe rasteve të vdekjes. Madje edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka lavdëruar Kosovën për suksesin e arritur në përballje me këtë pandemi.

 

Meritat për këtë sukses iu takojnë të gjithë aktorëve të përfshirë në luftimin e COVID-19 duke filluar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP), Klinika Infektive, Inspektorati Sanitar, Ministria e Shëndetësisë dhe posaçërisht Policia e Kosovës. Në lidhje me rëndësinë e angazhimit të policisë në luftën kundër COVID-19 ne biseduam me Agnesë Beqiraj, zyrtare e policisë në stacionin numër 3 veriu në Prishtinë, dhe Milos Kovacevic, zyrtar i policisë në stacionin numër 4 jug në Prishtinë. Me këtë rast që të dy këta zyrtarë policor theksuan se Policia e Kosovës, përmes pranisë së zyrtarëve policor dhe patrullimeve të përditshme kujdeset për sigurinë e qytetarëve dhe për respektimin e masave të qeverisë në luftën kundër pandemisë së COVID-19. Ata, po ashtu, theksuan se të gjithë ne mund të kontribuojmë në parandalimin e përhapjes se pandemisë duke i respektuar dhe zbatuar masat mbrojtëse dhe rekomandimet e tjera të OBSH-së dhe IKSHP-së.

 

Edhe z. Ibrahim Tërshnjaku, Kryeinspektori Sanitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës – Zyra e Kryeministrit, theksoi se: “Pa zbatimin e patrullimeve të përbashkëta të Policisë së Kosovës me Inspektoratin Sanitar, institucionet tona nuk do të kishin sukses kaq të madh në luftimin e COVID-19 dhe ne nuk do të kishim numër kaq të vogël të vdekjeve në Kosovë si pasojë e kësaj sëmundjeje. Për këtë sukses kemi pranuar lëvdata edhe nga OBSH.” Ai theksoi më tej se të gjithë ne duhet ta kuptojmë se përballja me COVID-19 është një maratonë derisa njerëzit në mbarë botën të kenë fituar imunizim të përgjithshëm dhe derisa të nxirret një vaksinë për të. Prandaj, ne duhet t’i zbatojmë të gjitha rekomandimet nga IKSHP dhe OBSH gjithmonë duke e pasur prioritet kryesor mbrojtjen e qytetarëve.

 

Në fund z. Tërshnjaku porositi se të gjithë duhet ta kuptojnë dhe ta marrin seriozisht situatën e krijuar nga COVID-19. Sepse, praktika e ka dëshmuar se jo vetëm personat që kanë imunitet të dobësuar dhe gjendje shëndetësore ekzistuese janë të rrezikuar pasi që nëpër botë ka pasur rezultate befasuese. Kurse sa i përket punës së Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Sanitar deri tani, ai tha se që të dyja këto institucione tashmë e kanë dëshmuar se janë profesionale, kompetente dhe të gatshme që t’i mbrojnë me sukses qytetarët e Kosovës edhe nga pandemi globale.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE