PREJARDHJA E “HOT DOG”

 

Salsiçet e shërbyera në një simite janë një prej ushqimeve më të thjeshta, më të pëlqyera dhe më të njohura në botë. Kudo, ato njihen thjesht si “hot dog”. Në vijim, ju ftojmë që të njiheni më për së afërmi me historinë e këtij ushqimi sa të thjeshtë po aq edhe të shijshëm.

 

Prejardhja e këtij emri të çuditshëm “hot dog” (qen i nxehtë)

Termi “dog” (qen) ka filluar të përdoret si sinonim i salsiçeve që nga vitet 1800. Ndërlidhja me këtë sinonim, sipas të gjitha gjasave vjen nga akuzat që u përhapën asokohe se prodhuesit e salsiçeve përdornin mish qeni në përgatitjen e produkteve të tyre.

 

Salsiçet “Frankfurter Würstchen” dhe “Wiener”

Para se të flasim për prejardhjen e hot dogut modern, është e rendit që të flasim për salsiçet më të zakonshme që përdoren në përgatitjen e këtij ushqimi të veçantë: Frankfurter Würstchen dhe Wiener. Siç edhe mund ta kuptoni nga emrat e tyre ato vijnë nga dy qytete gjermanisht folëse – Frankfurti dhe Vjena.

 

Frankfurter Würstchen, që në përkthim të lirë do të thotë salsiçja e vogël e Frankfurtit, njihet që nga shekulli i 13-të. Asokohe, këto salsiçe filluan që t’iu ndaheshin njerëzve me rastin e kurorëzimeve perandorake, duke filluar nga kurorëzimi si Mbret i Perandorit të Shenjtë Romak, Maximilian të II.

 

Salsiçja Wiener i referohet një varianti të salsiçes Frankfurter e cila filloi të prodhohej në Vienë të Austrisë gjatë shekujve 18/19 të cilës krahas mishit të derrit i shtohej edhe një sasi e mishit të lopës.

 

Lindja e hot dogut modern

Për dallim prej shumë ushqimeve të tjera, nuk ka të dhëna të sigurta se kur dhe si lindën hot dogët e parë. Gjithsesi, disa prej varianteve më të besueshme janë këto:

 

  1. Një prej pretendimeve më të forta është se i pari që filloi të shiste hot dog ishte Harry M. Stevens. Në vitin 1901, Stevens shiste salsiçe afër arenave të sportit të polos në Nju Jork. Për të mos ua djegur duart klientëve ai ua shërbente salsiçet në një letër me dyllë. Mirëpo, pasi i mbaruan letrat atij i lindi ideja që t’i shërbente salsiçet e tij në simite franceze.

 

  1. Një emigrant gjerman me emrin Feuchtwanger, nga Frankfurti, supozohet ta ketë nisur praktikën e shitjes së salsiçeve në simite në shtetet e Miduestit të SHBA-ve, dhe ky pohim i ka disa versione të detajeve. Sipas njërit prej tyre, klientëve që i blinin salsiçet e tij ai u jepte dorëza për të mos i djegur duart. Mirëpo, sa herë që klientët nuk ia kthenin dorëzat ai humbte para. Kështu që gruaja e tij i propozoi atij që të fillonte t’i shiste salsiçet në simite.

 

  1. Një tjetër mundësi për origjinën e hot dogëve të parë është tregimi i Charles Feltman, në Coney Island (Koni Ajlënd) në Nju Jork. Në vitin 1867 ai e kishte një karrocë me një shporet të vogël në të cilin i ziente salsiçet si dhe një ndarje ku i mbante simitet e freskëta. Në vitin 1871 ai e mori me qira një copë tokë për të ndërtuar një restorant dhe biznesi i tij lulëzoi.

 

Hot dogët më të famshëm në botë

Pa marrë parasysh origjinën e tyre, një gjë është e sigurt, hot dogët janë një prej ushqimeve më të famshme dhe më të përhapura në botë. Andaj nuk është për t’u habitur se në mesin e dhjetë hot dogëve më të famshëm në botë gjenden variacione nga vende të ndryshme si: 10. Pancho (Uruguaj), 9. Maxwell Street Polish (Çikago SHBA), 8. Corndog korean (Kore e Jugut), 7. Cachorro quente (Brazil), 6. Perro caliente (Kolumbi), 5. Pølser (Danimarkë), 4. Chicago-style hot dog (Çikago, SHBA), 3. Chili dog (SHBA), 2. Cheese dog (SHBA), 1. Choripán (Argjentinë).

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE